Katër burrat që vendosën për votën e Teuta Rugovës

07.08.2017

Adem Grabovci ka pasur rol kyç në përcaktimin e fatit politik të Teuta Rugovës. Ai së bashku me Daut Haradinajn, Dardan Gashin dhe Ukë Rugovën janë përcaktues të rreshtimit të deputetes Teuta Rugova në krah të PAN-it. Insajderi ka siguruar dëshmi për rolin e këtyre katër burrave, tre prej të cilëve nuk kanë ndonjë pozitë në subjekte politike, por kanë vetëm rol sekserësh.

Katër burrat që vendosën për votën e Teuta Rugovës

Dy ditë para se Teuta Rugova e Lidhjes Demokratike të Kosovës të habiste bashkëpartiakët e saj duke ngritur dorën në seancën konstituive, në favor të koalicionit të udhëhequr nga Partia Demokratike, katër burra ishin takuar për të biseduar për fatin e saj në politikë, në një prej restoranteve të Prishtinës.

Deputetja Rugova e njeh secilin prej këtyre burrave që diskutonin në shoqërinë e verës së bardhë dhe mezes.

Aty ishte Ukë Rugova, vëllai i saj i akuzuar për krim të organizuar. Ishte ulur afër Daut Haradinajt. Përballë kishin Adem Grabovcin dhe Dardan Gashin.

Të katërtit ishin të qeshur.

Takimi ishte joformal dhe asnjë prej tyre nuk kishte veshur këmishë. Secili prej tyre kishte veshur bluza, por në prapaskenë kishin diskutuar për diçka shumë zyrtare: votimi i Kadri Veselit për kryeparlamentar dhe i Ramush Haradinajt për kryeministër.

Insajderi ka siguruar dëshmi për këtë ndej të ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, deputetit të AAK-së dhe vëllait të Ramush Haradinajt, Dautit, ish-ministrit Dardan Gashi dhe djalit të vogël të ish-presidentit Ibrahim Rugova, Ukës.

Burimet kanë treguar se ky grup ka pasur rolin kryesor që Teuta Rugova të rreshtohet në anën e PAN-it, siç edhe ka ndodhur në seancën e parë konstituive që dështoi në mungesë të numrave të koalicionit të PDK-së.

Në atë seancë, Teuta Rugova kishte votuar për shtyrjen e seancës kur edhe u konfirmua se PAN tashmë ka 60 vota, çka janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e Kadri Veselit – kryetar Kuvendi, dhe Ramush Haradinajt – kryeministër.

Votës së saj pro PAN-it i ka paraprirë një vizitë e Ramush Haradinajt në familjen Rugova. Ndërmjetës të vizitës ishin Astrit Haraqija dhe Dardan Gashi.

Haraqija është i akuzuar së bashku me Ukë Rugovën për skandalin e shitjes së vizave italiane. Ndërkohë, Dardan Gashi është deklaruar i gatshëm që të pranojë post ministror në Qeverinë Haradinaj nëse i ofrohet një mundësi e tillë.

Grabovci nuk është përfshirë publikisht në këtë çështje për shkak të hetimeve që po zhvillohen kundër tij pas publikimit të përgjimeve nga Insajderi, por në prapaskenë ai ka luajtur rol kyç që Teuta Rugova të rreshtohej në anën e PAN-it.

Një rrugëtim politik drejt PDK-së e kishte pasur edhe Ukë Rugova. Kishte hyrë si deputet në Kuvend me listën e AAK-së, por pas zgjedhjeve kishte kaluar në grupin parlamentar të PDK-së. Ai kishte marrëveshje koalicioni me të ashtuquajturën “Lista dr. Ibrahim Rugova”, pjesë e së cilës ishte Dardan Gashi, Bujar Bukoshi e Astrit Haraqija.

Insajderi ka kontaktuar me dy prej protagonistëve të kësaj ndeje vendimtare për fatin politik të Teuta Rugovës.

Daut Haradinaj dhe Dardan Gashi nuk kanë shpjeguar se çfarë përmban marrëveshja për votën e Rugovës pro PAN-it.

Haradinaj ka thënë se ndjehet i ofenduar nga pyetjet, derisa Gashi ka thënë se këto janë insinuata.

“Po fantazoni po duket. Personalisht nuk kam bisedu asnjëherë të vetme për këto tema me asnjë njeri të vetëm. Këto nuk janë tema që me takojnë mua. E marr si fyerje që po e boni. Vendimi i familjes Rugova osht vetëm një vazhdimësi e raporteve korrekte që kemi pas nga viti 2004”, ka thënë Daut Haradinaj.

Krejt shkurt është përgjigjur Dardan Gashi.

“… kjo nuk është pyetje por insinuatë përplot pasaktësi. Me dëshirë qëndroj në dispozicion për pyetje tjera! T’fala”, ka thënë Gashi.

Javën e kaluar Gashi që ishte së bashku me Haradinajn në shtëpinë e familjes Rugova, ka shprehur gatishmërinë për të zënë një vend ministror në qeverinë e PAN-it.

“Nëse me ofrohet mundësia, do të pranoja të punoja me z. Haradinaj”, kishte thënë Gashi për portalin Indeksonline.

Ndërkohë, mandatari i koalicionit PDK-AAK-NISMA për kryeministër, Ramush Haradinaj kishte konfirmuar mbështetjen e Teuta Rugovës për të.

“Unë si i nominuar për kryeministër të Republikës se Kosovës, me kënaqësi e pranoj mbështetjen e familjes emblematike të Presidentit Rugova dhe zotohem që do të bëj ç ‘mos për ruajtjen e vlerave dhe mësimeve të Presidentit Rugova, për ruajtjen e miqësisë të përhershme me SHBA-të, BE dhe NATO”, kishte thënë Haradinaj.

Cak i PAN-it tashmë është edhe deputeti i koalicionit LDD-AKR, Labinot Tahiri. Tahiri në seancën e javës së kaluar nuk votoi pro shtyrjes së seancës, me çka rezultoi që Kuvendi të jetë i ndarë në dy blloqe me nga 60 deputetë. Megjithatë, Tahiri nuk e ka përjashtuar mundësinë që ta votojë Haradinajn dhe Veselin. /Insajderi.com

(Tekstit i ka kontribuuar Drenusha Canolli)