Krim dhe Turp – historia e mijëra veteranëve të rrem të UÇK-së

Mijëra mashtrues që morën status veterani të UÇK-së janë përligjur nga Qeveria e Kosovës. Paratë që do të duhej të ndaheshin në mes të veteranëve të vërtetë tash do të duhet të ndahen me këta mijëra kriminelë, disa prej të cilëve as që kanë qenë në Kosovë kur ndodhi lufta e fundit. InDoks transmetoi dokumentarin “Krim dhe Turp”, që është një hulumtim për një mashtrim në një shkallë masive. Ndoshta mashtrimi më i madh i pasluftës në Kosovë.

Krim dhe Turp – historia e mijëra veteranëve të rrem të UÇK-së

“Institucionet duhet ta ndryshojnë Ligjin për Veteranët…. Ky ligj nuk duhet ti ndaj ata që nuk i ndau as lufta e as vdekja”, thoshte Rrustem Berisha.

Ky nuk është ndonjë opozitarë. As veteranë i varfër e lënë pas dore. Është hiç më pak se sa Ministri i Forcës së Sigurisë që mëton të bëhet Ushtria e Kosovës. FSK-ja është pasardhëse e TMK-së që ishte transformimi direkt i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës- UÇK, por Ministri i Qeverisë Haradinaj po thotë që Ligji për Veteranët nuk është i mirë.

Këtu e gjeni dokumentarin “Krim dhe Turp”

 

Rrustem Berisha, një komandant lufte po ri-hapë një temë të vjetër sa vetë lufta e fundit e Kosovës- përplasjen në mes të UÇK-së së Likocit dhe UÇK-së tjetër. Asaj që njihej edhe si Forcat e Armatosura të Kosovës, ose veç FARK-u. Një konflikt në mes të Krahut të Luftës dhe pacifistëve të Ibrahim Rugovës.

Por, më shumë se sa kaq, ai fjalim i Rrustem Berishës pikërisht në një ditë kur po kujtoni një betejë të lavdishme të UÇK-së, atë të Kosharës, po shfaqte atë që mund të konsiderohet edhe si njëri nga krimet më të mëdha financiare të pasluftës. Ky FARK-ist po “gjuhej” më fjalë më “UÇK-ashat” për listën e veteranëve.

InDoks në dokumentarin “Krim dhe Turp” ka trajtuar pikërisht këtë temë, për të cilën një dihet me siguri- lista e veteranëve të UÇK-së është fryrë për së paku 100 %. Që keqpërdorimi me letrat për veteranë nga Komisioni Shtetëror për këtë punë ishte industrial. Ishte edhe e turpshme.

 

Diçka si vjedhja e votave në Drenicë më 2010-ën.

EULEX- bën hapin e parë kudër veteranëve mashtrues

RagipMustafa është një biznesmenë kontrovers tenderësh në Kosovë. Ka marrë miliona euro tenderë publikë, në fillim kryesisht nga Qeverisa e LDK-së në Prishtinë, por më vonë zingjirin  e profiteve nuk ia ndali as Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes. Por, nuk i mjaftuan. Ai dëshiron të bëhet edhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E për këtë në media ishin publikuar deklarime të ushtarëve të vërtetë të UÇK-së që thanin se ai madje nuk ishte as në Kosovë kur ndodhi lufta. Iku në Maqedoni.

Por, ky nuk është i vetmi veteranë i dyshimtë i UÇK-së. E sidomos jo nga Zona e Llapit, që drejtohej nga RrustemMustafa i PDK-së, i njohur si Komandant Remi.

Kohë më parë ishte publikuar një listë prej rreth 100 emrash që cilësoheshin si ushtarët mashtrues të Llapit. Për të mos i lënë asgjë imagjinatës, në këtë listë u gjenden edhe dy vëllezërit e Komandant Remit, Bedri e Gani Mustafa.  Ky komandat nuk është pajtuar që të japë një intervistë për këtë dokumentar.

E, ankesat për keqpërdorime me listat e veteranëve, për atë se iu dha ky epitet njerëzve që kurrë nuk iu bashkuan rrodheve të UÇK-së janë krejt të zakonshme në çdo cep të Kosovës.

Javë më parë u mbajt edhe një protestë tjetër para Dyerve të Qeverisë së Komandant Rambos, tash Kryeministër RamushHaradinaj.

Haradinaj i priti këta luftëtarë të UÇK-së që kishin një hall, se po fryhen listat e veteranëve, por dyert ua mbylli mediave.

