Marjan Dema nënshkruan diplomën e studentes që dyshohet se është fals

Rektori Marjan Dema dhe dekani i Fakultetit të Edukimit Ethem Çeku nënshkruan diplomën e një studenteje që dyshohet se e kreu në mënyrë të jashtëligjshme Fakultetin e Edukimit. Profesoresha Valbona Berisha ka ngritur kallëzim penal ndaj Demës, Çekut dhe dy zyrtarëve të tjerë të Universitetit të Prishtinës. Ajo i implikon Demën e Çekun në veprime të kundërligjshme që dyshohet se i kanë kryer me qëllim "shpërblimin" e studentes

Marjan Dema nënshkruan diplomën e studentes që dyshohet se është fals

Në nëntorin e vitit 2016, dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme Fakulteti i Edukimit (FE) i lëshoi diplomën studentes me inicialet G.G, edhe pse sipas pretendimeve të profesoreshës së FE-së Valbona Berishës, studentja në fjalë kreu fakultetin në mënyrë të kundërligjshme.

Në një kallëzim penal që profesoresha e lëndës MNjNM në Fakultetin e Edukimit Valbona Berisha ka deponuar në Prokurorinë e Shtetit, ajo ka akuzuar rektorin e Universitetit të Prishtinës Marjan Demën dhe dekanin e FE-së Ethem Çekun, për nënshkrimin e diplomës së studentës G.G..

Profesoresha Berisha pretendon se zyrtarë të Fakultetit të Edukimit kanë ndërhyrë në llogarinë e saj, në sistemin SEMS (sistemi elektronik i njoftimit në UP), me qëllim që të fshihet nga lista e studentëve të notuar në muajt janar, prill dhe qershor të vitit 2016 studentja G.G., e cila kishte marrë notë jo kaluese në të gjitha këto provime.

“Çështja e studentes në fjalë ka qenë në procedurë disiplinore për shkak të falsifikimit në SEMS (sistemi elektronik i notimit i UP-së)”, thuhet në kallëzimin penal që profesoresha Valbona Berisha ka deponuar në Prokurorinë e Shtetit, të cilin e ka siguruar Gazeta Online Insajderi.

Profesoresha pretendon se këto veprime janë realizuar për ta “shpërblyer” studenten G.G..

Përveç kësaj, profesoresha pretendon se gjatë kësaj procedure studentja e njëjtë, përsëri kundërligjshëm është transferuar në degën e Fakultetit të Edukimit në Gjakovë. Ajo thotë se kjo është bërë me një qëllim të caktuar, raporton Gazeta Online Insajderi.

“Me qëllim që në provimin për të cilin është bërë falsifikimi, të nënshtrohet te një profesor tjetër”, ka thënë profesoresha Berisha, në kallëzimin penal që ka deponuar në prokurori.

Berisha ka thënë se zyrtarët e Fakultetit të Edukimit kanë tentuar ta manipulojnë me një vendim të nënshkruar nga dekani i Fakultetit të Edukimit Ethem Çeku, mbi transferimin e studentes në fjalë në “degën e Fakultetit të Edukimit në Gjakovë”.

Madje, në kohën kur është kryer transferimi i studentes G.G. në degën e Fakultetit të Edukimit në Gjakovë, ajo degë ka qenë e mbyllur.

Sipas profesoreshës, zyrtarë të Fakultetit të Edukimit kanë kryer edhe një ndërhyrje të dytë në llogarinë e saj të SEMS-it.

“Me datën 7.10.2016, derisa procedura ishte ende në ‘shqyrtim’, me një kontrollim rutinor të llogarisë sime së SEMS-it, e vërejta se ka ndodhur edhe ndërhyrja e dytë retroaktive, ku tani po e njëjta studente është rikthyer në listat e të tri afateve (janar, prill dhe qershor)”, thuhet në kallëzimin penal, teksa bëhet e ditur se edhe për këtë ndërhyrje është njoftuar me e-mail rektori Marjan Dema.

Profesoresha e lëndës MNjNM shprehet se kjo ndërhyrje në sistemin e saj të SEMS-it është bërë me qëllim të fshehjes së gjurmëve dhe manipulimit të rastit.

“SEMS-i është program elektronik në të cilin udhëhiqen gjitha të dhënat e studentëve të UP-së. Secili profesor ka llogarinë e vet personale, nëpërmjet të cilës noton studentët. Pra, mirëmbajtësit e SEMS-it kanë ndërhyrë jashtëligjshëm në llogarinë time të SEMS-it, ndërsa dekani, sekretari i Fakultetit të Edukimit, rektori dhe sekretari i përgjithshëm nuk kanë kthyer përgjigje për rastin”, ka thënë Berisha.

