Hajnia “artistike” e 288 mijë eurove të shtetit

16.12.2016

Fondi i ndarë për prodhimin e dy filmave, është shpenzuar për gjithçka, vetëm për filma jo. Thuajse gjithë fondi i shtetit kishte shkuar për dreka, darka, hotele dhe blerje teknologjike. Bile, producenti Nehat Fejza kishte rregulluar edhe veturën e tij Mercedes. Për gjithë këto keqpërdorime që kapin vlerën 288 mijë euro, Astrit Haraqija, Valton Beqiri, Armond Morina e Nehat Fejza janë “dënuar” me nga një vit burgim me kusht. 

Hajnia “artistike” e 288 mijë eurove të shtetit

Një hajni “artistike” e kryer në vitin 2006, është ndëshkuar gati dhjetë vjet më vonë.

Një fond prej 288 mijë eurosh i ndarë për prodhimin e dy filmave, është keqpërdorur dhe shpenzuar në hotele, karburante, dreka, darka, qofte e qebapë nga producentët, Armond Morina e Nehat Fejza.

Madje, edhe një veturë është riparuar me këto para.

Paratë në mënyrë të paligjshme u janë dhënë nga ish-ministrat e Kulturës, Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri. Të dy ministrat të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndëshkimi për këtë hajni është katër vjet burgim me kusht. Secili prej keqpërdoruesve është “ndëshkuar” me nga një vit burgim me kusht.

Nehat Fejza do të detyrohet që shtetit t’ia kthejë 188 mijë euro. Kolegu i tij, Armond Morina duhet t’i kthejë 100 mijë euro.

Por, si zuri fill dhe u realizua kjo hajni?

Gjithçka kishte nisur me dy projekte filmike të quajtura “Mysafir në sofër” dhe “Power Cuts”. Filmat do të financoheshin nga Ministria e Kulturës.

Ministrat Haraqija dhe Beqiri kishin shpërdoruar pozitën zyrtare duke i dhënë para në mënyrë të paligjshme producentit të kompanisë, “Morina Films”, Armond Morina për të bërë filmin “Mysafir në sofër”.

Haraqija kishte kryer vepër penale në projektin e dhënë kompanisë së Nehat Fejzës, “Concordia Pictures”. Ka dëmtuar buxhetin në vlerë prej 188.00,00 euro.

Kishte lidhur kontratë të kundërligjshme edhe me kompaninë “Morina Films”. Kishte tejkaluar autorizimet duke dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej 100.00.00 euro.

E, pasardhësi i tij Valton Beqiri kishte shpërdoruar detyrën zyrtare duke vazhduar projektet e kundërligjshme të nisura nga Haraqija.

Ai ka pasur dijeni se kontrata që kishte lidhur ministri i mëparshëm, ishte e kundërligjshme, derisa ka ishte lidhur anekskontratë me kompaninë ‘Morina Films’, duke dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej 100.000.00 euro.

Si u shpenzuan paratë e dedikuara për filma?

Nehat Fejza, i dënuar për mashtrim në detyrë kishte bërë “rrush e kumbulla” paratë e marra për filmin “Power cuks” të cilin më vonë e kishte quajtur “Ndjekja e Larës”.

Të gjitha faturat e këtyre shpenzimeve i kishte dorëzuar në Ministri të Kulturës si arsyetim të shpenzimeve për film.

Mes tyre edhe një faturë të riparimit të ndërruesit të shpejtësive. 1.600 euro kishte kushtuar riparimi i Mercedesit të tij të kryer tek autoservisi “Mercedes – Benz” në Bardhosh.

Faturat e Fejzës nisnin nga 1 euro e lartë. Kafe, raki, pije freskuese, pica, qebapë, internet, kartela telefonike, telefon me parapagim, taksi, benzinë, naftë etj janë disa prej faturave.

Edhe mobile kishte blerë në vlerë 1. 824. 00 euro.

“Ushqim për film” në vlerë prej 17. 70 quhet një faturë e një restoranti. Mbi 600 euro ushqim e pije kishte prezantuar ai. Telefon, sim kartela, pajisje kompjuterike, internet rreth 1500 euro. Hotele, karburante e taksi rreth 3000.

