Favori 52 mijë eurosh për kompaninë e lidhur me kryesuesin e bordit

Tenderi në vlerë prej mbi 58 mijë euro i Ujësjellësit Prishtina u përcoll me shkelje të ligjit të prokurimit publik dhe rregullores së Bankës Qendrore për zbatimin e tarifave të sigurimit të detyrueshëm të autopërgjegjësisë. Kompania që e fitoi tenderin përkundër këtyre dy shkeljeve e ka të punësuar Amir Gashin, kryesuesi i bordit të ndërmarrjes publike KUR Prishtina.

Favori 52 mijë eurosh  për kompaninë e lidhur me kryesuesin e bordit

Amir Gashi, kryesues i Bordit të Drejtorëve të kompanisë së ujësjellësit rajonal Prishtina, punon edhe si zyrtar ligjor në kompaninë private të sigurimeve “Sigkos”. Gashi u emërua në këtë post publik më 30 dhjetor të vitit të kaluar.

Menjëherë pas dy muajve kjo ndërmarrje publike shpalli fitues në një tender publik kompaninë “Sigkos”, ku është i punësuar Gashi. Kompania u shpall fituese në tenderin e emërtuar “Sigurimi nga Autopërgjegjesia i Automjeteve të KUR Prishtina Sh.A”, më 31 dhjetor 2015.

Njoftimi për dhënie kontrate është publikuar më 31 dhjetor 2015 në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. Oferta e kësaj kompanie peshonte në vlerë prej 52 mijë e 868 euro.  Ujësjellësi Prishtina njoftoi se kjo kompani kishte ofruar çmimin më të ulët të përgjegjshëm në tenderë.

Përveç këtij fakti, kjo kompani private nuk ka plotësuar kriteret e përcaktuara në dosje të tenderit nga vetë ndërmarrja KUR Prishtina. Organi Shqyrtues i Prokurimit ka pamundësuar nënshkrimin e kontratës mes kompanisë private ku punon Gashi dhe ndërmarrjes publike që udhëhiqet nga i njëjti. Më 26 shkurt 2016 ka vendosur që tenderi të anulohet.

Amir Gashi, i kontaktuar nga Insajderi, nuk ka dashur të komentojë për detajet e rastit. Ka thënë se dy punët e tij nuk mund të kenë ndërlidhje njëra me tjetrën. Ka thënë se punon si zyrtar ligjor në “Sigkos”, ndonëse në faqen zyrtare të kësaj kompanie shënohet se ai është këshilltar për degën e Prishtinës.

“Ky tender është anuluar me vendim të OSHP-së. Nuk është nënshkruar kontrata”, ka thënë shkurt Gashi.

Amir Gashi bordi  Amir Gashi kompania

Shkelet rregullorja e Bankës Qendrore

Ndaj vendimit të Ujësjellësit që shpall fitues kompaninë “Sigkos”, është deponuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Ankesa është dorëzuar nga kompania konkurrente “ “Sigal Uniqa Group Austria”, që pretendon se kompania fituese në momentin e konkurrimit nuk kishte respektuar “Rregulloren për zbatimin e tarifës për sigurimin e detyrueshëm të autopërgjegjësisë TPL dhe TPL plus”, të aprovuar nga Banka Qendore.

Kompanitë e sigurimeve obligohen që të respektojnë këtë rregullore kur aplikojnë në tenderë publikë dhe nuk mund të ofrojnë shërbime në kundërshtim me të. Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte angazhuar Ekspertin shqyrtues që të bënte një raport lidhur me pretendimin e kësaj kompanie.

Eksperti shqyrtues i ka dhënë të drejtë këtij pretendimi. Ka konkluduar se ndërmarrja publike kishte vendosur në shpërputhje me Ligjin e Prokurimit Publik kur kishte shpallur fitues kompaninë “Sigkos”.

“Eksperti shqyrtues më tej ka sqaruar se kompania ankuese pretendon se për automjetin Minibus dhe Kombibus – Renault (Master P5 dhe M7) kompania “Sig Kos” ka ofertuar me autobus urban, mirëpo për të njëjtin automjet Ujësjellësi ka kërkuar edhe sigurim TPL plus/ Polisa”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Kjo, sipas ekspertit shqyrtues, përbën shkelje të rregullores së miratuar nga Banka Qendrore pasi që kompanitë e sigurimeve obligohen ta respektojnë këtë dokument.

