Kompania e Blerim Devollit: Rexhë Gjonbalaj deshi të na shkatërrojë

Padia e Z-Mobile, e cila kërkon mbi 44 milionë euro nga Telekomi i Kosovës, përfshin edhe tri takime të pretenduara me drejtuesit e ndërmarrjes publike. Padia pretendon se Rexhë Gjonbalaj, kryetar i bordit të Telekomit, kishte fyer dhe kërcënuar Milot Gjikollin, drejtorin e Z-Mobile. Po ashtu, pretendohet se Gjikolli ishte fyer nga ish-kryeshefi i Telekomit, Ejup Qerimi. Rexhë Gjonbalaj mohon se ka takuar ndonjëherë Gjikollin dhe se ka biseduar me Blerim Devollin lidhur me pretendimet e Z-Mobile.

Kompania e Blerim Devollit: Rexhë Gjonbalaj deshi të na shkatërrojë

Blerim Devolli, në qytetin e Pejës, rastësisht e kishte takuar Rexhë Gjonbalajn, kryetarin e bordit të ndërmarrjes publike  “Telekomi e Vala”. Ishte duke u shëtitur përreth lumit në qytetin e Pejës, bashkë me Xhelal Radoniqin drejtorin e “Devolli Group”, kur kishte hasur në kreun e ndërmarrjes më të madhe në vend.

Gjonbalaj, që mban post të rëndësishëm në këtë ndërmarrje është nga i njëjti qytet me biznesmenin e fuqishëm, Blerim Devolli. Takimi i tyre i rastësishëm është pjesë e padisë së dorëzuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhe nga Dardafone.net, e  cila operon me emrin tregtar Z-Mobile. Nëpërmjet kësaj padie, kompania Dardafone.net kërkon dhjetëra miliona euro kompensim nga ndërmarrja publike “Vala e Telekomi”.

Rexhë Gjonbalaj mohon se është zhvilluar ndonjëherë ky takim.  Por, kompania Dardafone.net pretendon se takimi është zhvilluar e madje Gjonbalaj edhe e ka fyer pronarin e kompanisë. Gjithçka, sipas kësaj padie, ishte zhvilluar në pak minuta.

Devolli i kishte bërë një pyetje Gjonbalajt, e cila e kishte nervozuar atë.

“Devolli iu afrua  Gjonbalaj dhe e pyeti se pse VALA po e dëmtonte me qëllim biznesin e Z-Mobile, duke penguar operacionet e saj dhe duke refuzuar shërbimin 3G/4G. Devolli e  alarmoi Gjonbalajn për faktin se Z-Mobile kishte humbur të ardhura dhe pa 3G/4G do të mbetej e qëndrueshme vetëm edhe për pak kohë”, thuhet në padi.

Por, sipas padisë, Gjonbalaj e kishte injoruar Blerim Devollin. “z. Gjonbalaj në mënyrë krejtësisht indiferente dhe duke buzëqeshur tha: “Nuk po më kërset. Edhe nëse e doni 3G/4G, më paditni mua ”, thuhet në padi.

Ashtu edhe ndodhi. Z-Mobile tashmë e ka paditur ndërmarrjen publike.

Pretendimet e kësaj kompanie peshojnë mbi 44 milionë euro. Bazuar në padinë e dorëzuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në janar të këtij viti,  Z-Mobile është dëmtuar nga refuzimi i PTK-së për të ofruar Sim Kartela të reja, numra të rinj, shërbimin 3G dhe 4G dhe si dhe për të ofruar shërbime cilësore edhe për konsumatorët e kësaj kompanie. Dëmet, sipas padisë, janë shkaktuar përgjatë periudhës 2011-2014. Z-Mobile kërkon dëmshpërblim prej 44 milionë e 408 mijë eurosh, plus interesin.

 

Gjonbalaj mohon takimet e pretenduara me Devollin dhe Gjikollin

Rexhë Gjonbalaj, i kontaktuar nga Insajderi, pohoi se ky pretendim nuk është i vërtetë. Thotë se Blerim Devollin e ka takuar vetëm njëherë, por jo në qytetin e Pejës siç pretendohet në këtë padi.

“z.Devollin e kam takuar në  një proces gjyqësor qe e kemi pasur vite më parë”, deklaroi Gjonbalaj për Insajderin.

Gjonbalaj, po ashtu, mohoi edhe pretendimin tjetër që përmendet në padi. Në padinë e Z-Mobile thuhet se kreu i VALA-s, kishte takuar dhe fyer edhe Milot Gjikollin, që mban postin e drejtorit ekzekutiv në Z-Mobile. Gjikolli kishte dashur të bisedonte me të lidhur me mos ofrimin e shërbimeve 3G dhe 4G.

“Nuk kam biseduar për çështjen në fjalë me përfaqësues të Z-Mobile. z. Gjikollin as qe e kam takuar ndonjëherë në asnjë rast”, ka thënë Gjonbalaj për Insajderin.

