Krimet e pandëshkuara – aktakuza kundër Sllobodan Milosheviqit

11.03.2016

Në dhjetë vjetorin e vdekjes së atij që cilësohet si “Kasapi i Ballkanit”, Insajderi sjell akuzat e përmbledhura që Prokuroria ndërkombëtare për krime lufte në Hagë që kishte ngritur kundër tij.

Krimet e pandëshkuara – aktakuza kundër Sllobodan Milosheviqit

Nëse ekziston ferri, Sllobodan Millosheviq prej dhjetë vjetësh ndodhet në të. Krimet që ka kryer ai, janë më të rëndat në Evropë pas atyre të nazizmit.

Të gjitha këto krime janë lejuar dhe kryer në sy të bashkësisë ndërkombëtare. Madje, nën “mbrojtjen” e tyre siç ishte Srebrenica në Bosnjë që ishte nën zonën e sigurisë së Ushtrisë Holandeze.

Mbi 8 mijë burra dhe djem të rinj u vranë në këtë masakër.

Krime të ngjashme Millosheviqi nisi të kryente edhe në Kosovë. Por, nuk u lejua që këto krime të ishin të përmasave të Bosnjës dhe Kroacisë.

Jugosllavia që drejtohej prej tij u bombardua. Trupat e NATO-s u vendosën në Kosovë. Pak kohë më vonë Millosheviqi u arrestua dhe u dërgua në Hagë. Atje u akuzua për krimet të rënda, por nuk u shpall fajtor. Vdiq 10 vjet më parë.

Në dhjetë vjetorin e vdekjes së atij që cilësohet si “Kasapi i Ballkanit”, Insajderi sjell akuzat e përmbledhura që Prokuroria ndërkombëtare për krime lufte në Hagë kishte ngritur kundër tij.

Ai u akuzua për gjenocid; bashkëpunim në gjenocid; dëbim; vrasje; përndjekje politike, racore ose fetare; veprime çnjerëzore/zhvendosje me forcë, shfarosje; burgosje; torturë; vrasje të qëllimshme; burgosje të paligjshme; shkaktim të vuajtjes së madhe të qëllimshme; dëbim apo zhvendosje të qëllimshme; shkatërrim të gjerë dhe përvetësim të pronës, e pajustifikuar nga domosdoshmëria ushtarake dhe e kryer në mënyrë joligjore dhe pa arsye; trajtim mizor; plaçkitje të pronës publike ose private; sulme ndaj civilëve; shkatërrim ose dëmtim të qëllimshëm të monumenteve historike dhe institucioneve arsimore ose fetare; sulme të paligjshme mbi objekte civile; shkaktim të qëllimshëm të vuajtjes së madhe.

Millosheviq u arrestua më 1 prill 2001 në Beograd nga autoritetet serbe. U transferua në Tribunalin Penal të Hagës 29 qershor 2001. Paraqitja fillestare ishte më 3 korrik 2001.

racak

Krimet për të cilat akuzohet – Kosovë

Dëbim me forcë i përafërsisht 800 000 civilëve shqiptarë të Kosovës mundësuar prej një atmosfere të krijuar qëllimisht për përhapjen e frikës dhe shtypjes nëpërmjet përdorimit të forcës, kërcënimit me forcë dhe akteve të dhunës.

Vrasje të qindra civilëve shqiptarëve të Kosovës – burra, gra dhe fëmijë, që u kryen në mënyrë të gjerë ose sistematike anembanë krahinës të Kosovës.

Sulme seksual nga forcat e RFJ-së dhe Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës, në veçanti kundër femrave.

Fushatë të përhapur ose sistematike të shkatërrimit të pronave të civilëve shqiptarë të Kosovës, e cila u arrit me granatimin e gjerë të qyteteve dhe fshatrave; djegien dhe shkatërrimin e pronës, përfshirë shtëpitë, fermat, bizneset, monumentet kulturore dhe vendet fetare; dhe shkatërrimin e pronës private, që bëri fshatra, qytetet dhe rajone të tëra, të pabanueshme për shqiptarët e Kosovës.

Aktakuza e parë kundër Sllobodan Millosheviqit, Millan Millutinoviqit, Nikolla Shainoviqit, Dragolub Ojdaniqit dhe Vlajko Stojiljkoviqit, në lidhje me krimet e kryera në Kosovë, u konfirmua më 24 maj 1999 dhe u bë publike më 27 maj 1999. Kjo aktakuzë u ndryshua më 29 qershor 2001. Më 29 tetor 2001 Prokuroria paraqiti aktakuzën e ndryshuar për here të dytë. Më 5 shtator 2002, Dhoma Gjyqësore ndau procedurat gjyqësore kundër Sllobodan Millosheviqit prej të akuzuarve të tjerë.

Aktakuza në fuqi pohon se ndërmjet 1 janarit 1999 dhe 20 qershorit 1999, Sllobodan Milosheviqi mori pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale (NPK) së bashku me një numër individësh të tjerë duke përfshirë Millan Milutinoviqin, Nikolla Shainoviqin, Dragolub Ojdaniqin, Vllajko Stojiljkoviqin dhe të tjerë të njohur dhe të panjohur.

Gjatë kësaj periudhe forcat e Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) dhe Serbisë, duke vepruar nën drejtimin, me nxitjen, ose me mbështetjen e NPK-së, kryen një fushatë terrori dhe dhune drejtuar kundër civilëve shqiptarë të Kosovës. Pohohet se qëllimi i NPK-së ishte dëbimi nga Kosova i një pjese thelbësore të popullsisë shqiptare të Kosovës, me qëllim që të sigurohej vazhdimi i kontrollit serb mbi Kosovë.

Millosheviqi mban përgjegjësi individuale për krimet e deklaruara kundër tij, dhe për krimet ose mosveprimet e vartësve të tyre.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës në fjalë, Sllobodan Millosheviqi ishte Kryetar i RFJ-së, Kryetar i Këshillit Suprem të Mbrojtjes së RFJ-së dhe Komandant Suprem i Ushtrisë Jugosllave, (UJ).

Në përputhje me pozitën e tij ai ushtroi autoritet komandues mbi UJ-në dhe forcat e policisë në vartësi të UJ-së. Përveç pushtetit të tij de jure, ai gjithashtu ushtroi kontroll de facto mbi institucione të shumta kyçe ose të përfshira në kryerjen e krimeve të deklaruara në aktakuzë.

Më tej thuhet se përafërsisht 800. 000 civilë shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga Kosova duke i larguar me forcë dhe duke plaçkitur dhe shkatërruar shtëpitë e tyre ose duke granatuar fshatrat. Gjatë këtij procesi shumë u vranë dhe u keqtrajtuan dhe iu vodhën të mirat materiale dhe dokumentet e identifikimit.

kroacia

Akuza për Kroaci

Shfarosjen ose vrasjen e qindra civilëve kroatë dhe civilëve të tjerë joserbë, përfshirë gra dhe pleq, në Dal, Erdut, Klisa, Lovas, Vukovar, Voqin, Baqin, Saborsko dhe fshatrat fqinje Shkabrnja, Nadin, Bruska, dhe Dubrovnik me rrethinë.

Burgosje dhe privim nga liria në mënyrë të zgjatur dhe të përsëritur të mijëra civilëve kroatë dhe civilëve të tjerë joserbë në objekte burgimi brenda dhe jashtë Kroacisë, duke përfshirë kampburgjet në Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Dëbimin me forcë të së paku 170.000 civilëve kroatë dhe civilëve të tjerë joserbë nga territoret e lartpërmendura, duke përfshirë dëbimin e së paku 5.000 banorëve të Lokut për në Serbi, 20.000 banorë nga Vukovari; dhe zhvendosjen me forcë në vendndodhje brenda Kroacisë të së paku 2.500 banorëve nga Erduti.

Shkatërrimin e qëllimshëm të shtëpive, pronës tjetër private dhe publike, institucioneve kulturore, monumenteve historike dhe vendeve të shenjta të kroatëve dhe popullatës tjetër joserbe në Dubrovnik dhe rrethinë, Vukovar, Erdut, Lovas, Sharengrad, Bapska, Tovarnik, Voqin, Saborsko, Shkabrnja, Nadin, dhe Bruska.

Imponimin dhe mbajtjen e kushteve çnjerëzore të jetesës për të burgosurit civilë kroatë dhe për të burgosurit e tjerë civilë joserbë brenda objekteve të përmendura të burgimit.

Tortura, rrahje dhe vrasje të përsëritura të civilëve kroatë dhe civilëve të tjerë joserbë në objektet e përmendura të burgimit.

Sulme të paligjshme ndaj Dubrovnikut dhe fshatrave kroate të pambrojtura anembanë territoreve të lartpërmendura.

Akuzat për krimet në Bosnja dhe Hercegovinë

srebrenica

Vrasje të përhapura të mijëra myslimanëve të Bosnjës gjatë dhe pas marrjes nën kontroll të territoreve brenda Bosnjës dhe Hercegovinës.

Vrasjen e mijëra myslimanëve të Bosnjës në objektet e burgimit brenda Bosnjës dhe Hercegovinës.

