Hetohet Kusari-Lila, servisoi veturën e firmës së Pacollit me para të komunës

11.09.2018

Prokuroria Themelore e Gjilanit është duke e hetuar Mimoza Kusari-Lilën për më shumë se një vit, për veprën penale keqpërdorim të detyrës zyrtare si kryetare e Komunës së Gjakovës. Hetimet janë hapur bazuar në një kallëzim penal të deponuar në Prokurori. Ky kallëzim penal e implikon Kusari-Lilën në servisimin e një veture private të kompanisë “Mabetex Holding”. Ajo është nën hetime edhe për privatizimin e katër hidrocentraleve nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me KEDS-in në vitin 2013.

Hetohet Kusari-Lila, servisoi veturën e firmës së Pacollit me para të komunës

Mimoza Kusari-Lila është duke u hetuar sërish nga Prokuroria e Shtetit. Më parë ajo ishte hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, lidhur me punën e saj si ministre e Tregtisë dhe Industrisë.

Megjithatë një hetim të radhës ndaj Kusari-Lilës e ka nisur Prokuroria Themelore në Gjilan në muajin maj të vitit të kaluar.

VIDEON mund ta shikoni duke klikuar KËTU:

Hetimi ka të bëjë me një kallëzim penal të dorëzuar në Prokurori nga një person vitin e kaluar, sipas të cilit pretendohet se Kusari-Lila ka tejkaluar kompetencat e saj dhe ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar në tri raste të veçanta gjatë periudhës sa kishte udhëhequr Komunën e Gjakovës.

Prokurori i rastit, Shaban Spahiu ka nxjerrë një aktvendim më 23 maj të vitit të kaluar për fillimin e hetimeve ndaj ish-ministres së Tregtisë dhe Industrisë.

Në këtë kallëzim penal, Kusari-Lila implikohet në servisimin e një veture private të kompanisë “Mabetex Holding” – e cila është në pronësi të Behgjet Pacollit, multi-milionerit dhe ish-shefit të saj në Aleancën Kosova e Re (AKR), raporton Gazeta Online Insajderi.

Sipas kallëzimit penal, në vitin 2014, Komuna e Gjakovës kishte bërë servisimin e një veture të firmës “Mabetex Holding” me para të shtetit. Vlera e servisimit të kësaj veture arrinte shumën e 872 eurove.

“Në vitin 2014, kjo komunë, ka bërë servisimin e veturës me targa të regjistrimit 01-395-BH, në vlerë prej 872 euro (tetëqind e shtatëdhjetë e dy), me ç‘rast i njëjti automjet i servisuar është privat dhe nuk gjendet në regjistrat e pasurisë së komunës së Gjakovës, por i njëjti ka qenë pronë private e kompanisë private ‘Mabetex Holding'”, thuhet në kallëzimin penal, të cilin e ka siguruar Insajderi.

Asokohe, në vitin 2014, marrëdhëniet e Behgjet Pacollit dhe Kusari-Lilës kishin qenë shumë të ngushta. Kreu i AKR-së e kishte kthyer fokusin kah Komuna e Gjakovës pasi partia e tij kishte arritur të fitonte për herë të parë besimin për qeverisjen e një komune.

Pacolli kishte dhënë shenja se ai dhe Kusari-Lila i kryenin favore njëri-tjetrit.

Madje në një intervistë dhënë mediave vitin e kaluar, pas largimit të Kusari-Lilës nga AKR-ja, Pacolli deklaronte se për Mimoza-Kusari-Lilën kishte shpenzuar miliona euro. Të gjitha këto para, sipas tij, ishin investime dedikuar Gjakovës.

Përveç çështjes së parë, Mimoza Kusari-Lila është duke u hetuar edhe për dy çështje të tjera nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar në kohën kur udhëhiqte me Komunën e Gjakovës.

Njëri prej rasteve ka të bëjë me subvencionimin e Klubit të Futbollin Vëllaznimi nga Gjakova, në vitin 2014. Komuna që asokohe udhëhiqej prej Kusari-Lilës kishte ndarë mbi 53 mijë euro për subvencionimin e KF Vëllaznimit, së sipas kallëzimit penal “është në kundërshtim me kërkesat e nenit 9 të Rregullores së Brendshme komunale”.

E në Nenin 9, pika 2 e Rregullores për Ndarjen e Subvencioneve thuhet se në rast të ndarjes së subvencioneve në vlerë prej më shumë se 15 mijë euro, kërkesa duhet të miratohet nga Kuvendi Komunal.

