Gjyqtarët e EULEX-it e akuzojnë shefen e tyre për shkelje ligjore

04.11.2016

Shefja e Misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou është përballur me një akuzë të shkruar nga tetë gjyqtarë të EULEX-it për shkelje të ligjit. Ata e kanë akuzuar shefen e tyre se në mënyrë të kundërligjshme ka anuluar përzgjedhjen e gjyqtarëve. Shefja e misionit ka anuluar këtë proces, me arsyetimin se ka pasur shkelje. Mirëpo, Bordi i ankesave nuk ka gjetur shkelje. EULEX-i ka mohuar çfarëdo ndërhyrje.

Gjyqtarët e EULEX-it e akuzojnë shefen e tyre për shkelje ligjore

Tetë gjyqtarë të EULEX-it e kanë akuzuar shefen e misionit, Alexandra Papadopoulou, për vendime të paligjshme.

E kanë paralajmëruar se vendimi i saj për anulimin e procesit të zgjedhjes së gjyqtarëve të misionit që do të punojnë për dy vitet e ardhshme në Kosovë, është ndërhyrje flagrante dhe e paligjshme në drejtësi.

Këta gjyqtarë kishin dalë fitues në një proces të brendshëm zgjedhjes për të punuar në Kosovë deri në fund të mandatit të EULEX-it, në 2018.

Zgjedhja e tyre ka ndodhur pas një procesi të intervistimit. Trembëdhjetë kandidatë ishin në garë. Pesë gjyqtarët që tashmë kishin humbur punën në Kosovë, ishin ankuar në Bordin e ankesave. Mirëpo, Bordi nuk kishte konstatuar asnjë shkelje. Vendimin përfundimtar për këtë proces e kishte aprovuar edhe shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou.

Por, disa javë më vonë, ajo ka vendosur që ta anulojë dhe ta rishpall atë. Të trembëdhjetë gjyqtarët duhet t’i nënshtrohen garës sërish. Tetë gjyqtarët që ishin zgjedhur në konkursin e parë kanë shprehur pakënaqësi.

Burime brenda EULEX-it, i kanë thënë Insajderit se anulimi ka ndodhur pas ndërhyrjeve nga jashtë. Ndërhyrjet më të mëdha, sipas këtij burimi kanë ndodhur nga Gjermania, pasi një gjyqtar i këtij shteti ka mbetur jashtë procesit.

Insajderi ka siguruar njoftimin e shefes së EULEX-it për anulimin e procesit të zgjedhjes së gjyqtarëve si dhe ankesën e gjyqtarëve të zgjedhur në procesin e parë.

Procedura e zgjedhjes

Gjyqtarët Anna Adamska Gallant, Arkadiusz Sedek, Elka Flecheva – Ermenkova, Jorge Ribeiro, Marie Tuma, Mariola Plasnik, Piotr Bojarczuk dhe Vladimir Mikula ishin zgjedhur gjyqtarë në procesin që kishte ndodhur në gusht të këtij viti.

Një panel përzgjedhës i përbërë nga kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, zëvendësit të tij dhe shefja e Divizionit Ekzekutiv, Jaroslava Novotna së bashku me një vëzhgues nga zyra e burimeve njerëzore, kishin intervistuar gjyqtarët e EULEX-it për pozitat e gjyqtarëve në Gjykatën Supreme të Kosovës, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatat Themelore.

Me 29 shtator 2016 gjyqtarët ishin informuar për rezultatet e procesit të përzgjedhjes. Ankesat ishin paraqitur më pas nga pesë gjyqtarët që kishin humbur garën.

Gjyqtarët e mbetur jashtë misionit, Dariusz Sielicki, Hajnalka Karpati, Jennifer Seel, Radostin Boarczuk dhe Radostin Petrov, ishin ankuar në Bordin e Ankesave. Bordi i kishte hedhur poshtë këto ankesa.

Por një muaj më vonë, më 31 tetor 2016, shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou kishte informuar gjyqtarët që kishin marrë pjesë në procesin e përzgjedhjes së vendimit të panelit përzgjedhës, ishte anuluar dhe se gjyqtarëve do t’u duhej të kalonin nëpër një proces të përzgjedhjes së dytë, ani se ajo e kishte pranuar këtë proces si të rregullt.

Shefja e EULEX-it ua ka vazhduar mandatin të gjithë gjyqtarëve deri më 14 dhjetor të këtij viti.

“Ky është shembull i qartë i ndërhyrjes politike në procesin e zgjedhjes së gjyqtarëve të EULEX-it”, ka thënë një burim në EULEX.

Sipas tij, vendimi për anulimin e procesit nga ana e shefes së Misionit të EULEX-it është turp në BE.

“Kjo çështje tashmë i është referuar shumë institucioneve të BE-së që janë duke e hetuar rastin”, ka thënë burimi.

EULEX-i ndërkaq ka mohuar akuzat për ndërhyrje politike apo ndërhyrje tjera në procesin e zgjedhjes së gjyqtarëve. Ky mision ka thënë se gjatë rregulloret e brendshme të EULEX-it parashohin mekanizmin e rishqyrtimit për kandidatët me anë të cilit, ata mund ta kundërshtojnë saktësinë dhe drejtësinë e këtij procesi.

Sipas misionit, ky proces i rishqyrtimit mëton të sigurojë përjashtimin e çfarëdo ndërhyrjeje.

“Misioni i ka pranuar një numër të ankesave lidhur me përzgjedhjet e caktuara. Pas shqyrtimit të kujdesshëm të ankesave të parashtruara Shefja e Misionit ka vendosur që katër prej këtyre konkurseve të brendshme – në mesin e këtyre edhe një i kontestuar për gjyqtar – duhej të përsëriteshin për shkak të disa parregullsive procedurale, të cilat kanë mundur ta ndryshojnë rezultatin”, ka thënë zëdhënësja e Misionit, Besa Domi.

“Misioni i mohon fuqishëm akuzat të cilat pohojnë ndonjë ndërhyrje politike të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, dhe përkundrazi, përsëritja e përzgjedhjes synon të sigurojë përzgjedhje të drejtë dhe pa asnjë mundësi të animit ose paragjykimit”.

Arsyetimi i shefes së EULEX-it

Arsyetim të njëjtë ka dhënë edhe shefja e Misionit në letrën e dërguar gjyqtarëve më 31 tetor 2016 të cilën e ka siguruar Insajderi, shefja e EULEX-it sqarohen arsyet e anulimit të konkursit.

“Në pajtim me nenin 5 të Procedurës Standarde të Operimit dhe bazuar në procesin e rikonfigurimit kam marrë vendim: Konkursi për Gjykatën Supreme/Gjykatën e Apelit dhe Ekipi i Gjyqtarëve Mobil do të përsëritet”, thuhet në letër.

Shefja e EULEX-it thotë se pasi ka kombinuar ankesat dhe rekomandimet individuale të Bordit të Ankesave, ka gjetur se disa shqetësime të cilat mund të mos jenë në gjendje të shtrembërojnë drejtësinë ose saktësinë e rezultatit, mund të kenë pasur ndikim në rezultat.

“Ajo që duhet të theksohet është se ankesat individuale nuk janë arsyetuar dhe asnjë nga anëtarët e Bordit nuk kanë gjetur ndonjë shkelje serioze”, thotë ajo.

“Vendimi im është i motivuar nga objektivit kryesor, ai i konkurrencës, përkatësisht: ‘Misioni do të respektoj principin se përzgjedhja duhet të bëhet në bazë të kompetencës dhe përvojës relevante, duke respektuar principin e mos diskriminimit dhe të përpiqet për barazi gjinore. Misioni do të luftojë për zgjedhje në bazë më të gjerë të mundshme gjeografike dhe do  të përpiqet që të krijojë një diversitet kombëtar në çdo njësi të organizative ku është e mundur të bëhet’”, thotë Papadopoulou më tej.

Akuzat për shkelje ligjore

Gjyqtarët e zgjedhur në konkursin e parë të cilët janë prekur nga ky vendim, i kanë shkruar një letër të gjatë shefes së Misionit, më 2 nëntor të këtij viti. Ata, e akuzojnë shefen e tyre për vendim të paligjshëm.

“Me gjithë respektin për ju, arsyetimin dhe vendimi juaj është kontradiktor. Kur flisni për ‘rezultatet e sakta’ duhej ta specifikonit se për çka bëhet fjalë e jo ta përgjithësoni procesin”, kanë thënë gjyqtarët e nënshkruar në këtë letër.

“Për më tepër deklarata përfundimtare dhe vendimi juaj bie ndesh me nenin 5 të Procedurave Standarde të Operimit që parashikon se ‘vendimet e paneleve përzgjedhëse për secilin kandidat nuk do të jetë subjekt i shqyrtimit’”.

Sipas gjyqtarëve ankues, jo vetëm që vendimi i shefes së Misionit nuk është në përputhje me ligjin e Procedurave Standarde të Operimit dhe misionit , por nuk është arsyetuar dhe nuk bazohet në ndonjë dispozitë tjetër ligjore.

“Vendimi juaj është marrë një muaj dhe disa ditë pasi ju keni komunikuar rezultatet dhe i keni pranuar ato”, shkruan më tej në letër. “Ky vendim do të mund të ndikojë shumë negativisht në gjyqtarët të cilët kanë qenë të suksesshëm”.

Gjyqtarët kanë thënë se reputacioni i misionit mund të vihet në rrezik para autoriteteve lokale, “në një kohë kur mediat dhe politikanët përpiqen t’i diskreditojnë gjyqtarët e EULEX-it dhe nëse kjo publikohet në media ka të ngjarë që EULEX-i në tërësi të tallet në media dhe rrjete sociale”.

“Pra pasojat do të jenë shkatërruese për misionin”.

Procesi i konfigurimit të misionit është duke ndodhur pas marrëveshjes së autoriteteve kosovare dhe Brukselit për vazhdimin e mandatit edhe për dy vjet tjera. Misioni ka ardhur në Kosovë në vitin 2008 dhe pritet të qëndrojë deri më 2018.

Aktualisht, prokurorët e EULEX-i nuk kanë kompetenca që të hapin raste të reja hetimore. Ata mund të ngarkohen me raste të reja vetëm nëse një gjë e tillë i kërkohet kryeprokurori i Shtetit./Insajderi.com

hom-decision-1

hom-decision-2

letter-to-hom-1

letter-to-hom-2

letter-to-hom-3