Historia e tenderit 800 mijë eurosh që çoi në gjyq ish-krerët e ART-së

Prokuroria ka njoftuar sot se Ekrem Hoxha, ish-kryetar i bordit dhe Lulzim Kurtaj, ish-anëtar i bordit në Autoritetin Rregullativ të Telekomunikacionit do të përballen në gjyq me akuzat se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare për interes të një kompanie nga Shqipëria. Insajderi sjell historinë e tenderit të dyshimtë që peshon mbi 800 mijë euro.

Historia e tenderit  800 mijë eurosh që çoi në gjyq ish-krerët e ART-së

Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit, tash i emërtuar ARKEP, ka pasur përplasje disavjeçare me Organin Shqyrtues të Prokurimit lidhur me tenderin e fituar nga konzorciumi i kompanive me bazë në Tiranë.

Kjo agjenci shtetërore, në kohën kur drejtohej nga Ekrem Hoxha-kryetar bordi dhe Lulzim Kurtaj- anëtar bordi, kishte shpërfillur vendimet e OSHP-së që nuk pajtoheshin me shpalljen fituese në tenderë të konzorciumit “R & T Sh.P.k dhe TBS”.

“Gjykata e Tenderëve”, e kishte gjobitur ART-në me 30 mijë euro për shpërfillje të vendimeve. Por, ART-ja e drejtuar nga Hoxha dhe Kurtaj kishin vendosur të mos njihte autoritetin e këtij institucioni. Kishte shkëputur kontaktet me OSHP-në dhe e kishte njoftuar se konzorciumi nga Shqipëria do të jetë fitues i tenderit, përkundër vendimeve refuzuese nga organi më i lartë i prokurimit në vend.

Këmbëngulja e tyre ka bërë që Prokuroria Themelore në Prishtinë të ngre aktakuzë ndaj Hoxhës dhe Kurtajt. Ata akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare në interes të kompanisë që e fitoi tenderin.

Oferta financiare e dyshimtë e kompanisë nga Shqipëria

Historia e këtij tenderi nis prej para gjashtë vjetësh. Në dhjetor të vitit 2010, Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit shpalli fitues konzorciumin “R & T Sh.P.k dhe TBS”, nga Tirana.  Dy kompani nga Kosova u ankuan në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Kompanitë “Antika” dhe “Botek” pretendonin se ARTK vendosi kundërligjshëm kur shpalli fitues konzorciumin nga Tirana në tenderin e emërtuar “Propozim për Qendrën Nacionale të Monitorimit të Radio Spektrit”. OSHP në janar të vitit 2011 kishte vendosur që tenderi të kthehej në ri-vlerësim pasi që ankesat e dy kompanive ishin të bazuara.

Për OSHP-në ishte i dyshimtë fakti se si kompania fituese në tender kishte dorëzuar dy oferta teknike e tri oferta financiare lidhur me këtë tender. Oferta e tretë financiare që peshonte në vlerë prej mbi 800 mijë eurosh, bazuar në vendimin e OSHP-së, nuk ishte në harmoni me asnjërën prej ofertave teknike. Oferta e tretë financiare e kompanisë fituese kishte nxitur dyshime tek kompanitë ankuese. Dy kompanitë ankuese kishin dorëzuar nga një ofertë financiare e një teknike. ART-ja ishte pajtuar që të bënte ri-vlerësimin e ofertave. Kishte njoftuar OSHP-në më 1 shkurt të vitit 2011. Një javë më pas, OSHP kishte nxjerrë vendim lidhur me rezultatet e ri-dërguara nga ART-ja. OSHP-ja në vendimin e datës 8 shkurt 2011 konkludoi se kjo agjenci shtetërore nuk përfilli vendimin për ri-vlerësimin e ofertave. Ishte shpallur sërish fitues e njëjta kompani.