Por, Z-Mobile insiston se takimi mes Gjikollit dhe Gjonbalajt ka ndodhur. Në padi është shënuar edhe data e këtij takimi të pretenduar. Shënohet se ka ndodhur më 25 prill 2015, në një sallë pritjesh në një hotel. Në padi nuk përmendet emri i hotelit.

Gjikolli, sipas padisë, kishte kërkuar që të flasë me Gjonbalajn për dy çështje: për arsyen se pse nuk po i ofrohen kompanisë Z-Mobile shërbimet 3G/4G dhe të kërkoi rritjen e cilësisë së shërbimeve për klientët e Z-Mobile.

“z.Gjonbalaj nuk la asnjë mundësi për të biseduar dhe vetëm bërtiti në drejtim të Gjikollit duke i thënë: Ti po pyet për 3G a? Ti po vepron sikurse ju na keni bërë neve. Por, ne ju kemi bërë juve. Por mos ta ndinë, do të ju tregoj unë juve ”, theksohet në padi.

Në padi thuhet se kërcënimi “do të ju tregoj unë juve”, e ka kuptimin e “do të ju shkatërrojë”. Bazuar në këtë, kompania pretendon se Gjonbalaj kishte kërcënuar Gjikollin se do të shkatërronte kompaninë Z-Mobile.

Por, sipas Gjonbalajt, ndërmarrja publike nuk kishte interes për të shkatërruar kompaninë Z-Mobile. Ai i ka thënë Insajderit se ishin vetë drejtuesit e kësaj kompanie private që kishin refuzuar ftesat e ndërmarrjës publike për të negociuar për ofrimin e shërbimit 3G/4G.

Sipas tij, marrëveshja e lidhur më 2009 për krijimin e operatorit virtual nuk parashihte edhe ofrimin e këtij shërbimi për kompaninë Z-Mobile.

“Nuk iu takojnë ato shërbime në bazë të kontratës. Por kjo duhet negociuar për shkak të investimeve të mëdha që ka bërë Telekomi i Kosovës në shërbimin 3G/4G”, thotë Gjonbalaj.

Ai shton se drejtuesit e Z-Mobile kanë refuzuar ftesat e menaxhmentit të PTK-së për të diskutuar lidhur me këtë shërbim.

“Zotërinjtë nga Z-Mobile kanë pasur ftesë disa here nga menaxhmenti për të diskutuar këtë çështje. Por, nga informatat qe ka Bordi i Drejtorëve,  ata (Z-Mobile) asnjëherë nuk janë përgjigjur me gatishmëri për marrjen e shërbimeve. Sipas ekspertëve tanë dhe menaxhmentit, atyre nuk iu takojnë ato shërbime në bazë të kontratës”, thotë Gjonbalaj.

Gjonbalaj

Z-Mobile: Drejtori Milot Gjikoli u kërcënua nga Ejup Qerimi, ish-kryeshef i PTK-së

Përveç, Gjonbalajt në padi përmendet edhe emri i Ejup Qerimit, ish-kryeshef ekzekutiv i Postë-Telekomit të Kosovës. Z-Mobile pretendon se ngjashëm si Gjonbalaj ishte sjellë edhe Qerimi,duke fyer drejtorin e kësaj kompanie private. Në padi përshkruhet takimi mes drejtorit Milot Gjikolli dhe Ejup Qerimit, kryeshef i atëhershëm i PTK-së. Pretendohet se takimi ka ndodhur në shkurt të vitit 2012, në zyrën e Gjikollit. Qerimi ishte ftuar nga Gjikolli në takim.

“Qerimi erdhi në takim në zyrën e Gjikollit, me tetë punonjës të tij. Ai filloi të kërkonte nga Z-Mobile që të paguante për kodin telefonik (kodi i Monaco Telecom) Drejtori i Z Mobile, Gjikolli, ia kujtoi me edukatë Qerimit se ART-ja tashmë kishte vendosur mbi këtë çështje, në favor të Z Mobile”, thuhet në padi.

Sipas padisë, kjo përgjigje e Gjikollit e kishte nervozuar Qerimin. Qerimi ishte ngritur në këmbë dhe kishte filluar të bërtiste, pretendon kompania Z-Mobile. Po ashtu, e kishte fyer Gjikollin.

“Kush leshin po mendoni që jeni? Ju duhet të bëni çfarëdo që na ju themi për ta bërë. Nuk mërzitna për kontratën”, kishte thënë Qerimi, bazuar në padinë e Z-Mobile kundër VALA-s. Ejup Qerimi është pyetur nga Insajderi lidhur me pretendimet e kësaj kompanie. Ai ende nuk ka dhënë ndonjë koment lidhur me akuzat që i bëhen.

ejup_qerimi_1_604891