Kompania e Lushtakut fiton edhe 270 mijë euro nga shteti

15.05.2016

Mbi 270 mijë euro peshon kontrata e re e lidhur mes Agjencisë së Privatizimit dhe kompanisë “Security Code”, që figuron në pronësi të Milazim Lushtakut, djalit të vëllait të Sami Lushtakut dhe të Esat Tahirit që kishte shërbyer si truprojë e kryetarit të Skenderajt. Mbrapa kësaj kompanie dyshohet se qëndron kryetari i fuqishëm i Skenderajt, Sami Lushtaku. Mbi të rëndon aktakuza se ka kërcënuar Arben Gjukajn, drejtorin e Korporatës Energjetike të Kosovës, për të vendosur në interes të kësaj kompanie private.

Kompania e Lushtakut fiton edhe 270 mijë euro nga shteti

Agjencia e Privatizimi ndoqi procedurën e mbyllur tenderuese për të shpërblyer me një kontratë që peshon qindra mijëra euro kompaninë “Security Code”, në pronësi të rrethit të ngushtë të Sami Lushtakut, kryetarit të Skenderajt.

Kompania figuron në pronësi të Milazim Lushtakut, djalit të vëllait të Sami Lushtakut dhe të Esat Tahirit që kishte shërbyer si truprojë e kryetarit të Skenderajt.

Insajderi ka mësuar se Agjencia Kosovare e Privatizimit fillimisht shpalli tender të hapur për të kontraktuar një kompani të sigurimit fizik për ruajtjen e objektit të zyrës qendrore dhe objekteve të  ndërmarrjeve shoqërore nën administrim të shtetit.

Tenderi u hap më 8 dhjetor të vitit 2015. Në faqen zyrtare të AKP-së dhe të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik nuk figuron asnjë njoftim zyrtar që tregon se tenderi i hapur është anuluar.

Figuron vetëm njoftimi për dhënie të kontratës i publikuar më 6 maj 2016 në faqen e KRPP-së, pesë muaj pas hapjes së tenderit.

Por ky njoftim tregon se kompania “Security Code” është shpallur fitues në tender nëpërmjet procedurës së negociuar.  Bazuar në këtë njoftim, kompania do të paguhet në vlerë prej 270 mijë e 250 euro për një periudhë tre mujore. Po ashtu, AKP-ja negocioi me vetëm një kompani ndonëse ligji i prokurimit publik lejon që edhe në procedurat e mbyllura tenderuese të kontaktohen dy apo tri kompani private.

Agjencia e Privatizimit ende nuk ka dhënë përgjigje për Insajderin se pse ndoqi procedurën e negociuar kur fillimisht kishte shpallur tender të hapur dhe se pse nuk figuron asnjë njoftim zyrtar për anulimin e procedurës së hapur. Po ashtu, Agjencia e Privatizimit nuk dha përgjigje se pse në faqen zyrtare të KRPP-së njoftimi për kontraktimin e kompanisë “Security Code”, është bërë vetëm në gjuhën angleze dhe serbe dhe mungon versioni i njoftimit në gjuhën shqipe.

Agjencia e Privatizimit tradicionalisht ka përzgjedhur për kontraktues kompanisë “Security Code”. E njëjta kompani fiton tenderët nga AKP-ja që nga viti 2010, përkundër vërejtjeve të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm. Mbrapa kësaj kompanie dyshohet se qëndron kryetari i fuqishëm i Skenderajt, Sami Lushtaku.

Mbi të rëndon aktakuza se ka kërcënuar Arben Gjukajn, drejtorin e Korporatës Energjetike të Kosovës për të vendosur në favor të kësaj kompanie. Kompania kishte fituar tender në vlerë prej rreth 6 milionë eurosh nga Korporata Energjetike e Kosovës.

Gjykata kishte hedhur poshtë aktakuzën pasi që ishte ngritur pas afatit të paraparë ligjor. Por rastin në gjykim e ka kthyer një vendim i Gjykatës Supreme, i cili vazhdon të kontestohet nga avokatët e të akuzuarve.

Përveç Lushtakut që akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare, pjesë e gjykimit janë edhe Arben Gjukaj që akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe dy pronarët e “Security Code”, Esat Tahiri e Milazim Lushtaku që akuzohen për mashtrim.

