“Gjurmët kriminale” të zyrtarëve të PDK-së

Një grup i cilësuar kriminal zyrtarësh të PDK-së në pushtet, dyshohet se kanë shkelur ligjin për përfitime partiake. Krimet e pretenduara të tyre, kanë dëmtuar rëndë interesat e qytetarëve që nuk i përkisnin këtij subjekti politik.

“Gjurmët kriminale” të zyrtarëve të PDK-së

Hetimet për përfshirje në aferën e përgjimeve, kanë arritur në maje të Partisë Demokratike të Kosovës.

Tetë zyrtarë të lartë të këtij subjekti po hetohen për veprime kriminale që dyshohet se i kanë kryer për përfitime të PDK-së.

Shefa të Grupit Parlamentar, deputetë, ministra, zëvendësministra, këshilltar politikë, janë duke u hetuar për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe shkelje të statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës.

Hetimi pritet të zgjerohet edhe kundër zyrtarëve tjerë të PDK-së, që mbajnë pozita të larta shtetërore e partiake.

Insajderi ka zbuluar detaje të hetimit të zgjeruar kundër këtyre zyrtarëve. Prokuroria dyshon se shefi i ri i GP të PDK-së, Zenun Pajaziti, si person zyrtar, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës në Parlamentin e Republikës së Kosovës, në bashkëkryerje me Adem Grabovcin, në mënyrë të kundërligjshme kanë mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e personave të Republikës së Kosovës në punësim, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në kundërshtim me ligjin për ndërmarrjet publike.

Këto veprime, dyshohen se i kanë kryer mbi bazën e dallimit politik dhe dallimeve tjera, duke u dhënë përparësi dhe privilegje individëve – personave të caktuar për punësim nga radha e PDK-së, si dhe kanë planifikuar dhe janë marrë vesh për përzgjedhjen e kandidatëve nga radha e PDK-ës në Borde të ndryshme të ndërmarrjeve publike, duke diskriminuar – mohuar të drejtat e personave të tjerë, në kuadër të kushteve të barabarta të cilat janë paraparë me ligj.

Me këto veprime, Pajaziti dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës.

Pajaziti, është futur nën hetime si pasojë e një bisede telefonike me Adem Grabovcin, gjatë hetimeve në vitin 2011 – 2012. Insajderi kishte siguruar vetëm përgjimet e vitit 2011.

Insajderi ka zbuluar se pos, Zenun Pajazitit, Prokuroria po e heton edhe ish-ministrin e Ekonomisë – Besim Beqaj, ish-sekretarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme – Ilhami Gashi, kryetarin e Degës së PDK-së në Prizren – Njazi Kryeziun, ish-zëvendësministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale – Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltarin e ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi – Sedat Gashin dhe ish-shefen e Divizionit Farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Besim Beqaj, deputet i PDK-së, dyshohet se në kohën sa drejtonte Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, ka kryer veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri Besim Beqaj…, në bashkëkryerje me të pandehurin Adem Grabovci, kanë shfrytëzuar detyrën dhe pozitën e tyre zyrtare…”, ka thënë Prokuroria. Ata dyshohen se me qëllim të sigurimit të dobisë kundërligjore për persona të tjerë – punësimin në institucione të ndryshme dhe për ta siguruar pushtetin politik dhe ndikim e Partisë Demokratike të Kosovës, me 9 dhjetor 2011, kanë planifikuar dhe janë marrë vesh për rishpallje të konkursit në ndërmarrjet publike “Trainkos” dhe “Infrakos”, si dhe me datat 12 dhjetor 2011 dhe 13 dhjetor 2011 kanë planifikuar dhe janë marrë vesh për përzgjedhjen e një personi, Nuredin Krasniqi,për ushtrues detyre të drejtorit të PTK-së.

Këtë e kanë bërë në kundërshtim me Ligjin për ndërmarrje publike.

Insajderi kishte publikuar tri biseda të Besim Beqajt, me Adem Grabovcin. Ata, kishin autorizime të plota që të menaxhonin qysh të donin pozitat në Trainkos, Infrakos dhe Postë Telekomin e Kosovës.