Dhe, veteranët dolën të bindur para Kryeministrit. Se çka iu tha ai e çka i thanë këta të pakënaqur e dinë veç këto dy palë, por versioni i njërës është se së paku ata presin që të themelohet edhe jë komision tjetër për të parë përsëri se ku u frynë listat. Deri tash asgjë konkrete nuk ka ndodhu.

Dhe, kryeministra kosovarë kanë pritur e përcjellë protestues veteranë të UÇK-së. Pionier në këto protesta, si veteran i pakënaqur fillimisht me pozitën e këtyre të fundit, e më vonë edhe për keqpërdorimet më listat e tyre, është XhevdetQeriqi.

Në një intervistë për InDoksQeriqi thotë se beson që ka reaguar me kohë për këtë fenomen, dhe për këtë ka një arsye krejt humane.

“Ne qysh në fillim e kemi kuptuar se ka parregullsi edhe kemi reaguar ka dy vite ndoshta edhe më tepër se po bëhet parregullsi nga ana e Komisionit Qeveritar po për fat të keq kjo punë ka vazhduar edhe sot kemi ardhë në këtë gjendje ku numri është rrit tepër shumë. Do të thotë numri është rritur tepër shumë dhe dikush duhet të jap përgjegjësi për fryrjen e këtyre listave sepse na ka dëmtuar neve si ushtar, na ka dëmtuar imazhin po ashtu edhe buxhetin e vërtet të luftës së UÇK-së edhe në anën tjetër e ka dëmtuar secilin qytetarë taksa pagues të këtij vendi sepse padrejtësisht po përfitojnë”, thotë Qeriqi.

E pikërisht, për dëmtimin e buxhetit të shtetit Prokuroria kosovare ka nisur tashmë një hetime mbi dyshimet për fryrjen e listave të veteranëve. Prokurori i këtij rasti, ElezBlakaj, megjithëse nuk u pajtua që të dalë para kamerës për një intervistë, thotë se hetimi i tij është në një fazë të rëndësishme.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftoj se, në fazën në të cilën ndodhemi nuk mund te ndajmë asnjë informacion lidhur me rastin dhe për këtë kërkojmë mirëkuptim. Krejt çfarë mund t’ju themi është se, jemi duke punuar intenzivisht dhe me seriozitet maksimal!”, ka thënë për InDoks Prokurori Blakaj.

Por, derisa Prokurori kosovar po heziton të flas, një Prokuror i EULEX-it tashmë ka ngritur aktakuzën e parë për keqpërdorime me lista e veteranëve. Në këtë aktakuzë janë përfshirë gjashtë persona: Sheremet Jashari, AbdullahRamën, NaserVeseli, FranqeskSelmanajVeselAruqaj dhe Bajram Sinani. Akuzat kundër tyre nisin me trafikim ilegal i armëve të rënda, përfshirë këtu edhe eksplozivëve, e vazhdojnë te mundësimi i shtrimit të prostitucionit. Sipas Aktakuzës së Prokurorit të EULEX-it së paku njëri nga anëtarët e këtij grupi ka keqpërdorur një vajzë të varfër duke e shitur tek shokët e tij për seks për një çmim prej 30 deri në 50 euro.

Ky grup njerëzish, që në përbërje ka edhe NaserVeselin, kushëri i KryeparlamentaritKadriVeseli, akuzohet se ka mashtruar dhe ka ushtruar ndikim tek autoritet kosovare që të japin certifikata veteranësh për njerëz që kurrë nuk ishin pjesë e UÇK-së.

“Të pandehurit pretendohet se kanë ushtruar ndikim në mënyrë që të siguronin statusin dhe më pastaj edhe pensionin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së në këmbim të një pagese deri në një mijë euro. Të pandehurit kësisoj e kanë dëmtuar buxhetin shtetëror të Kosovës”, thotë Prokurori i EULEX, dhe tregon se madje dhe njëri nga këta persona e falsifikoi për vete statusin e veteranit të UÇK-së.

Por, sipas Prokurorit të EULEX-it ky grup njerëzish, që ka kriminelë në të që nisin prej atyre që pretendojnë të jenë pjesë e organizatës terroriste si Armata Kombëtare Shqiptare e deri te transportues të rrezikshëm armësh, ka përdorur edhe lidhjet e tyre për të krijuar veteranë të rrejshëm të UÇK-së.

Kur ky grup u kap në janarin e viti 2016 kishin me vete në një furgon hiç më pak sesa 12 kilogramë eksploziv TNT dhe një arsenal tjetër armësh të gjata e municion të mjaftueshëm për të luftuar edhe me Njësinë Speciale.