Për këto keqpërdorime të dyshuara, profesoresha Berisha ka ngritur kallëzim penal ndaj rektorit Marjan Dema dhe sekretarit të Përgjithshëm të UP-së Esat Kelmendi nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre; Legalizimi i përmbajtjes së rreme.

Po ashtu, kallëzim penal është ngritur edhe ndaj dekanit të Fakultetit të Edukimit Ethem Çekut dhe sekretarit Milaim Mazreku. Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Me veprimet që pretendohet t’i kenë kryer Dema e Çeku janë bërë shkelje të rënda, thotë profesoresha Berisha.

“Janë mbuluar falsifikuesit në SEMS, është cenuar cilësia e punës së Fakultetit të Edukimit dhe është shpërblyer kundërligjshëm studentja G.G.”, thuhet në kallëzimin penal të deponuar në Prokurorinë e Shtetit kundër katër zyrtarëve të lartë të UP-së.

Rektori Dema dhe Këshilli i Fakultetit të Edukimit janë në dijeni për rastin

Se studentja G.G. ishte në procedura të hapura disiplinore për “falsifikim të të dhënave” në sistemin SEMS, kanë qenë të njoftuar rektori Marjan Dema dhe Këshilli i Fakultetit të Edukimit.

Kështu bën të ditur profesoresha Valbona Berisha, e cila thotë se nuk mori asnjëherë përgjigje nga Dema, e as nga dekani Çeku.

“Unë kam bërë një kërkesë me shkrim drejtuar Këshillit të Fakultetit të Edukimit më 16.9.2016 për zbardhjen e fatit të kësaj ndërhyrjeje. Nuk kam marrë përgjigjen e kërkuar me shkrim, prandaj me e-mail e kam njoftuar edhe rektorin e UP-së, Marjan Dema”, ka thënë profesoresha Berisha.

Insajderi ka siguruar e-mailin përmës së cilit profesoresha Berisha i është drejtuar rektorit Marjan Dema dhe Këshillit të Fakultetit të Edukimit më 18 korrik të këtij viti. Në këtë shkrim, ajo u drejton pyetje zyrtarëve udhëheqës të UP-së lidhur me transferimin e kundërligjshëm të studentes G.G. në degën e Fakultetit të Edukimit në Gjakovë.

“Ne lidhje me ‘shfajësimin’ për rastin G.G. – vetëm një pyetje duhet të shtrohet para sekretarit – si mund të transferohet diku një student me procedura te hapura për falsifikim të të dhënave ne SEMS?”, thuhet në e-mail, raporton Insajderi.

Udhëheqësit e UP-së nuk flasin për rastin

Marjan Dema, Ethem Çeku e Esat Kelmendi nuk kanë komentuar pretendimet e profesoreshës Valbona Berisha lidhur me dyshimet për keqpërdorime në rastin e studentes G.G..

Insajderi i ka dërguar pyetje rektorit Dema, dekanit të FE-së Ethem Çekut dhe sekretarit të UP-së Esat Kelmendi për rastin e studentes G.G. dhe për dy raste të tjera. I vetmi që ka kthyer përgjigje është dekani Çeku, mirëpo nuk e ka thënë asnjë fjalë për rastin e studentes G.G..

Çeku i ka kthyer përgjigje gazetës vetëm për rastin e studentes që dyshohet se ka diplomuar jashtëligjshëm në Fakultetin e Edukimit, me inicialet A.R..

Insajderi ka kontaktuar edhe sekretarin e Fakultetit të Edukimit, Milaim Mazrekun, ndaj të cilit po ashtu është ngritur kallëzim penal nga profesoresha Valbona Berisha.

Mazreku i ka thënë Insajderit se Fakulteti i Edukimit posedon të gjitha dokumentacionet që dëshmojnë të kundërtën e asaj që thotë profesoresha Berisha.

Insajderi raportoi të mërkurën për kallëzimin penal që profesoresha Valbona Berisha ngriti ndaj dekanit Ethem Çeku e rektorit Marjan Dema lidhur me diplomimin e dyshimtë të studentes A.R. në Fakultetin e Edukimit. /Insajderi.com

Diplomimi i dyshimtë i studentës – profesoresha bën kallëzim penal ndaj rektorit Dema e dekanit Çeku