Bazuar në këto autorizime, tashmë ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci dhe ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj kishin prishur konkurset në këto institucione për Borde dhe për kryeshefë ekzekutivë.

Dy krerët e lartë të PDK-së, kishin qëllim që të sillnin njerëzit e tyre. Agron Thaçin, që vazhdon ta mbajë pozitën e kryeshefit të Infrakosit, e kishin përzgjedhur për këtë pozitë si njeri të besueshëm që do të punonte për interesat e tyre.

Ndërkohë, Sejdi Hoxhën, nipin e Azem Sylës do ta sistemonin në krye të Postës së Kosovës.

Beqajt i duhej mendimi i ish-kryeministrit Hashim Thaçi, se kë do ta emëronte për ushtrues detyre të PTK-së. Ai, së bashku me Thaçin e Grabovcin do t’ia diktonin Bordit të PTK-së, që vazhdon të drejtohet nga Rexhë Gjonbalaj, emërimin e Nuredin Krasniqit për ushtrues detyre. Krasniqi është mik i afërt i Xhavit Halitit.

Gjatë bisedës, Beqaj e porosit Grabovcin që të flas me kryeministrin për ushtrues detyre të PTK-së. Grabovci, i thotë që këtë do ta bisedojnë në drekë.

“Edhe ni çështje, nëse e sheh kta sot, kryeministrin… Nesër Bordi i PTK-së, duhet me marr vendim për ushtrus detyre”, thotë Beqaj.

“Okej okej, sot bisedoj me to”, i përgjigjet Grabovci.

“Bisedo me to, do të thotë jonë tri katër çështje t’cilat duheni me marr vendim sot që mos me…”, vazhdon Beqaj.

Biseda tjetër ka të bëjë me Trainkosin dhe Infrakosin si dhe me një person që quhet Afrim. Ai është Afrim Dauti nga Klina të cilin, Grabovci e kishte sistemuar në një institucion nëpërmjet Ilhami Gashit.

“A ke Afrimi”, e pyet Beqaj, Grabovcin, i cili e pohon se ishin takuar dhe e pyet nëse Beqaj e kishte dërguar tek ai. Ata flasin me numra, që lë të kuptohet se bëhet fjalë për renditje kandidatësh.

Beqaj e pyet Grabovcin që a t’i rishpallin konkurset për ndërmarrjet që lidhen me hekurudhat.

“A ti thom qetyne dyve, dytë t’i rishpallum? Trainkos edhe Infrakos”, pyet Beqaj.

“Sejdës (Hoxhës v.j.) i thash po edhe atij tjetërit nëse don thuj”, i përgjigjet Grabovci.

“Vallain pi thom…, o ka qet kushte, o ka qet shkokla”, shton Beqaj.

”Jo, e. Ken ata te unë thash… hiç thuj shko n’rrot t’samës. Pederi”, tregon Grabovci.

“A… t’iau… pra, t’iau rishpallum”, pyet serish Beqaj.

“Bon”, konfirmon Grabovci.

“Dytë. T’ia rishpallum edhe tanaj t’shohim”, përgjigjet Beqaj. “Edhe i zgjedhum tani edhe bordet edhe… U bo hajt”.

“U bo hajt. U bo, hajt, tung, tung”, përsërit Grabovci.

Në një bisedë tjetër, dy protagonistët e zhvillimeve në Kosovë flasin konkretisht për Agron Thaçin. Grabovci thotë se dikush ia ka lavdëruar shumë, derisa shton se nëse në pozitën që nuk ia përmendin emrin e dërgojnë dikë që i referohet “ai i Skenderajt” veç telashe do t’u del.

“Për qatë farë idenë si e patum, për me shty”, thotë Beqaj, teksa merr përgjigje nga Grabovci që të shkojë përpara procesi.

“Le t‘ecin… hiçu, mos, mos, veç na nxjerr telashe me çu atë t’Skenderajit aty”, sqaron Grabovci.