Po ashtu, sipas OSHP-së, ri-vlerësimi nxiste dyshime për keqpërdorime të mëdha. Bazuar në këtë vendim, ART-ja kishte njoftuar OSHP-së se kompania fituese kishte dorëzuar tri oferta financiare e tri teknike ndërsa dy kompanitë ankuese nga një për secilën kategori.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit vlerëson se si është e mundur që për të njëjtin aktivitet të prokurimit të kemi dy vlerësime kontradiktore. Në raportin vlerësues të datës 24 nëntor 2014 është specifikuar nga ana e komisionit vlerësues se oferta financiare numër 3 në vlerë prej 872 mijë eurosh nuk përputhet me asnjërën prej dy varianteve të propozimeve teknike të ofruar në fazën paraprake të tenderimit. Ndërsa tani del se po i njëjti operator ka ofertuar me nga tri oferta teknike dhe financiare, çka vjen dyshimi se varianti i tretë është plotësuar nga ART, pas vendimit të OSHP-së”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Po ashtu vendimi thotë se konzorciumi fitues me bazë në Tiranë, nuk kishte autorizim nga kompania Ronde & Schartz dhe se ART-ja kundërligjshëm kishte vlerësuar se e posedon një dokument të tillë.

“Paneli Shqyrtues bazuar në provat e ofruar nga ana e operatorit ekonomik ankues “Botek”, vlerëson se për këtë projekt vetëm kjo kompani është e autorizuar nga Ronde & Schartz, të cilën gjë e dëshmon edhe shkresa e datës 18.11.2010 e lëshuar nga prodhuesi. Paneli vlerëson se nga kjo shihet qartë se operatori ekonomik i propozuar me kontratë nga ana e AK-së nuk e posedon autorizimin nga kjo kompani, ashtu siç prezantohet nga komisioni i vlerësimit”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Edhe kësaj radhe, OSHP-ja kishte kërkuar nga ART-ja që të bënte sërish ri-vlerësimin e ofertave.

Gjoba 30 mijë eurosh ndaj ART-së që drejtohej nga Hoxha e Kurtaj

ART-ja, tash ARKEP (Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike e Postare), nuk e kishte bërë këtë. Kishte vendosur të mos njoh autoritetin e OSHP-së, të njohur si gjykata e tenderëve. Kishte shkëputur komunikimin zyrtar me këtë institucion. Nëpërmjet një shkrese zyrtare dërguar më 14 mars të 2011-es kishte paralajmëruar OSHP-në se do të nënshkruante kontratë me operatorin e rekomanduar për kontratë dhe se nuk do të njihte asnjë vendim të këtij mekanizmi.

Kjo e kishte revoltuar OSHP-në, e cila kishte vendosur më 3 maj 2011 që të shqiptonte dënim ndaj ART-së në vlerë prej 30 mijë eurosh. Gjoba ishte shqiptuar për arsye të shpërfilljes së institucionit dhe vlerësimit në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik. OSHP në këtë vendim konkludoi se ART-ja është dashur që ta diskualifikonte nga gara kompaninë e shpallur fituese në momentin kur ka dorëzuar më shumë se sa një ofertë financiare, por ka dorëzuar tri të tilla.

Po ashtu, në vendim thuhet se ART-ja kishte vendosur në kundërshtim me vendimin e këtij institucioni duke publikuar Njoftimin për Dhënie Kontrate, pa e bërë ri-vlerësimin e sërishëm të ofertave. Nëpërmjet këtij vendimi kishte shpallur fitues konzorciumin me bazë në Tiranë. Oferta e kësaj kompanie e shpallur fituese nga ART-ja kapte vlerën e 883 mijë e 340 eurosh.

Përkundër vendimit të OSHP-së, ART-ja nuk e kishte paguar këtë gjobë. Kishte ngritur padi në Gjykatën Supreme të Kosovës kundër vendimeve të OSHP-së. Po ashtu, kishte kërkuar që të pezullohej ekzekutimi i gjobës deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata Supreme. OSHP-ja nuk ishte pajtuar me këtë. Kishte kërkuar nga Gjykata Supreme që ART-ja  fillimisht të paguante gjobën dhe më pastaj të zhvillohej procedura gjyqësore.