Shkaktim të dëmtimit të rëndë trupor dhe mendor ndaj mijëra myslimanëve të Bosnjës gjatë kohës së qëndrimit të tyre në objektet e burgimit brenda Bosnjës dhe Hercegovinës.

Burgosjen e mijëra myslimanëve të Bosnjës në objektet e burgimit brenda Bosnjës dhe Hercegovinës në kushte jetese të llogaritura për shkatërrimin fizik të një pjese të atyre grupeve, nëpërmes urisë, ujit të ndotur, punës së detyruar, kujdesit mjekësor të papërshatshën dhe sulmeve të përhershme fizike dhe psikologjike.

Shfarosje, vrasje dhe vrasje me paramendim të joserbëve, kryesisht të myslimanëve të Bosnjës dhe kroatëve të Bosnjës që jetonin në territoret në Banja Llukë, Bihaq, Bijeljin, Bileqa, Bosanska Krupa, Bosanski Novi, Bosanski Shamac, Bratunac, Brçko, Çajniçe, Doboj, Foça, Gacko, Sarajev (Ilijash), Kljuç, Kalinovik, Kotor Varosh, Nevesinje, Sarajevo (Novi Grad), Prijedor, Prnjavor, Rogatica, Sanski Most, Srebrenica, Tesliq, Vishegrad, Vlasenica dhe Zvornik.

Trajtim mizor dhe çnjerëzor i civilëve myslimanë të Bosnjës, kroatë të Bosnjës, dhe joserbëve të tjerë. Këto trajtime çnjerëzore përfshinë dhunë seksuale, torturë, keqtrajtim fizik dhe psikologjik dhe ekzistencë e detyruar në kushte çnjerëzore të jetesës, po nuk kufizohen vetëm në këto.

Imponim i masave shtrënguese dhe diskriminuese kundër myslimanëve të Bosnjës, kroatëve të Bosnjës dhe joserbëve të tjerë, si kufizimi i lirisë së lëvizjes; largimi nga pozitat me autoritet në institucionet qeveritare vendore dhe të policisë; largimi nga puna; bastisje arbitrare të shtëpive të tyre; refuzimi i të drejtës së procesit gjyqësor dhe refuzimi i së drejtës për barazi në përdorimin e shërbimeve publike, duke përfshirë kujdesin e përshtatshëm mjekësor.

Zhvendosje dhe dëbim me forcë të mijëra civilëve myslimanë të Bosnjës, kroatë të Bosnjës dhe joserbëve të tjerë për në vendndodhje jashtë territoreve të mbajtura nga serbët.

Shkatërrim të qëllimshëm dhe të paarsyeshëm të shtëpive dhe pronave të tjera private dhe publike të myslimanëve të Bosnjës dhe kroatëve të Bosnjës, të institucioneve të tyre kulturore dhe fetare, të monumenteve historike dhe vendeve të tjera të shenjta.

Pengim të ndihmës humanitare, në veçanti të furnizimeve mjekësore dhe ushqimore në enklavat e rrethuara Bihaq, Gorazhde, Srebrenica dhe Zhepa, dhe lënien pa ujë të civilëve të mbërthyer në enklava, të formuara për krijimin e kushteve të padurueshme të jetesës.

Gjykimi i Millosheviqit filloi më 12 shkurt 2002. Procedura gjyqësore përfundoi më 14 mars 2006, tri ditë pas vdekjes së tij.

Më 16 qershor 2004, pas përfundimit të paraqitjes së argumenteve nga Prokuroria, Dhoma Gjyqësore gjykoi se kishte dëshmi të mjaftueshme në mbështetje të çdo akuze në të tri aktakuzat.

Dhoma Gjyqësore gjithashtu gjykoi se nuk kishte ose kishte dëshmi të pamjaftueshme në mbështetje të disa deklaratave që kishin lidhje me disa nga akuzat në aktakuzat për Kroacinë dhe Bosnjë Hercegovinën.

milloshi

Sllobodan Millosheviq

Kryetar i Serbisë nga 26 dhjetori 1990.

Kryetar i Republikës Federative të Jugosllavisë (RFJ-së) nga 15 korriku deri më 6 tetor 2000.

Si Kryetar i RFJ-së ai gjithashtu ishte Kryetar i Këshillit Suprem të Mbrojtjes së RFJ-së dhe Komandant Suprem i Ushtrisë Jugosllave, i lindur më 20 gusht 1941 në Pozharec, Serbi dhe Mali i Zi.

Vdiq më 11 mars 2006. /Insajderi.com