“Se fola me ata që ke nejt ti pramë, për atë Agrnonin ma livdoi… thash okej thash qysh t’dush veç… se ish për ata, mirë kanë bo, që spaskanë… mos i jepni shans, se veç ju nxjerrin telashe, se edhe unë jom darkord. Veç na del tani telashe mu e ty.

“Jo jo, po flas për, për kta krejt komplet”, thotë Beqaj. Po, veç fol me ata t’parin niher”, shton Beqaj, duke aluduar tek kryeministri i asaj kohe, Hashim Thaçi.

“Mu, e ty na ka lanë”, sqaron Grabovci autorizimet e marra nga Thaçi.

“Nëse na ka lanë mu e ty, unë po t’kallxoj, është mirë niherë mas pari m’u ul na tre bashkë edhe me ditë çka po dojmë”, kërkon Beqaj.

Nga përgjimet ishte zbuluar se Ilhami Gashi, ishte zbatues i skemës së Adem Grabovcit. Ai vendosej në krye të komisioneve për zgjedhjen e kandidatëve.

Insajderi ka zbuluar se Gashi po hetohet për shkak të dyshimit të bazuar se si sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në bashkëkryerje me të pandehurin Adem Grabovci, në mënyrë të kundërligjshme kanë mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e personave të Republikës së Kosovës në punësim.

Ata, dyshohen se mbi bazën e dallimit politik dhe dallimeve tjera kanë planifikuar dhe janë marrë vesh duke u dhënë përparësi dhe privilegje individëve – personave të caktuar për punësim në Bordin e drejtorëve në ndërmarrjen publike PTK dhe Bordin e drejtorëve në ndërmarrjen publike KEK si dhe për punësimin e personave të ndryshëm në Policinë e Kosovës, si dhe për vazhdimin e funksionit menaxherial të Blerim Camës në Agjencinë e Regjistrit Civil si dhe për punësimin e Ganimete Ryfaj.

Kësisoj, kanë diskriminuar- mohuar të drejtat e personave të tjerë, në kuadër të kushteve të barabarta të cilat janë paraparë me ligj.

Me këto veprime, dyshohet se në bashkëkryerjer ka shkelur statusin e barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës.

Për veprime të njëjta dyshohet edhe Nijazi Kryeziu, ish-kryesues i Kuvendit në Komunën e Prizrenit, në bashkëkryerje me të pandehurin Adem Grabovci. Dyshohen se kanë shfrytëzuar detyrën dhe pozitën e tyre zyrtare për të siguruar dobi kundërligjore për persona të tjerë- punësimin në institucione të ndryshme të Republikës së Kosovës, për ta siguruar pushtetin politik dhe ndikim e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ata kanë planifikuar dhe janë marrë vesh për përzgjedhjen e kandidatëve nga radha e PDK-së në Bordin e drejtorëve në ndërmarrjen publike “Ujësjellësi” në Prizren.

Insajderi kishte raportuar se si Adem Grabovci dhe Njazi Kryeziu, kishin vendosur se kush duhet të jenë anëtarë të Bordit të ndërmarrjes së ujësjellësit të Prizrenit.

Grabovci, që i telefononte Kryeziut ia lexonte 34 emra kandidatësh. Ata seleksionohen nga Kryeziu. Bashkëbiseduesit heqin nga lista kandidatë që nuk u përkasin atyre.

Teksa Grabovci ia lexonte emrat e kandidatëve, Kryeziu i seleksionon ata duke i hequr nga lista kandidatët që i konsideron se nuk janë të PDK-së, por të Eqrem Kryeziut dhe Fatmir Limajt.

Në këtë përgjim tregohet po ashtu se edhe deputeti Nait Hasani, kishte shtyrë përpara emërimin e një të afërmi të tij, por që Kryeziu e heq nga lista.

“34 kanë konkuru”, e njofton Grabovci posa nis biseda.

“Esat Krasniqi, Dalip Hoda, Habib Elshani, ky shkon”, vazhdon ai teksa merr sugjerimin që Esatin ta mbajë të parin në listë.