Në pikën tjetër të paraqitur në kallëzimin penal, thuhet se Komuna e Gjakovës ka subvencionuar në kundërshtim me Rregulloren Komunale, Organizatën Jo-Qeveritare Active Society for Youth Development (ASYD). Bëhet fjalë për 6 mijë e 600 euro që Komuna e Gjakovës kishte ndarë për këtë OJQ në vitin 2014.

Insajderi ka provuar të marrë përgjigje nga Kusari-Lila lidhur me pretendimet e paraqitura në kallëzimin penal, në bazë të së cilit Prokuroria Themelore e Gjilanit ka hapur hetime ndaj saj, mirëpo kontakti me deputeten e Kuvendit të Kosovës ka qenë i pamundur.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Gjilan i ka thënë Insajderit se prokurori i rastit, Shaban Spahiu gjendet në pushim të rregullt vjetor.

“Nuk jemi në dijeni se deri ku ka evoluar hetimi”, kanë thënë nga Zyra e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Përfshirja në privatizimin e katër hidrocentraleve për KEDS-in

Në vitin 2013, Mimoza Kusari-Lila kishte qenë pjesë e Komitetit të Privatizimit, i cili udhëhoqi procesin e privatizimit të Kompanisë për Distribuimin dhe Furnizimin me Energji elektrike (KEDS) në vitin 2013.

Ky komitet kishte vendosur që në bashkëpunim me KEDS të privatizoheshin katër hidrocentrale në Kosovë.

Shitja e katër hidrocentraleve për Koorporatën Energjetike të Distribuimit të Energjisë (KEDS) në vitin 2013, dyshohet se i ka shkaktuar dëme Republikës së Kosovës. Për këtë arsye, Prokuroria Speciale e Kosovës nxori një aktvendim për fillim të hetimeve ndaj Mimoza Kusari-Lilës dhe katër ish-ministrave të tjerë të Qeverisë së Kosovës.

Përfshirja e katër hidrocentraleve në pakon tenderuese ishte mbajtur e fshehtë, ndërsa edhe ministrat që kanë marrë vendimet kryesore për privatizim kanë deklaruar se nuk kanë qenë të informuar se në pako është përfshirë edhe shitja e hidrocentraleve.

Katër hidrocentrale janë shitur së bashku me KEDS-in janë: hidrocentrali i Dikancës, hidrocentrali i Burimit, ai i Radavcit dhe Lumbardhit. Ato janë dhënë me koncesion nga KEK-u me qëllim të rivitalizimit të tyre dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese.

Lajmin për hetimin e pesë ish-ministrave të Qeverisë së Kosovës, lidhur me procesin e privatizimit të KEDS-it, e ka konfirmuar gjatë këtij viti edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Insajderi i ka shkruar Prokurorisë së Shtetit për të kërkuar sqarime lidhur me hetimet ndaj Kusari-Lilës dhe katër ish-ministrave të tjerë në rastin e katër hidrocentraleve dhe privatizimit të KEDS-it.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Hekrem Lutfiu ka konfirmuar edhe njëherë se Kusari-Lila vazhdon të jetë nën hetime për këtë rast. Ka thënë se nuk mund të japim informacione, për të mos i penguar hetimet.

“Prokuroria e Shtetit nuk jep informata, në pyetjet kur kemi të bëjmë me emra të përveçëm së a zhvillohen apo jo hetimet ndaj një personi, sepse në këtë mënyrë do të pengoheshin hetimet”, ka thënë Lutfiu nga Prokuroria e Shtetit.

Kusari-Lila ishte hetuar edhe më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Hetimi kishte të bënte me një kallëzim penal të dorëzuar në Prokurori pesë vjet më parë nga dy trupa private inspektuese të kontrollit të cilësisë së naftës, të cilat nuk ishin angazhuar nga Kusari Lila sa ishte ministre e Tregtisë dhe Industrisë, por ishte angazhuar një kompani kroate e quajtur “Saybolt Pan Adriatika”.

Kallëzimi penal i përbashkët ishte bërë nga “Kosova-Lab” që drejtohej nga Bekim Shyti dhe “SIERRA-Lab” e përfaqësuar nga Ejup Gashi.

Bazuar në këtë kallëzim, Prokuroria kishte kryer hetime dhe nuk ishin gjetur elemente të veprës penale. Pavarësisht mbylljes së hetimeve, Prokuroria ka hapur hetime tjera kundër Kusari Lilës dhe disa zyrtarëve tjerë të MTPT-së. Nuk dihet nëse këto hetime janë ndalur. /Insajderi.com

VIDEON mund ta shikoni duke klikuar KËTU: