Hetimi i dekonspiruar kundër zyrtarëve të shtetit

Prokurorët Agron Matjani e Genc Nixha, si dhe zyrtarët policorë Nexhmi Krasniqi - drejtor i Policisë për rajonin e Prizrenit, Sejad Huskiq, Arsim Thaçi, Enver Bujari, Avni Gashi, Arben Bytyqi, ndërmjetësi, Shkodran Pulaj dhe shoferi i Prokurorisë, Luan Delili, kanë shpëtuar pa aktakuzë si rezultat i një dekonspirimi të hetimit kundër tyre. Ata, dyshoheshin se ishin vënë në mbrojtje të grupeve kriminale të drogës, haraçit e fajdeve. Prokuroria nuk ka folur nëse po heton dekonspirimin e hetimit.

Hetimi i dekonspiruar kundër zyrtarëve të shtetit

Dy prokurorë të Prizrenit, drejtori rajonal i Policisë, gjashtë policë hetues, shoferi i Prokurorisë dhe një ndërmjetës, dyshohet se kanë zbuluar se Prokuroria Speciale e Kosovës është duke i hetuar ata për lidhje me grupet më të mëdha të krimit të organizuar.

Gjatë kohës së përgjimeve dhe vëzhgimit, të dyshuarit nuk kanë kryer asnjë veprim që do të mund të konfirmonte se janë përfshirë në krim të organizuar, shpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.

Hetimet e filluara në dyshime mirë të bazuara se këta zyrtarë janë të lidhur me grupet më të forta të krimit në Prizren që merren me drogë, fajde, e haraç, kanë shkuar huq për shkak se, sipas Prokurorisë, të dyshuarit janë njoftuar se po hetohen.

“Asnjëra nga masat hetimore të përshkruara më lart nuk ka dhënë rezultate që do të lejonte sigurimin e informacionit të dobishëm për këtë rast. Nga zbatimi i këtyre masave u bë e qartë se të pandehurit janë informuar në lidhje me faktin se ata po monitoroheshin”, thuhet në aktvendimin për mbyllje të hetimeve të një prokurori të EULEX-it dhe një vendës.

Vendimi është nxjerr më 5 dhjetor 2016. Një kopje të tij e ka siguruar Insajderi.

Prej ditës së nisjes së përgjimit të telekomunikimit dhe vëzhgimit nga afër, të gjithë të dyshuarit kishin ndërprerë komunikimit. Ky fakt, ka bërë që ekipi i prokurorëve dhe hetuesve të vije në përfundim se të dyshuarit ishin njoftuar nga dikush që po hetoheshin.

Përgjimi ishte zhvilluar 60 ditë rresht. Asnjë bisedë inkriminuese nuk kishte ndodhur.

Ekipi i përzier i prokurorëve dhe hetuesve vendës dhe ndërkombëtar kishin nisur hetimet më 15 maj të vitit të kaluar. Ata, kishin informacione të shumta të inteligjencës dhe burimeve tjera, përfshirë dëshmitarë për veprimet e dyshimta të grupit. Sipas Prokurorisë grupi i dyshuar për lidhje të fuqishme me krimin e organizuar përbehej nga Nexhmi Krasniqi – drejtor i Policisë për rajonin e Prizrenit, policët hetues të këtij rajoni-Sejad Huskiq, Arsim Thaçi, Enver Bujari, Avni Gashi, Arben Bytyqi, dy prokurorët e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Agron Matjani e Genc Nixha, pronari i restorantit “Kosova”, që kishte rolin e ndërmjetësit, Shkodran Pulaj dhe shoferi i Prokurorisë, Luan Delili.

Anëtarët e grupit dyshoheshin se në këmbim të parave, lironin njerëz nga hetimet, nga paraburgimi dhe nuk i arrestonin kriminelët. Në rastet më të rënda, ata dyshohet se u mundësonin kriminelëve dënime shumë të buta.

Grupi i dyshuar kriminal, pos tjerash dyshohet se zhduknin prova për të mbrojtur kriminelët, pasi përfitoni qindra mijëra euro prej tyre.

Krasniqi përmendet si njeri i lidhur me Basri Peqanin, një fallxhor që sipas Prokurorisë jep para me fajde.

Në këtë hetim ishte i përfshirë edhe kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, por për një rast që nuk lidhej me këto grupe të dyshuara kriminale. Ai, dyshohej se kishte ndërprerë një kontratë me një ndërmarrje tregtare dhe tokën e njëjtë ia kishte dhënë një ndërmarrje tjetër për një periudhë kohore prej 30 vjetësh.

Prokuroria nuk e ka konfirmuar apo mohuar nisjen e ndonjë hetimi për dekonspirimin e hetimit.

“Ju informoj se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nuk i komenton, pohon apo mohon hetimet”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë, Liridona Kozmaqi.

Insajderi ka kërkuar përgjigje nga dy prokurorët e hetuar, nëpërmjet zyrës për media, por asnjëri nuk ka folur.

Avokati i Nexhmi Krasniqit, Mahmut Halimi ka mohuar çfarëdo lloj përfshirje të klientit të tij në krim. Ai ka thënë se të gjitha denoncimet anonime janë bërë nga policët për shkak të konkurrencës.

“Kanë qenë deri në 14 raste që janë mbledh kinse informata në bazë të dhënave të ndryshme se ky po bashkëpunon me këta, apo ata. Në fakt aty shihen persona të involvuar drejtpërdrejt në nivelin e Policisë së Kosovës për çështje të avancimeve personale”, ka thënë Halimi.

I dyshuari si ndërmjetës mes kriminelëve dhe zyrtarëve të shtetit, Shkodran Pulaj nuk ka dashur të flas për këtë rast. Madje, ka përdorur fjalë kërcënuese nëse i përmendet emri në gazetë.

“Duhet me shtërngu b… me ma qit emrin mu”, ka thënë ndër të tjera ai.

Dyshimi për lidhjet e zyrtarëve me krimin

Drejtori i Policisë për rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi dyshohej se në cilësi të personit zyrtar u ka siguruar “mbrojtje” grupeve të ndryshme të krimit të organizuar që veprojnë në territorin e Prizrenit.

Sipas Prokurorisë, Nexhmi Krasniqi në mënyrë aktive ka marrë pjesë dhe drejtuar një grup kriminal të krijuar gjatë një periudhe kohore të përbërë nga të paktën tre persona – ai vetë dhe dy vartësve të tij, togeri Sead Huskiq – shef i hetimeve në stacionin policor në Prizren dhe Arsim Thaçi.

“Ky grup kriminal”, sipas Prokurorisë është themeluar me qëllim të kryerjes së veprave të rënda penale në mënyrë që të sigurojë dirket ose indirekt, dobi pasurore apo financiare apo të tjera.

“Ekziston një dyshim i arsyeshëm se Nexhmi Krasniqi bashkëpunon me personin Hysri Peqani i njohur si “Burdushi”, i cili merret me fajde dhe ai e përdor ndihmën e të pandehurit Nexhmi Krasniqi për ‘biznesin’ e tij”.

Aty përshkruhet mbrojtja që drejtori i Policisë, Nexhmi Krasniqi i bënte Burdushit.

“Kur Peqani përballet me probleme me klientët e tij, Nexhmi Krasniqi e dërgon togerin Sead Huskiq, shefin e hetimeve në stacionin e policisë në Prizren dhe pastaj e menaxhon situatën”, thuhet në përshkrimin e veprimeve të Krasniqit.

Hetimi i nisur kishte të bënte edhe me dyshimin se Nexhmi Krasniqi dhe Arsim Thaçi kanë “lidhje të ngushta” me njërin prej grupeve kriminale në Prizren të njohur me emrin “Tullacët”, grup ky që merret me fajde, detyrim, rrëmbim dhe vepra të tjera penale.

“Sipas disa burimeve, udhëheqësi i grupit Sali Kajdomaqaj është personi i cili ka lidhje me Arsim Thaçin dhe drejtorin e tij, Nexhmi Krasniqi”, përshkruhet dyshimi i Prokurorisë.

Prokuroria përshkruan edhe veprimet e hetuesve Enver Bujari, Avni Gashi, Arben Bytyqi, prokurorëve – Agron Matjani, Genc Nixha, ndërmjetësit – Shkodran Pulaj dhe shoferit të Prokurorisë – Luan Delili i cili është i akuzuar si ndërmjetësues edhe në një rast korrupsioni të prokurorit, Bajram Hamitaga.

Biznesmeni që dyshohet se vepron si sekser mes kriminelëve dhe zyrtarëve shtetërorë

nexhi hetimi

“Në bazë të informatave të siguruara, shefi i Njësisë së Anti-drogës në Drejtorinë e Policisë në Prizren, rreshter Enver Bujari, së bashku me disa nga vartësit e tij, përkatësisht Avni Gashi, Arben Bytyqi dhe zyrtarë të tjerë të policisë nga kjo njësi (Musa Balaj, Shpend Morina, Feriz Gegaj) dhe prokurori Agron Matjani janë të përfshirë në veprime korruptive dhe marrëveshje kriminale me persona të dyshuar- të pandehur që u përkasin grupeve të ndryshme kriminale”, përshkruhen veprimet e tyre.

Prokurorët thonë se në disa raste, disa prej personave që i përkasin grupeve kriminale janë arrestuar në aktin e kryerjes së veprave penale. Megjithatë, pas veprimeve korruptive dhe marrëveshjeve kriminale në mes te pandehurve dhe zyrtarëve, kriminelët në secilin rast janë liruar nga burgu dhe si pasojë janë liruar nga akuzat, ose kushtimisht janë dënuar me masa të buta.

“Personi kyç në veprimet kriminale është një person shume i njohur, përkatësisht Shkodran Pulaj, i cili e drejton një restorant në Prizren dhe që vazhdimisht vepron si ndërmjetës në mes të kriminelëve dhe zyrtarëve policorë dhe prokurorëve”, pretendonte Prokuroria.

Aty përmendet një rast kur disa persona janë arrestuar në posedim të 5 kilogramë të marihuanës. Por, dy zyrtarë policorë nga Prizreni, Enver Bujari dhe Avni Gashi nga njësia e anti-drogës në Drejtorinë e Policisë Rajonale në Prizren, dyshohet se kanë vepruar në përputhje me prokurorin, Agron Matjanin dhe pasi janë paguar ryshfet, tre nga të arrestuarit janë liruar. Personi i katërt më pas është dënuar me një dënim të butë.

Në një rast tjetër, tre persona që ishin arrestuar për trafik droge, ishin liruar dhe vetëm një prej tyre ishte akuzuar. Ky i akuzuar ishte dënuar vetëm për armë pa leje.

“Përsëri në këtë rast, ndërmjetësi i njëjtë Shkodran Pulaj, ka ndërmjetësuar në mes të familjarëve që të lirojë të pandehurit dhe që të mundësojë dënimin sa më të ulët”, pretendohej në hetim.

Një dëshmitar që përshkruhet si i rëndësishëm, është intervistuar në fazën parahetimore. Dëshmitari ka konfirmuar veprimet kriminale dhe ka përmendur emrat, rolet dhe rastet e korrupsionit.

“Dëshmitari ka qenë objekt i kërcënimeve, shpifjeve, hakmarrjeve dhe sulmeve të dhunshme dhe vlerësohet se ai ndodhet në rrezik të lartë”, pretendon Prokuroria.

Lirimi i të dyshuarit

Rasti i fundit përfshin një rast hetimi, ku përmendet Shkodran Pulaj si ndërmjetës me policët e njëjtë si në rastet tjera.

Aty thuhet se një person ishte arrestuar për 48 orë dhe pastaj Gjykata kishte urdhëruar masën e”arrest shtëpiak”. Ndërsa hetimi ishte ende ne vazhdim e sipër, ndërmjetësi Shkodran Pulaj, i cili ishte gjithashtu nën hetime për të njëjtin rast, e kishte njoftuar të pandehurin tjetër se ishte “në telashe” dhe duhet t’ia jepte 1000 euro një prokurori.

I pandehuri në rastin e narkotikëve e kishte informuar ndërmjetësin, Pula se ai kishte të holla. Menjëherë pas kësaj bisede, i pandehuri i rastit të drogës ishte thirrur nga Arben Bytyqi, njëri nga zyrtarët e Policisë që punojnë në njësinë e anti-drogë në Prizren dhe kishte ftuar për marrje në pyetje në stacionin e Policisë në Prizren ditën e nesërme.

“Duke qenë padyshim nën presion, i pandehuri kishte kontaktuar përsëri me ndërmjetësin Shkodran Pulaj, i cili e siguroi atë që të mos shqetësohet sepse ai ‘e ka rregulluar çështjen’ me hetuesin i cili e ka thirrur”, pretendohej në hetim.

“Ditën e nesërme kur i pandehuri kishte shkuar në stacionin e Policisë, siç ishte kërkuar nga Arben Bytyqi, nuk u ndërmor asnjë marrje në pyetje si dhe nuk u parashtrua asnjë pyetje në lidhje me rastin. Hetuesi e informoi të pandehurin se kishte folur me Shkodran Pulajn rreth atij dhe e liroi”, pretendonte Prokuroria.

Prokuroria thotë se ekzistojnë informacione të besueshëm se zyrtarët policorë që po e hetonin këtë rast, Avni Gashi dhe Enver Bujari e kanë vizituar dyqanin ku punon ai dhe kanë marrë disa mallra pa i paguar.