Për film ka prezantuar edhe një faturë tjetër të marrë në Turqi. Në të përshkruhej një blerje prej 25 kapuçash dhe pizhamesh në vlerë 29 euro e 50 cent.

Armond Morina ndërkaq kishte shpenzuar 74 mijë euro hotele, darka, karburante e bileta.

Një raportin që kishte paraqitur në vitin 2008, kishte  raportuar shpenzime në vlerë 682 euro për vete, 17 mijë e 30 euro për bashkëpunëtorin Cheril Johnson, 42 mijë e 348 për Izidore Codron, 5 mijë e 257 për Richard Green dhe 90 euro për fotografin Sajmir Karahoda. 65.408.68 euro gjithsej.

Autoparking kishte raportuar se ka shpenzuar 1.80 euro. Naftë e benzinë 410 euro, veturë me qira të marrë tek “Shotani” 800 euro, shpenzime tjera udhëtimi 63 euro e 50 centë, taksi 35. 15 euro.

Akomodime dhe ushqim kishte prezantuar si shpenzime 6 mijë e 382 euro, telefonata 228.98 euro, material pune 242.50 euro, provizione bankare 166.60, shërbime kontabiliteti 400 euro, shërbime administrative – 195.24 euro, taksa 200 euro.

Totali i shpenzimeve të prezantuara është 74,534.55 euro nga projekti prej 100 mijë euro. Nga fondi prej 100 mijë eurosh i kishin mbetur 25,465.45 euro.

Aktakuzën kundër tyre e kishte ngritur prokurorja Drita Hajdari.

Kontrata për financimin e filmit me skenar të jugafrikanes Cheryl Johnson, “Mysafir në sofër”, ishte nënshkruar në janar të vitit 2007 nga Alberta Troni, në atë kohë drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në MKRS, me autorizim të ish-ministrit Astrit Haraqija.

Pasardhësi i tij në postin e Ministrit të Kulturës, Skënder Hyseni kishte konstatuar se kontrata në mes të institucionit më të lartë të kulturës në vend dhe “Morina Films” ishte e paligjshme, sepse sipas tij, drejtoreshës së Departamentit nuk i lejohej të nënshkruaj kontratë me vlerë mbi 5 mijë euro.

Më të ardhur në krye të Ministrisë, Valton Beqiri, e kishte rikthyer këtë kontratë, duke dhënë zotime se do të zbatohet pikë për pikë. Kishte bërë edhe një aneks kontratë.

Sipas kësaj kontrate, MKRS-ja do të financonte realizmin e filmit “Mysafir në sofër”, me 350 mijë euro përderisa i gjithë filmi qe paraparë të kushtonte rreth 5 milionë euro.

Në nëntor të 2009-s, Beqiri kishte urdhëruar transferimin e 100 mijë eurove në llogarinë e “Morina Films”.

E për filmin “Power Cuts” të kompanisë filmike “Concordia Pictures”, që po ashtu nuk u realizua kurrë, Ministria e Kulturës më 2009 kur MKRS-ja udhëhiqej nga Valton Beqiri, kishte paditur kompaninë.

Në bazë të një kontrate që kjo kompani kishte nënshkruar me Ministrinë e Kulturës në vitin 2006 – e cila atëherë drejtohej nga Astrit Haraqija – filmi do të duhej të kryhej në vitin 2007, ndërsa sipas kontratës MKRS-ja e financonte me 220 mijë euro.

Prej kësaj shume, janë dhënë 188 mijë, shumë kjo të cilën MKRS-ja, tre vjet pas nënshkrimit të kontratës krahas padisë i kërkonte “Concordia Pictures” që t’i kthente paratë. Arsyetimi për këtë ishte se nuk është zbatuar afati i xhirimeve.

E vetmja gjë që kishte bërë kompania filmike ishte ndryshimi i emrit të projektit në “Ndjekja e Larës”. /Insajderi.com

Astrit Haraqija është duke u gjykuar si pjesë e grupit të Ukë Rugovës. Insajderi pritet të botojë një seri shkrimesh për veprimtarinë e këtij grupi javën e ardhshme.

astriti