“Autobusët urban nuk janë të obliguar të sigurohen me TPL plus -Polisa dhe në këtë rast nga kompania fituese është shkelur rregullorja për zbatimin e tarifave për sigurimin e detyrueshëm të auto përgjegjësisë TPL dhe TPL plus”, të aprovuar nga BQK-ja”, thuhet në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit. Vendimi shton se Paneli Shqyrtues i OSHP-së i ka falur besimin raportit të ekspertit shqyrtues të datës 25 janar të këtij viti.

 Ujësjellësi: Nuk ishim në dijeni se kryetari i bordit punonte në “Sigkos”

Insajderi ka pyetur menaxhmentin e ndërmarrjes KUR Prishtina lidhur me këtë tenderë. Ka marrë përgjigje nga Zyra e Prokurimit. Kjo zyrë ka treguar se fillimisht nuk ka qenë në dijeni se në këtë kompani private është i punësuar edhe kryesuesi i bordit, Amir Gashi. Më 15 dhjetor të vitit të kaluar kjo ndërmarrje kishte dërguar Njoftimin për Dhënie Kontrate në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik. KRPP i bën publike njoftimet në faqen e saj zyrtare.

“Në lidhje me faktin se i emëruari në bordin e Ujësjellësit Prishtina , dy muaj më herët, 30 tetor 2015, figuron ende si këshilltar i degës së Sigkos në Prishtine, ne në departamentin e prokurimit jemi njoftuar nga Zyrtari Kryesor Administrativ (ZKA) z.Gjelosh Vataj. Kjo ka ndodhur me datën 15 dhjetor 2015 në mesditë. Ne në po të njëjtën ditë, 15 dhjetor 2015, në mëngjes kishim dërguar në KRPP Njoftimin për Dhënie të Kontratës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurimit të Ujësjellësit Prishtina.

Pas informimit nga ish-drejtori Vataj, zyrtarët e prokurimit kishin ndaluar publikimin e njoftimit për dhënie të kontratës në faqen e KRPP-së.

“Po të njëjtën dite i jemi drejtuar KRPP’s me kërkesë për interpretim/Këshillë Profesionale/ në lidhje me ekzistimin eventual te “KONFLIKTIT TE INTERESIT””, thuhet në përgjigjën e KUR Prishtina dhënë Gazetës Insajderi. KRPP i kishte sugjeruar që t’i drejtoheshin edhe Agjencisë Kundër Korrupcion.

“Pas periudhës gati 2 javore,ne kemi marrë përgjigje nga AKK, e cila është konsultuar edhe me zyrtar ligjor të KUR Prishtina sh.a. dhe prapë kemi ardhur në përfundim se në asnjë situatë nuk kemi të bëjmë me konflikt interesi”, thuhet në përgjigjet e kësaj ndërmarrje publike.

Zyra e Prokurimit e Ujësjellësit thotë se ky tenderi është dërguar për publikim në ëeb faqen e KRPP-së me datën 28 gusht të vitit 2015, tre muaj para ardhjes së Amir Gashit në krye të ndërmarrjes.

“Komisioni për vlerësim të tenderit, fillimisht kishte shpërblyer me kontratë kompaninë “KS SIGURIA”, si tenderuesin me çmimin më të lirë. Ky ka qenë kriteri i shpërblimit të kontratës, pra çmimi më i lirë dhe me vendim të OSHP’s, lënda është kthyer në ri-vlerësim”, thuhet në përgjigjen e Zyrës

Zyra e Prokurimit ka deklaruar se tenderi nuk është anuluar për shkak të Amir Gashit.

“Tenderi është anuluar për çështje tërësisht teknike, jo pse z.Amir Gashi qenka në krye të BD të KURP sh.a.”, thuhet në përgjigjën e kësaj zyre.

Ujësjellësi Prishtina vlerëson se kompania “Sigkos”, ishte e vetmja që ka plotësuar  mbi 99 për qind të kërkesave të tenderit.