Ata vazhdojnë heqjen nga lista të shumicës së kandidatëve duke i sharë e fyer dhe duke konstatuar se nuk janë të “tyre”.

Për Fadil Kryeziun, një aktivistë i LDK-së në Prizren, Nijazi Kryeziu thotë se duhet të hiqet nga lista sepse mund të veprojë njëjtë si Sylë Hoxha.

“Kush i ka premtu, mos osht dikush prej tonve i paska premtu nashta”, pyet Kryeziu

“Jo, jo s`të thom unë me shti atë, qysh kemi me shti atë po ja bajmë me ta si me Sylë Hoxhën tani na e qin nanën”.

Ish-zëvendësministri i Punës, Fatmir Shurdhaj dyshohet se në bashkëkryerje me Adem Grabovcin, me datën 10 dhjetor 2011, në kundërshtim me Ligjin për ndërmarrjet publike, kanë planifikuar dhe janë marrë vesh për përzgjedhjen e personit Heset Sahiti në Bordin e drejtorëve e ndërmarrjes publike “Ujësjellësi” në Lipjan.

Në bisedën që kishte publikuar Insajderi, Adem Grabovci kishte bërë marrëveshje me Shurdhajn për ta sistemuar Heset Sahitin, në Bordin e Ujërave. Shurdhaj do ta sistemonte një person të quajtur Afrim, në një bord tjetër në Mitrovicë.

“O shef, qysh je? M’paske thirr, jom t’u shku për Gjermoni, jom n’airoplan, si je”, thotë Shurdhaj.

“Duhet me marr shefin me veti, jo me lanë shefin… Hiç, hiç as s’po lajmëron ka po shkon as hiç, veq ngarkon detyra bone qita, bone qata, ani ani… Përgaditu për interpelancë, si t’kthehesh prej atjehit, votëbesimin e ki”, e “kërcënon Grabovci.

“Jo, jo, ti shefi, unë jom n’shërbim t’juvin”, i përgjigjet Grabovcit, Shurdhaj.

“O shef… kqyr, se m’ka porosit Heset Sahiti, ka konkuru, me ni bord t’ujërave, ky i Lipjanit. Osht burrë i mirë ai”, e porosit Shurdhaj, shefin.

“Hajt t’kqyri, ja ja… për kon ti… Afrimin a…, a e ka nis Afrimi hala”, e pyet menjëherë Grabovci?

“Afrimi u hi n’intervistë Mitrovicë veç me me sh.. sh…, me gojë ka me hi, n’rregull osht”, përgjigjet ministri, teksa Grabovci ia konfirmon se është kryer me Afrimin.

“Faleminderit, shef shumë”, shprehet mirënjohës Shurdhaj, për ta përgëzuar shefin se ka qenë i mirë në debat.

“I mirë je kanë n’debat hej, mos harro… T’kom përcjell, e ki kall”, thotë ai.

Arbenita Pajaziti, si person zyrtar, shefe e Divizionit farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë, në bashkëkryerje më Adem Grabovcin, kishin planifikuar që Pajaziti të emërohej në pozitën e Kryeshefes në Agjencinë për produkte medicionale, në periudhën kohore 06 dhjetor – 20 dhjetor 2011 në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës

Të dy kanë planifikuar dhe janë marrë vesh për përbërjen e komisionit për përzgjedhjen e kryeshefit të Agjencisë, për ta siguruar përzgjedhjen e Arbenita Pajazitit në këtë pozitë.

Ish-këshilltari politik i Bajram Rexhepit, dyshohet se në bashkëkryerje me Adem Grabovci, kanë planifikuar dhe janë marrë vesh për punësimin e Afrim Dautit në një vend për koordinator në Pejë./Insajderi.com

(Në transkriptim të bisedave mund të ketë lëshime të vogla teknike).

[iframe id=”https://www.youtube.com/embed/videoseries?list=PLIKGlbXyvgfjhHy2bWiIKDAwyEz5iE5-u” align=”center” mode=”normal” maxwidth=”680″]