Raportet e auditorëve tregojnë për shkelje ligjore në kontratat mes AKP-së dhe “Security Code”

Përveç tenderit 6 milionësh të Korporatës Energjetike, kjo kompani ka fituar një numër të madh tenderësh nga institucionet publike. Vetëm në Agjencinë Kosovare të Privatizimit në të kaluarën ka fituar tre tenderë të tjerë, para se të shpallej fitues në tenderin e ri në muajin maj të këtij viti.

Fillimisht ishte kontraktuar në shkurt të vitit 2010 për kryerjen e shërbimeve të sigurimit fizik. Kontrata ishte dy vjeçare. Nuk tregohej shuma totale e kontratës në njoftimin publik të shpallur nga Agjencia e Privatizimit.

Më pas, të njëjtin tender e kishte fituar në mars të vitit 2012. Peshonte mbi 1 milionë euro. Ngjashëm si në vitin 2010, kontrata ishte nënshkruar për një periudhë dy vjeçare.

E njëjta histori vazhdoi edhe më 2014 kur “Security Code”, arriti që sërish të fitoi tenderin për ofrimin e shërbimeve të sigurimit fizik. Shuma që është paguar kjo kompani për periudhën dy vjeçare nga 2014 deri më 2016 kap shifrën e mbi 1 milionë e 800 mijë eurove.

Esat Tahiri, njëri prej aksionarëve të kësaj kompanie, i kishte thënë Gazetës Jeta në Kosovë në prill të 2014-ës se kompania e tij ka fituar tenderët e AKP-së për shkak se kishte ofruar çmimin më të përgjegjshëm.

Po ashtu, sipas tij,  kompania ka respektuar kriterin e AKP-së i cili kërkon që punëtorët të mos paguhen nën shumën prej 230 eurosh në muaj.

Tahiri pati deklaruar se kompania ofertoi me 1 euro 97 centë për një orë punë të një punëtori të saj.

“AKP-ja në bazë të kësaj oferte më paguan kaq mua (kompaninë) për një orë punë të punëtorit tim. Unë pastaj me paratë e AKP-së e siguroj veshmbathjen për punëtorin, pagën e tij dhe një fitim të kompanisë prej 3-4 centë përbrenda 1.97 centëshit”, thotë Tahiri.

Kompanitë tjera, sipas AKP-së, ishin eliminuar për shkak se në ofertat e tyre kishin llogaritur që të paguanin punëtorët nën shumën prej 230 eurosh në muaj.

Por, në këtë pikë kishte dhënë vërejtje Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. Në raportin e auditimit për vitin 2014 kishte konkluduar se “Agjencia e Privatizimit nuk e kishte monitoruar kompaninë fituese nëse zbatonte në praktikë ofertën me të cilën e kishte fituar kontratën milionëshe”.

“Për më tepër, AKP nuk kishte marrë siguri nga ofertuesi fitues se paga prej minimum 230€ në të vërtetë i paguhet të punësuarve”, thuhet në raportin e auditimit.

Përveç vërejtjeve në kontratën e vitit 2014, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm kishte kritikuar AKP-në edhe për kontratat me “Security Code”, të lidhura më 2010 dhe 2012.

Auditori kishte konkluduar se AKP-ja nuk kishte kontroll funksional për të siguruar se pagesat përputhen me punën e kryer

“…në dy raste kontraktuesi kishte faturuar më shumë për 568 euro sesa punët (shërbimet) e kryera. Ne kemi vërejtur që nuk përputhet raporti i orëve të rojeve të kontraktuesit dhe faturës përkatëse”, patën konkluduar auditorët më 2010.

Ndërkaq pas dy vitesh, më 2012, Agjencia e Privatizimit kishte paguar këtë kompani për shërbime të kryera pa pasur kontratë valide.

“AKP-ja ka pranuar shërbime për sigurim fizik për hapësirat e AKP-së për 23 ditë, përkundër kontratës së skaduar paraprakisht. Kontrata e mëhershme kishte përfunduar në fund të muajit shkurt 2012, ndërsa shërbimet kishin vazhduar deri në fund të muajit mars 2012”, pati konkluduar Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

Drejtues të kësaj kompanie private dhe zyrtar të Agjencisë së Privatizimit kanë kundërshtuar në vazhdimësi konkludimet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm lidhur me kontratat e nënshkruara më 2010 dhe 2012.