Megjithëkëtë ky grup që në përbërje ka edhe një kushëri të Kadri Veselit nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë u la i lirë vetëm një ditë pas u kap. Edhe Veseli është me prejardhje nga Mitrovica.

NATO-s iu tha që ishin veç 13 mijë luftëtarë të UÇK-së

Derisa EULEX- veç ka bërë hapin e parë kundër veteranëve mashtrues të UÇK-së, Prokuroria Kosovare ende është duke vazhduar hetimin.

XhedetQeriqi që përfaqëson veteranët, qoftë edhe në protesta, thotë se i ka ndihmuar këtij hetimi.

“Po unë kam qenë në një takim të rastësishëm pastaj jam ftuar i ka diku dy tri javë, nga ana e hetuesve të prokurorisë së shtetit edhe e kam dhënë një deklaratë ku jam shprehur se jam i gatshëm të bashkëpunoj me ta për t’i pastruar këto lista edhe e kam dhënë një deklaratë të lehtë për ta zbardhur të vërtetën”, thotë ai.

Por, qysh sipas Qeriqit mund të zbardhet keqpërdorimi me listat e veteranëve?

“Unë ju kam thënë se janë dëshmitë janë arkivat e shtabit të TMK-së, në të cilën janë dëshmitë, po ashtu ka arkiva edhe në shoqatat  dalura nga lufta ku ka dëshmi të mjaftueshme ku luftëtarët e vërtet janë regjistruar që nga përfundimi i luftës aty. Janë prek ato arkiva, mirëpo brenda atyre arkivave nuk kanë mund të shtohe lista shtesë, sepse aty ekzistojnë shumë dokumentacione të luftës kështu që nuk mundet të shtohen tjera dokumentacioni sepse janë mbyllur protokollet në atë kohë.

Unë jam vetë përfaqësues i shoqatave të dala nga lufta, jam nënkryetar i shoqatës së invalidëve të luftës në Fushë Kosovë edhe unë e kam arkivin prej pas luftës deri më sot. Çdo invalid shtesë që vjen ai nuk ka për bazë tjetër përveç dëshmisë që ka marr nga komisioni qeveritar, pra janë arkivat janë vërtetimet për secilin anëtar, vërtetimet e Shtabit të Përgjithshëm që ka qenë në luftë, prej përfundimit të luftës kurse anëtarët e ri që vijnë tash ata nuk kanë tjetër dëshmi përveç certifikate”, shpjegon ai.

Më herët ishte sugjeruar edhe një vijë tjetër e hetimit. Menjëherë pas luftës në Kosovë në procesin e rehabilitimit të veteranëve të UÇK-së ishte kyçur Organizata Ndërkombëtare për Migrim- IOM-i. Ajo po bashkëpunonte me Agim Çekun, si Komandant kryesor i UÇK-së në fund të luftës. E Çeku po bashkëpunonte me të gjithë.

Këtu e gjeni dokumentarin “Krim dhe Turp”

Në InDoks janë shfaqur pamje nga arkivi ku Ceku po i dorëzonte armë te organizatat ndërkombëtare, si NATO, por te NATO dhe organizata tjera ai dorëzoi edhe diçka tjetër- një listë veteranësh. E në atë listë, të cilën më vonë e citonin edhe raportet e IOM-it ishte e mbushur me emrat e afro 13 mijë veteranë. Jo më shumë.

Në listën që Çeku ia kishte dorëzuar KFOR-it thuhet se Shtabi i Përgjithshëm kishte 39 pjesëtarë, Zona Operative e Drenicës – 2.611, ajo e Pashtrikut – 1.715. Zona e Dukagjinit kishte gjithsej 1.537 pjesëtarë. Ajo e Shalës – 1.253. E Llapit – 4.523. Zona e Nerodimes kishte 1.253. Ajo e Karadakut kishte veç 347 pjesëtarë. Batalioni 1/60 kishte 110, derisa Qendra Shkollore kishte 30 pjesëtarë. Brigada 200 e Logjistikës kishte 40 pjesëtarë.

Por, numri do të fillonte të rritej që në vitin e parë pasluftës.

