Këshilli për Trashëgimi Kulturore u udhëhoq nga një i dyshuar për rrezikim të personelit të OKB-së

02.08.2017

Një mori shkeljesh kanë ndodhur në institucionin që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Një zyrtar me pozitë të ulët ishte caktuar kundërligjshëm si shef ekzekutiv i këtij institucioni. Pos kësaj, ai ka mbajtur pozitën gjashtë muaj. Ligji nuk e lejon një gjë të tillë. Ky zyrtar është përzgjedhur njëri prej tre kandidatëve për drejtor. Ndërkohë, është suspenduar nga puna pasi po hetohet nga Prokuroria për veprën penale: Rrezikim i personelit të Kombeve të Bashkuara.

Këshilli për Trashëgimi Kulturore u udhëhoq nga një i dyshuar për rrezikim të personelit të OKB-së

Të paktën gjashtë muaj, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore është udhëhequr nga një drejtor ekzekutiv i paligjshëm.

Përveç kësaj, ushtruesi i detyrës së udhëheqësit ekzekutiv të këtij Këshilli, Isuf Koci, është duke u hetuar nga Prokuroria për një vepër të rëndë penale: Rrezikim i personit të Kombeve të Bashkuara.

Bordi i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, i udhëhequr nga Shafi Gashi e ka emëruar Kocin në këtë pozitë në kundërshtim me ligjin.

Pos që e ka emëruar paligjshëm, e ka mbajtur gjashtë muaj. Ligji saktëson se një institucion nuk mund të udhëhiqet më shumë sesa tre muaj nga një ushtrues detyre.

Koci, i afërt me zyrtarin e PDK-së, Gani Koci, është përzgjedhur në një konkurs për drejtor të KKTK-së nga një komision i drejtuar prej sekretarit të Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi. Edhe në këtë përzgjedhje është shkelur ligji, pasi Koci nuk e ka pasur përvojën e nevojshme të punës.

Ai është punësuar në vitin 2010. Kriter për udhëheqës të institucionit janë 8 vjet përvojë pune dhe pesë vjet përvojë menaxheriale.

Shkeljet ligjore në këtë institucion me staf të vogël janë konstatuar fillimisht nga Auditori i Përgjithshëm.

Në raportin e këtij viti në pikën “mbajtja e pozitës kyçe me ushtrues detyre – prioritet i lartë”, raporti thotë se në KKTK pozita e udhëheqësit ekzekutiv mbahet në cilësinë e ushtruesit të detyrës (UD) për një periudhë tashmë gjashtëmujore duke e tejkaluar afatin e lejuar ligjor për mbajtjen e pozitës në këtë formë.

“Ligji për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës (Nr. 03/L-149), përkatësisht Neni 30.4, kushtëzon se për plotësimin e pozitës së lirë në shërbimin civil, UD nuk mund të emërohet më gjatë se tre muaj”, thuhet në raport.

“Për më tepër emërimi nuk është bërë në pajtim me këtë ligj (neni 30.2) i cili thekson se zëvendësimi i një pozite të tillë duhet të bëhet nga nëpunësi civil i rangut më të lartë. Në këtë, rast ky kriter nuk është respektuar nga KKTK”, vazhdon raporti.

Koci kishte pozitë të udhëheqësit të divizionit – programi për mbrojtjen e trashëgimisë së luajtshme.

Ndërkaq, për udhëheqës ekzekutiv është dashur të emërohej udhëheqësi i ndonjërit prej departamenteve.

Auditori paralajmëron edhe rrezik nëse vazhdohet me këtë praktikë.

“Praktika e mbulimit të pozitave me UD për një periudhë më të gjatë se tre muaj mund të ketë ndikim në cilësinë e performancës operacionale dhe mosarritjen e objektivave të entitetit”, thuhet në raport.

I rekomandohet kryetarit të Bordit të KKTK-së që të sigurohet që pozita e udhëheqësit ekzekutiv të plotësohet me kontratë të rregullt të punës dhe në pajtim me dispozitat ligjore.

Shkeljet në këtë institucion kanë vazhduar edhe më tej. Koci është suspenduar me 50 për qind të pagës nga puna më 21 korrik të këtij viti. Pavarësisht këtij pezullimi, emri i tij ka qenë të mërkurën në tavolinën e Bordit të KKTK-së.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës ekzekutive e ka suspenduar Kocin për shkak të hetimeve penale që po zhvillohen kundër tij.

Insajderi ka siguruar shkresat zyrtare që ky institucion ka kërkuar informacione nga Prokuroria për gjithë stafin. Ka rezultuar që kundër Kocit ka procedurë penale.

Kryeprokurori i Prishtinës ka shkruar në një shkresë zyrtare se “pas verifikimit në evidencën e të dhënave në shkrimore të Prokurorisë rezulton se ndaj personit Isuf Koci është ushtruar kallëzim penal i cili është evidentuar me PP.880/2006”.

Lëndën kundër tij e ka prokurorja e krimeve të rënda, Besa Limani për veprën penale “Rrezikim i personit të Kombeve të Bashkuara, nga neni 142, të KPK-së”.

Pas kësaj shkrese, ushtruesja e detyrës së udhëheqëses ekzekutive, Adelina Sopi, të cilës i ka skaduar mandati prej tre muajsh, ka marrë vendim për suspendimin e Kocit.

“Isuf Koci me rastin e pezullimit parandalues do të marrë 50 % të rrogës së tij gjatë kohëzgjatjes së pezullimit deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata”, thuhet në vendim.

Insajderi ka kërkuar përgjigje të hënën nga kryetari i Bordit të KKTK-së, Shafi Gashi dhe nga i suspenduari, Isuf Koci, por asnjëri nuk janë përgjigjur deri tash./Insajderi.com