Prokuroria dyshon se i pandehuri Enver Bujari dhe vartësit e tij, i pandehuri Avni Gashi, si dhe dy hetues të tjerë, Shpend Morina dhe Feriz Gecaj nuk i kanë kryer hetimet në mënyrë të duhur, duke mos i raportuar të gjithë të dyshuarit, duke i fshehur provat, rrjedhjen e informatave, etj.

Një raport i drejtorit të Drejtorisë nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, i paraqitur kohëve të fundit konfirmon se disa zyrtare të policisë nga Njësia e anti-drogës në Prizren “kanë lidhje te ngushta me një numër të personave të dyshuar”.

“Raporti, jo vetëm që rithekson dyshimet e ngritura tashmë nga Inspektorati i Policisë së Kosovë, por gjithashtu shton informacione në lidhje me të pandehurin Avni Gashi”, shkruan në vendimin e prokurorëve.

Sipas raportit më 14 korrik 2015, i pandehuri Avni Gashi ka pasur një bisedë me një të dyshuar ndaj të cilit ishte urdhëruar masa e fshehtë e përgjimit të komunikimeve. Duke u bazuar në analizimin e kësaj bisede si dhe bisedave të tjera në mes të dyshuarit dhe personave tjerë, është konstatuar se i pandehuri Avni Gashi ka qenë i përfshirë në lirimin e një të burgosuri, i cili ka qenë në paraburgim për goditjen me automjet të një zyrtari policor gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

Një konstatim shumë i ngjashëm është paraqitur edhe në një raport të Njësisë Rajonale për Krime Ekonomike dhe Njësia për Hetimin e Korrupsionit në Prishtinë.

Sipas Prokurorisë, ky raport jo vetëm që konfirmohen indikacionet për ekzistimin e një marrëveshjeje kriminale mes të pandehurve dhe zyrtarëve nga gjyqësori në Prizren, por gjithashtu siguron informacione në lidhje me prokurorin Genc Nixha, dhe shoferin Luan Delili.

Dyshimet për ryshfet prej 6 mijë eurosh

Sipas raportit ekzistojnë informacione se prokurori Genc Nixha ka marr ryshfet në vlerë prej 6.000 euro në mënyrë që ta lirojë- lehtësoj lirimin e dy të pandehurve, të cilët ishin arrestuar në fund të marsit 2015. Me gjithë faktin se të dy pandehurit akuzoheshin për kryerjen e një grabitje, ata ishin liruar nga paraburgimi në një periudhë relativisht të shkurtër kohore dhe automjeti i konfiskuar gjatë arrestimit të tyre iu kishte kthyer.

Sipas informatave të marra në këtë fazë të hetimit arsyeja për lirimin e tyre të shpejt ishte sepse babi i njërit prej të pandehurve e kishte korruptuar prokurorin Genc Nixha me gjashtë mijë euro.

Sipas raportit të njëjtë, i pandehuri Luan Delili, duke punuar si shofer në Prokurorinë Themelore në Prizren, vepron si ndërmjetës në mes të dyshuarve dhe prokurorëve.

Një raport tjetër nga Njësia Kundër Krimit të Organizuar e EULEX-it, i datës 4 prill 2016 nxjerr në pah faktet dhe ngjarjet në mënyrë shumë të mjegullt dhe pa ndonjë saktësi. Në të thuhet se nuk është e mundur që të identifikohen në mënyrë të qartë veprat penale dhe të pandehurit.

Prokuroria kishte nisur përgjimin dhe vëzhgimin në shtator të vitit të kaluar. Por, thotë se ato nuk kanë dhënë rezultat pasi që të pandehurit janë njoftuar se po përgjoheshin.

“Të gjitha informacionit që gjenden në raportet që i janë paraqitur Prokurorisë vijnë nga burimet e inteligjencës. Ky informacion, në gjendjen aktuale nuk mund të transformohet në prova të pranueshme që mund të formojnë bazën e një aktakuze ndaj të pandehurve”, thuhet në vendimin për mbyllje të hetimeve.

Prokurorët kanë thënë se duke pasur parasysh se të pandehurit janë pjesë e Policisë dhe Gjyqësisë, ata kanë qasje në gjithë informacionin që e kanë hetuesit, kështu që, sipas prokurorëve të dyshuarit kanë pasur kohë, mundësi dhe motiv për t’i fshehur të gjitha provat kundër tyre.

“Nën këto rrethana, asnjë mjet hetimor në dispozicion nuk mund të përdoret për të siguruar informacion që mund të formonte bazën e një aktakuze. Veprimet hetimore të ndërmarra deri tani nuk kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante për veprat penale”, shkruan në aktakuzë.

Për këtë arsye, prokurorët kanë pushuar hetimet ndaj të pandehurve. /Insajderi.com