“E vetmja çështje që është kontestuar nga OSHP ka qenë minibusi i cili, sipas tyre, nuk qenka në përputhje me tarifat e BQK-sw. I kemi kërkuar dy/2 herë sqarim departamentit përkatës në kuadër të BQK-sw dhe, fatkeqësisht, të dy herat pa sukses pasi që as ata nuk kishin gatishmërinë të na japin  sqarimet e kërkuara!”, thuhet në përgjigjet e kësaj ndërmarrje publike.

Kjo ndërmarrje nuk pajtohet me vendimin e OSHP-së për të anuluar tenderin. Por fajëson OSHP-në që nuk i ka dhënë hapësirë për të bërë kundërshtimet.

“Ne, në reagimin tonë dërguar  OSHP-së , kemi kontestuar raportin e ekspertit shqyrtues dhe me këtë rast kemi thënë se gjatë mbajtjes së seancës do shpalosim argumentet tona dhe do japim arsyet se pse neve nuk e pranojmë një pjesë të këtij raporti. Fatkeqësisht, vendimi i OSHP-së ishte bërë pa organizim të seancës, prandaj edhe nuk patëm mundësi që të shfaqim më tutje kontestimin tone. Argument yni shtesë, i cili do të shpalosej ne seancën ne OSHP, është se Operatori Ekonomik që është ankuar, pra SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA    ka dhënë pesë/5 çmime/tarifa që nuk janë në përputhje me aneksin 1 të dosjes së tenderit”, thuhet në përgjigjën e kësaj ndërmarrje.

Ndërkaq Flora Sahiti, zyrtare ligjore në KRPP, ka deklaruar për Insajderin se ky institucion i ka kthyer përgjigje kësaj ndërmarrje publike duke e njoftuar se “ligji për prokurimin publik nuk trajton në mënyrë decidive çështjen e rasteve të konfliktit të interesit”.

Ndërkaq Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsion, nuk ka dashur të komentoi se pse Agjencia në këtë rast ka vlerësuar se nuk ekziston konflikt interesi. Ka thënë se opinioni është i publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë Kundër Korrupsion.

Sigkos: Ofertuar bazuar në rregulloren e BQK-së

Ndërkaq kompania e sigurimeve “Sigkos”, vlerëson se nuk mund të ketë lidhshmëri mes dy angazhimeve të Amir Gashit.

“Këto dy funksione te cilat i ushtron z. Gashi nuk kanë ndërlidhje njëra me tjetrën, dhe pretendimet për favor janë të pabazuara, sepse : lidhur me çështjen e “KONFLIKTIT TE  INTERESIT “,  KUR – Prishtina Sh.a ka marrë edhe opinionin e AKK –së, dhe të KRPP – së, si dhe Zt. Gashi është Kryesues i bordit te drejtorëve ne KUR – Prishtina Sh.a, e jo zyrtar ne zyrën e prokurimit te kësaj kompanie”, thuhet në përgjigjën e kompanisë “Sigkos”.

Kompania ka shtuar se ka respektuar në tersi rregulloren për zbatimin e tarifës për sigurimin e detyrueshëm te auto-përgjegjësisë TPL dhe TPL +” të  aprovuar nga Banka Qendrore.

“Pretendimi  për shkeljen e “Rregullores për zbatimin e tarifës për sigurimin e detyrueshëm te auto-përgjegjësisë TPL dhe TPL +” te  aprovuar nga BQK – ja, nga Kompania e Sigurimeve KS “SIGKOS” SH.A gjatë ofertimit me policën TPL + për Minibus dhe Kombibus (Master P5 M7)  është i pa bazuar sepse :Edhe pse autobusët urban nuk janë te obliguar te sigurohen me policën TPL +,  ne dosjen e tenderit Autoriteti Kontraktues  ka  kërkuar te ofertohet edhe me ketë policë dhe qëllimi  i kësaj rregulloreje është përcaktimi i strukturës së primit, që siguruesi duhet të zbatojë në caktimin e primit për sigurimin e detyrueshëm, e jo obligushmëria e pajisjes me apo pa policë TPL + për autobusët urban”, thuhet në përgjigjën e kësaj kompanie. (Insajderi.com)