IOM-i kishte nisur joshjen e veteranëve të UÇK-së që pranoni ti dorëzonin armët e ti ktheheshin jetës tjetër, jashtë saj të ushtrisë, që do ti ndihmonte. Për vetëm pak muaj të viti 1999 pra nga qershori në shtatorë, IOM-it i dolën afro 25 mijë njerëz që dëshironin të demilitarizoheshin nga UÇK-ja për t’iu bashkuar qoftë jetës civile apo edhe Trupave të Mbrojtëse të Kosovës, Shërbimit Policor të Kosovës.

Agim Çeku që ka udhëhequr edhe Komisionin Qeveritar për Verifikimin e status të kategorive të luftës, këtu përfshirë edhe atë të veteranëve, në fillim është pajtuar që të intervistohej për këtë dokumentar. Por, pas protestës para Qeverisë të veteranëve që akuzojnë se ka fryje të listave, ai është tërhequr nga marrëveshja.

Çeku, dikur nga njerëzit më me ndikim në vend si Komandant i TMK-së e Kryeministër i kohëve të vështira, e tash i degdisur veç si njëri nga dhjetëra zëvendësministrat e RamushHaradinajt, kishte paraqitur si të vërteta edhe listën prej 13 veteranësh në KFOR. Ai më 2015-ën e paraqiti si të vërtet po ashtu edhe listën prej mbi 30 mijë veteranësh që nxori komisioni i tij.

E lista tash veç po rritet çdo ditë. Ajo mund të ketë mbërri tash në 45 mijë veteranë, derisa një listë përfundimtare ende nuk është publikuar. Edhe listat paraprake janë hequr nga faqja e Komisionit Shtetëror.

Por, Agim Çeku përtej punës si kryetar komisioni, i një komisioni që po i përmendët ryshfeti për një kartelë veterani, nuk ka qëndruar kurrë larg përfitimeve të parasë publike.

Në kohën sa ishte pak më në pozitë se sa tash, Ministër i Forcës së Sigurisë kjo ministri i kishte dhënë tenderë milionësh kompanisë “Katana”, që është në pronësi të Kryetarit të Obiliqit, XhaferGashi. Ky tender ishte dhënë në vitin 2013 dhe u hetua nga Antikorrupsioini, por tenderët e FSK-së për Gashin që në kur Agim Çeku ishte kryeministër i vendit, më 2006, ishte përgjegjës për sigurinë e tij nuk u ndalën aty. Kjo ministri nënë drejtimin e Agim Çekut i kishte dhënë në vitin 2014 “Katanës” një tender afri 1/5 milonë euro për të blerë autoblinda. Procedurat ishin sekrete për publikun.

Matematika e çuditshme e veteranëve të UÇK-së

InDoks ka intervistuar për këtë dokumentar njerëz që u përkasin sot grupeve të ndryshme, poqë që në luftë besohet se i përkisnin krejt UÇK-së. Krejt ishin luftëtarë të lirisë. Por, Matematike e tyre kur flasin për numrat e veteranëve të vërtetë të kësaj ushtrie, është së paku e çuditshme.

Ajo nis nga vlera të përafërta me listat që Agim Ceku ia kishte dorëzuar NATO-së, dhe përfundon më disa mijëra veteranë më shumë, por asnjëri nuk pajtohet se UÇK-ja i kishte 35 mijë ushtarë, as 45 mijë.

“Numri maksimal mund të jetë 15 mijë deri në 17 mijë veteranë luftëtar. Ky është numri edhe besoj që ekzistojnë edhe arkivat, edhe në bazë të arkivave të pas luftës del edhe numri, tash sa është numri nuk e di sektë se edhe tash po vazhdon sa kom njohuri që njerëzit të marrin certifikata në Qeveri”, thotë XhevdetQeriqi.

Tjetër numër ka Haxhi Shala, Deputet i Nisma Socialdemokrate.

“Nuk janë 16 mijë janë 40 e diçka mijë po edhe kaq jonë shumë, po nuk është që e kanë rrit veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët janë qëndruar në Kosovë, nuk e kanë rrit ata numrin.Numrin e kanë rrit disa struktura që kanë qenë në Shqipëri në Perëndim”, thotë Shala

E Anton Quni, Deputet i LDK-së, sillet kah numri që përmend Qeriqi.

“Suke marr parasysh disa parametra e tjera aq sa njohuri sa kemi shkëmbejm informata me kolegë dhe shokë të mi, llogaria del diku rreth 15 mijë, maksimumi, për meritojnë ta kenë trajtimin e veteranët luftëtarë”, thotë ai.

E HysniGucati, Kryetar i OVL të UÇK-së i shton edhe disa mijëra veteranë.

“Ne nuk guxojmë me thanë që numri i veteranëve nuk ka qenë deri në 25 mijë është edhe logjistika është edhe mjekësia janë të gjitha mirëpo sido që të jetë për mu kish muajt me qenë 25 mijë se aty hyjnë edhe dëshmorët edhe invalidë”, thotë ai.

Dhe, për krejt këtë dallim kaq të madh, për futje të mijëra e mijëra vetave në lista, Prokuroria Kosovare ka nisur një hetim. Gishti është drejtuar kah Komisioni shtetëror.

E ai komision udhëhiqej nga ky profil njerëzish: Agim Çeku, i lidhur fortë me tenderë milionësh të FSK-së.

Sami Lushtaku, me disa aktakuza, jo pak prej tyre edhe për korrupsion.

SadikHalitjaha, që haptazi kishte arsyetuar shkeljen e Ligjit për Veteranët, duke thënë që të tillë nuk janë veç ata me pushkë në krah.

Shkumbin Demaliaj, deputet i artisë së Kryeministrit që edhe nga kolegët deputet akuzohet se ka mashtruar me listat e veteranëve.

Pastaj nga Shukri Buja, që po ashtu është akuzuar edhe për korrupsion nga Prokurori.

Dhe, lista është e gjatë. Dhe e çuditshme.

Por, ata tashmë e kanë përfunduar punën e tyre. E, megjithatë listën nuk e kanë dorëzuar të plotë tek Shoqata e Veteranëve.

“Mirëpo kam dëgjuar listat nuk i kam pa por kemi dëgjuar se janë mbi 46 mijë veteranë të luftës”, thotë ai dhe premton se do ta publikojë këtë listë nëse ndonjëherë i vije nga Komisioni Qeveritar.

E komisioni, tash pasi që ka përfunduar mandati i anëtarëve të saj të angazhuar sipas zonave, dhe njësive tjera vartëse të UÇK-së, pothuajse është jo-aktiv.

“Ju njoftojmë se Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e Statusit te Dëshmorit te Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo te internuarit te UÇK-se nuk është funksional qe nga data 20 maj 2016, kur dhe ka mbaruar procesi i verifikimit. Ky Komision, është mbledhur me mandat 1 mujor ne Janar 2017, me kërkesë te KM Isa Mustafa. Pra ky Komision nuk ka mandat dhe nuk ka zyre te caktuar ne Qeveri.”, thuhet në një përgjigje për InDoks nga kontaktet publikë të këtij komisioni.

Por, ky komision po vazhdon të lëshojë vendime.

Derisa në Zyrat e Shoqatave të UÇK-së thonë se numri i veteranëve nuk mund të kalojë shifrën 25 mijë, pikërisht në këto zyra tashmë numri i kartelave të veteranit të lëshuara nga ta ka arritur në 35 mijë. Kjo pasi që mijëra njerëz që nuk ishin kurrë në listat e shoqatave të veteranëve tash kanë një vendim nga Komisioni i Agim Çekut dhe Shoqata e Veteranëve është e obliguar të iu printojë kartela veterani.

Kjo është dhoma e vogël ku janë lëshuar 35 mijë kartelave veterani. Dhe, po në këtë dhomë është edhe Arkivi i veteranëve dhe kategorive tjera të dala nga lufta e UÇK-së që për herë të parë para publikut e sjelli ky dokumentar.

Listat që i fryu Politika, ai heton Prokuroria?

Dihet për fakt të pamohueshëm që tashmë listat e veteranëve të UÇK-së janë të fryra. Janë shumë të fryra, për mijëra a e mijëra njerëz më shumë, për mbi 100 % më shumë. Por, si e sheh krejt këtë rritje të numrit të veteranëve kryetari i Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së?

“Kjo pyetje është mirë me ju drejtu edhe zyrës së kryeministri edhe pse nuk dorëzohen listat në organizatën e veteranëve pse nuk jepet numri i saktë i veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve.

Unë i kam kërku s’di sa herë më kanë thënë se nuk i kanë përfunduar ende nuk janë nënshkruar prej të gjithë komandantëve prej të gjitha zonave gjoja kur të nënshkruhen ne do t’i dorëzojmë listat. Ne këtë e kemi kërkuar me herët jo tash kur është Ramushi por kur ka qenë Isa Mustafa”, thotë HysniGucati.

Ai thotë se ka bashkëpunuar edhe me dokumente me Prokurorinë, por druan se hetimi do të ndikohet politikisht.

“Unë kam deklaruar edhe ma herët prokuroria ka qenë edhe i kam dorëzuar nja katër CD e unë këtu shoh se edhe politika është përzier, prej të gjitha subjekteve politike janë përzier, faj kanë gjithë, këtu nuk është kurrkush pa faj. Fajin do ta ndajnë të gjithë bashkërisht, unë kam thanë prapë e them: Prokuroria le të fillon prej meje edhe pse kam ardhur si kryetar qe një vit e tre muaj, le të fillon prej Gucatit e teposhtë, unë nuk i iki përgjegjësisë prej meje kam dëshirë me fillu”, thotë ai.

E Politikanët tashmë e kanë pranuar që ishin pjesë e aferës së fryrjes së listave. Kështu, KadriVeseli që udhëheq me PDK-në vitin e kaluar në foltoren e kuvendit e pranoi se ishin fryrë listat për nevoja politike.

“Ti po mendon që janë fry listat a? Janë fry shumë. Unë kom qenë pjesë e koalicionit të kalum. A e din sa e sa lista janë fryre nga partia e juaj. Me qindra vetë. Të cilët kurrë nuk kanë qenë në luftë. E kemi bërë për hir të pajtueshmërisë. Edhe dëgjo, i kemi mbyllur të gjithë sytë”, kishte thënë Veseli, siç kishte transmetuar Insajderi.

Edhe deputeti I LDK-së që së fundi ka pasur përplasje të ashpra me njerëz të fuqishëm të PDK-së, siç është XhavitHaliti ka një shpjegim se si ndodhi keqpërdorimi me listat e veteranëve.

“Është shumë i ekzagjeruar ky numër, është problem me fol me shifra të sakta sepse asnjëherë në përgjithësi nuk është bërë një evidentim i saktë edhe një kategorizim i saktë…Është kompremituar komplet procesi nga motive të ndryshme duke filluar nga ajo që zëmë se ka pas edhe shitje të certifikatave, ka pas dëshmi të rrejshme ndoshta ka pas edhe për çështje të votave disa parti kanë siguruar votat për zgjedhje lokale, zgjedhje nacionale”, thotë Quni.

E kolegu i tij nga partia në pushtet, Nisma Socialdemokrate, Haxhi Shala, ka një shpjegim krejt tjetër se pse listat e veteranëve janë ashtu siç janë.

“Ka pas edhe struktura tjera që kanë ndejt në Shqipëri, edhe FARK-u, për shembull nuk ka pasur FARK kurrë në jetën teme s’ka pas në furnizimin e armatimit, po edhe ministria e mbrojtjes, Bujar Bukoshi, ministria tjetër edhe plus mundem me përgjegjësin më të plotë them prapë është shkel ligji, ligji thotë që brenda njësiteve të territorit të Kosovës….Ata kanë qenë pjesë se pa logjistik s’mundet mu bo lufta se ligji thotë se veteranë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të jetë vetëm ai që ka qenë në territorin e Kosovës edhe në formular shkruhet se duhet t’i plotësoj cilat janë qenë disa beteja, e si e kanë bërë ata le të merret prokuroria edhe për mendimin tim është duke u vonuar”, thotë Shala.

Por, për futjen në lista të njerëzve nga strukturat jashtë atyre që direkt luftuan në Kosovë, deputeti i LDK-së, Anton Quni thotë se kjo nuk ndikon shumë por, para kësaj ai duket që po flet për atë që kishte thënë KadriVeseli- për një marrëveshje politike për ti fryrë listat.

“Kur është miratuar ligji është paraparë që një përfaqësues në kuadër të komisionit të jetë edhe një përfaqësues që i mbron interesat e ministrisë së mbrojtjes që ka qenë Rrustem Berisha ish komandant i “Birgadës 138” tani aty në bashkëpunim me kolegët, me krejt anëtarët e komisionit në pajtueshmëri me kryetarin e komisionit në atë kohë gjeneralit Agim Çeku është arritur pajtueshmëri që të gjithë ta kenë trajtimin e njëjtë do të thotë si struktura komanduese e shtabit të përgjithshëm po ashtu edhe e ministrisë së mbrojtjes do të thotë kjo ka qenë një lloj paralele, po nuk është numri i zyrtarëve i ministrisë së mbrojtjes që ka ndikur në rritjen e numrin të përgjithshëm, mirëpo ma me kompetencë mund ta thotë koloneli Rrustem Berisha, do të thotë kanë qenë diku rreth 80 zyrtarë”, thotë ai.

E për kryetarin e Veteranëve, as këta 80 persona nuk duhej të ishin në listën e veteranëve, por në një listë tjetër.

