Mashtrimi i Milaim Zekës – bëhet pronar i një banese 100 metra katrorë pa paguar asnjë cent

29.11.2017

Deputeti Milaim Zeka është bërë pronar i një banese 100 metra katrorë në qendër të Prishtinës pa paguar asnjë cent. Këtë banesë e ka përvetësuar nga blerësi, Naser Hoxha, të cilin e ka mashtruar duke mos ia paguar 120 mijë euro të blerjes së banesës. Pos kësaj, Zeka dyshohet se e ka kërcënuar vetë dhe i ka dërguar njerëz të armatosur Hoxhës në shtëpi, sa herë që ia ka kërkuar paratë e veta. I ndodhur nën kërcënim dhe i dëmtuar financiarisht, Hoxha i ka bërë kallëzim penal Zekës në Prokurorinë Speciale.

Mashtrimi i Milaim Zekës – bëhet pronar i një banese 100 metra katrorë pa paguar asnjë cent

Deputeti Milaim Zeka ka përvetësuar një banesë me vlerë prej 120 mijë eurosh pa paguar asnjë cent.

Zeka ka bërë kontratë blerjeje të banesës që gjendet në lagjen Tophane në Prishtinë nga Naser Hoxha. Por, asnjë cent nuk ia ka dhënë atij.

E, kur i ka kërkuar paratë prej Zekës, në mbrëmje në shtëpi i janë shfaqur burra trupmëdhenj të armatosur të cilët e kanë kërcënuar që “të mos i kërkojë më paratë”, nëse dëshiron të mos i ndodh diçka e keqe.

Hoxha pretendon se ka marrë kërcënime direkt edhe nga vetë Zeka.

Pas dështimit për t’i marrë paratë e tij të shitjes së banesës nga viti 2012, Hoxha i ka bërë kallëzim penal deputetit Zeka. Po e akuzon për tri vepra penale: mashtrim, kanosje dhe shantazh. Kallëzimin e ka dorëzuar më 14 tetor të këtij viti.

Insajderi ka siguruar kallëzimin penal, kontratën për blerje të banesës, padinë në gjykatë për lirim të pronës si dhe një letër që avokati i Naser Hoxhës ia kishte dërguar deputetit Zeka, me të cilën e paralajmëron se nëse nuk i paguan paratë padia do të dorëzohet në gjykatë.

Në këtë kallëzim penal thuhet se deputeti Zeka, me dashje e ka mashtruar Naser Hoxhën si shitës të banesës.

“Me 2 tetor 2012 (Milaim Zeka v.j.) lidh një kontratë për blerjen e banesës nga Naser Hoxha. Kontrata shkruhet dhe nënshkruhet në zyrën e avokatit Zamfir Kryeziu në Prishtinë. Objekt i kësaj kontrate ishte banesa në lagjen Tophane në Prishtinë në rrugën Mark Isaku T/3 me sipërfaqe 100 metra, kati i dhjetë me çmim prej 120 mijë eurosh. Nga kjo shumë blerësi duhet të paguante shumën e avansit prej 100 mijë eurosh, kurse shumën prej 20 mijë eurosh do ta paguante konform marrëveshjes në momentin e pranim-dorëzimit të çelësave”, sqarohet në kallëzim penal.

Aty thuhet se palët ishin marrë vesh që pas pagesës së çmimit kontraktues ta vërtetojnë kontratën tek avokati dhe më pas tek noteri.

Pavarësisht kontratës që parashihte dorëzimin e çelësave kur të kryhej pagesa, Naser Hoxha i kishte besuar Zekës duke ia dhënë çelësat e banesës. Prej asaj dite ai më nuk ka qasje në pronën e tij.

“Disa herë i dëmtuari nëpërmjet avokatit Zamfir Kryeziu, por edhe vetë kur e kishte takuar Milaim Zekën, i kishte kërkuar përmbushjen e kontratës. Çdo herë në mbrëmje në banesë të Naser Hoxhës kishin shkuar persona për të panjohur dhe e kishin kërcënuar me armë duke i tërhequr vërejtjen se nëse kërkon edhe njëherë të holla nga Milaim Zeka, do ta pësojë keq edhe me kokë”, shkruan në kallëzim penal.

“Kurse sa herë i dëmtuari e kishte takuar Milaim Zekën, Zeka kishte filluar ti bërtas duke i thënë se ‘nuk të njoh se kush je’. Në mbrëmje përsëri paraqiteshin personat të cilët e kërcënonin dhe shantazhonin të dëmtuarin”, pretendohet në këtë dokument penal.

Hoxha ishte ndjerë i rrezikuar dhe i frikësuar saqë nuk kishte guxuar ta lajmëronte policinë. Ishte këshilluar nga avokati që të ketë kujdes, sepse, siç shkruan në kallëzim penal, “Milaimi sillet me persona mjaftë të rrezikshëm”.

“Në një rast kur janë takuar me Milaim Zekën dhe kanë kërkuar që të më paguaj të hollat për banesë, Milaimi më është përgjigjur: Mos i përmend ma ato para se përndryshe e lëshon Prishtinën”, shkruan më tej.

Hoxha nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje me arsyertimin se ndjehet i frikësuar.

Zeka, aktualisht është nën hetime për një rast të krimit të organizuar që lidhet me mashtrimin e 920 kosovarëve me viza pune në Gjermani. Ndërkohë, shteti ia ka sekuestruar tri banesa në Prishtinë të cilat dyshohet se janë blerë me para të pista.

Avokati i Milaim Zekës, Gazmend Halilaj ka thënë se nuk është i njoftuar për këtë rast.

“Nuk kemi asnjë njohuri lidhur me këtë çështje. As unë as klienti ime nuk jemi të njoftuar nga organet e ndjekjes në lidhje me këtë çështje”, ka thënë Halilaj për Insajderin./Insajderi.com

Shteti ia sekuestron Milaim Zekës tri banesa – dyshohet se u blen me para të pista

Milaim Zeka dyshohet se mashtroi 920 kosovarë me viza punësimi në Gjermani