“FARK s’ka ekzistuar asnjëherë, këtu ka qenë vetëm Ushtria Çlirimtare e Kosovës, edhe në Koshare edhe ata të cilët i thonë vetit FARK te na janë të anëtarësuar. Se ata janë me llogo të UÇK-së edhe “Birgada 138” kanë qenë UÇK janë edhe të gjithë janë anëtar të organizatës sonë , veteranë janë, bile ka edhe prej atyre të “3 %” që janë veteranë lufte.

Ata munden me qenë pjesëmarrës në luftë jo veteranë lufte, ka edhe prej atyre “Vendlindja Thërret”, ata duhet me kanë pjesëmarrës, nuk krahasohet me ata në pushkë në krahë.

Fort mirë ligji e thotë aty, “veteranë i luftës mundet me qenë vetëm ai që ka qenë me uniformë edhe mu pushkë në krahë ai mundet me qenë veteranë lufte””, thotë Gucati.

Listave të veteranëve u përmendet edhe ryshfeti

Ky deputet i Nismës Socialdemokrate kohë më parë ka pasur një akuzë publike se ka manipuluar personalisht me listat për veteranë të UÇK-së. U publikuan edhe disa biseda në aplikacionin “Viber” se ai po shishet dokumente që mundësojnë statusin e veteranit.

Shala, ka një shpjegim tjetër.

“Ato kanë qenë të falsifikuara kanë qenë të një ushtari tonë, edhe gjithçka çka ka qenë aty është e falsifikuara edhe ajo ka shkuar edhe në Polici, sepse aty ku është nënshkrimi i jem nuk është pa kanë edhe tre nënshkrime”, thotë ai

Ai ka madje sugjerim për Prokurorinë se si të vazhdojë hetimin për veteranët e dyshimtë.

“Një mund të them lirshëm se në komisionet të cilat kanë vepruar të gjitha ato aplikacione, tash po thonë jo prokuroria, por lehtë e ka prokuroria me punu: të gjitha aplikacionet janë të nënshkruara nga komandanti i kompanisë, i batalionit, i brigadës tani vjen komandanti i zonës”, thotë Shala

Dhe, sipas këtij deputeti cilat janë ato dokumente përkatëse për veteranë të UÇK-së që nuk janë të falsifikuara?

“Të gjitha aplikacionet të cilat nuk i kanë tri nënshkrimet më së paku atëherë ato aplikacione janë të falsifikuara”, thotë ai.

Haxhi Shala kishte nënshkruar madje edhe aplikacionin e dikur dëshmitarit bashkëpunues të EULEX-it, Nazim Bllaca duke thënë se i njëjti ka qenë pjesëtar i UÇK-së dhe nuk e paragjykon për atë se çka ka bërë ai pas luftës.

Por, një tjetër veteranë i UÇK-së thotë se Komisioni Shtetëror për veteranët i Agim Çekut ka çuar përpara edhe aplikacione që nuk i kanë krejt ndëshkimet, Që, rrjedhimisht janë të dyshimta.

“Kanë qenë tri faqe, është dashur që faqja e parë të plotësohen të dhënat e secilit aplikues, faqja e dytë të dhënat të cilat i shënon aplikuesi për strukturën komanduese që kanë qenë në luftë edhe faqja e tretë ka qenë e cila është dashur të plotësohet nga ana e komisionit dhe të nënshkruhet nga kryetari i komisionit. Në bazë të informacionet që kam unë asnjë aplikacion nuk është plotësuar nga ana e komisionit, faqja e tretë dhe nuk është nënshkruar nga kryetari i komisionit.

Është edhe shkelje e ligjit sepse në bazë të ligjit është dashur ta nënshkruajnë secilin aplikacion”, thotë XhevdetQeriqi.

E, si shkuan tutje këto dokumente të pa plotësuara? Përgjigja është te ryshfeti.

“Ne kemi pas diskutime të përditshme me bashkëluftëtar, flitet çdo kund që është ba ryshfet edhe është keqpërdor ajo zyrë për qëllime të caktuar, për përfitime të njerëzve të caktuar sidomos anëtarëve të komisionit”, thotë XHevdetQeriqi.

E HysniGucati që udhëheq me veteranët në shoqatat e tyre, pos që e akuzon Komisionin e Agim Çekut se e ka tejkaluar ligjin kur në të ka futur si veteranë madje edhe njerëzit e Fondeve si ai i “3%-shit” dhe “Vendlindja Thërret”, për përgjegjësi përfundimtare për fryrjen e listave edhe para drejtësisë gishtin e drejton kah Agim Ceku dhe vartësit e tij.

“Komisioni me sa di unë, me sa e dinë edhe ata e kanë tejkaluar pak. Unë s’po them, familjet që e kanë dhanë kontributin për ta, atyre që kanë qenë të burgosur.Për 100 % të rritjes duhet t’i drejtohesh atyre vetë, këtë numër e din Agim Çeku edhe komandantët e zonës edhe komisioni qendror edhe Qeveria”, thotë Gucati

Por, ai duket se pak u del në krah bashkëluftëtareve të tij nga Komisioni Shtetëror kur bëhet fjalë për akuzat se ka pasur edhe të mitur që janë bërë veteranë.

“15-vjeçar e gjysmë ka, ma poshtë se 15 s’ka, pse s’ka se sistemi nuk i lejon me hy në pagë, sistemi i Kosovës 83-shin, 84, 85 nuk i lejon me hy në pagë të veteranëve, 85 edhe 84 nuk k, shtatë vjeçar s’ka, ata djemtë janë dal kanë protestu edhe nuk e kanë ditë çka po lypin. Ka ushtarë që 16-vjeçar ka ra dëshmorë”, thotë ai.

InDoks ka shfaqur pamje ekskluzive ku ushtarë të UÇK-së në kohë të lirë po luanin dhe bënin edhe shaka. Si ajo kur njëri po e fitonte lojën në shah de i thoshte bashkëluftëtarit “Do ta humbësh këtë lojë sikur Serbia që e ka humbur Kosovën”.

Këta ushtarë të Njësisë Speciale të UÇK-së kur po e bënin këtë shaka nuk e kishin idenë që moshatarë të tyre që në atë kohë po shëtitshin rrugëve të Perëndimit do të merrnin një ditë një certifikatë që i bënte ata luftëtarë të lirisë po aq sa edhe këta që ishin të vërtetë.

As këta bashkëluftëtarë të tyre që po tentonin ta largonin stresin e luftës me vallëzim shumë modern, së paku për atë kohë, pamje këto të shfaqura për herë të parë në InDoks, nuk e mendonin që dikush që jashtë Kosovës po vallëzonte njëjtë si ta, por pa uniformë të UÇK-së e pa frikën se do të vritej, do të barazohej 20 vite më vonë.

Por, kjo ka ndodhur. Listat e veteranëve të UÇK-së janë fryrë mbi 100 % e mijëra e mijëra njerëz që kurrë nuk ishin pjesë e këtij grupi gueril do të marrin pensione si ata që luftuan vërtetë. Edhe nëse duhet të falimentohet buxheti i shtetit. Edhe nëse duhet të ipet ryshfet. Edhe nëse duhet gënjyer në publik.

“Unë mendoj se prokuroria duhet ta bëjë punën e vetë, t’i ketë duart e lira edhe ta zbardh të vërtetën për shumë arsye, sepse po dëmtohet imazhi ynë, po dëmtohet buxheti i Republikës së Kosovës edhe po përfitojnë njerëz pa dhënë pa asnjë kontribut”, thotë XhevdetQeriqi.

“Jam pak në ngjarje rreth numrit si ka shkuar ky proces në Kroaci edhe atje në disa momente ka pas disa ekzagjerime por procesi është rishikuar edhe pas rishikimit kanë dal me një numër më të përafërt me realitetin që kanë pas edhe ata gjatë luftës, kështu që edhe i njëjti proces mund të na pres edhe ne, kuptohet nëse në mënyrë industriale është ekzagjeruar numri atëherë është më e natyrshme që ky proces të rishikohet” thotë deputeti i LDK-së, Anton Quni

“Le te ndajmë shapin prej sheqerit sepse lufta e UÇK-së është e shenjtë, e drejtë ne nuk guxojmë që t’i shkelim shokët tonë, të paktën të kemi respekt për ata që e kanë dhënë jetën, për hir të tyre të bëjmë një transparencë”, thotë Hyni Gucati nga OVL e UÇK-së.

“Po çdo ditë, në hapjen e facebook-ut e sheh që vdesin (veteranë) me një kohë shumë të shkurt do të zvogëlohet edhe numri, e veç po bëjnë zhurmë hajt të bëjmë se Zoti për çdo ditë është ka i merr”, thotë Haxhi Shala./Insajderi.

Këtu e gjeni dokumentarin “Krim dhe Turp”