“EL Chapo” kosovar që arriti të përfitojë mbi 1 milion euro nga tenderët publikë (I)

10.07.2017

Insajderi dhe organizata jo-qeveritare Democracy Plus kanë zbuluar se si kompania e biznesmenit të burgosur, Milaim Berishës, ka arritur që të përfitojë dhjetëra tenderë publikë, vlera e të cilëve kalon shumën prej mbi 1 milion e 300 mijë eurove.

“EL Chapo” kosovar që arriti të përfitojë mbi 1 milion euro nga tenderët publikë (I)

Rrëfimi për biznesmenin Milaim Berisha ka disa ngjashmëri me jetën e një prej narko-trafikantëve më të njohur botëror, meksikanin Joaquín Guzmán, të njohur me nofkën “El Chapo”. Ndryshojnë periudhat kohore dhe natyra e biznesit, por të dytë patën fatin që të shënojnë suksese në biznes gjatë kohës sa gjendeshin në burg.

“El Chapo”, në vitin e largët 1993, teksa gjendej në burgun federal të Puente Grande, në afërsi të qytetit Guadalajara në Meksikë, menaxhonte dhe korrte suksese në biznesin e tij të pisët të narkotrafikut.

Njëzet e tri vjet më pas, më 2016, edhe biznesi i Milaim Berishës në Kosovë arriti që të korrte suksese të mëdha teksa pronari gjendej në burg. Berisha gjatë vitit 2016 po luftonte në dy fronte, ka zbuluar Insajderi.

Ai gjendej në paraburgim që nga viti 2013. Ishte duke pritur vendimin e trupit gjykues në procesin e rigjykimit të tij për vrasje të rëndë në tentativë, ndërsa në anën tjetër kompania e tij priste rezultatet e konkurrimeve në tenderët e Komunës së Shtërpcës.

Insajderi ka zbuluar se Komuna e Shtërpcës ka shpërblyer me dhjetë tenderë kompaninë e biznesmenit të burgosur. Një javë para se trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Ferizajt të vendoste për fatin e Berishës , më 17 qershor 2016, kompania Linda Sh.P.K ishte shpallur fituese e një tenderi prej mbi 9 mijë e 500 eurosh nga Komuna e Shtërpcës.

Por, biznesi i tij u tregua më i suksesshëm pas dënimit Berishës me katër vjet e gjashtë muaj burg. Ishte një javë e tërë e mbushur me suksese. Fillimisht, katër ditë pas dënimit, më 21 qershor, kompania u shpall fituese në një tender prej 9 mijë e 600 eurosh.

Nuk vonoi shumë dhe një ditë më pas, më 22 qershor u shpall sërish fituese. Vlera e tenderit ishte mbi 28 mijë euro. Sukseset për kompaninë nuk kishin të ndalur. Kaluan vetëm dy ditë dhe u shpall sërish fituese në një tender për rindërtim shkollash, i cili peshonte mbi 140 mijë euro.

Vlera totale e tenderëve të përfituar nga autoritetet komunale të Shtërpcës arrin shifrën prej mbi 1 milionë e 33 mijë eurosh. Autoritetet komunale të Shtërpcës, në njoftimet për dhënie të kontratës për këta dhjetë tenderë, kishin shënuar se person kontaktues për zbatimin e kontratës është Milaim Berisha.

Historia e "El Chapo's" nga kosovar

#Insajderi dhe Democracy Plus sjellin hulumtimin "El Chapo" kosovar që përfitoi mbi 1 milionë euro derisa ishte në burg. https://goo.gl/oErCQv

تم نشره بواسطة ‏‎Insajderi‎‏ في 10 يوليو، 2017

Kompania e Berishës është dashur të përjashtohet nga konkurrimi në tenderë

Vendosja e emrit të një të burgosi si person kontaktues për implementimin e një kontrate publike dhe shpallja fitues e kompanisë së tij bie ndesh me Ligjin e Prokurimit Publik. Insajderi ka kërkuar një shpjegim ligjor nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik lidhur me rastin e tenderit të përfituar nga biznesmeni i burgosur.

KRPP-ja, institucioni që ka mandatin për të interpretuar ligjin e prokurimit, në një përgjigje dhënë Insajderit ka pohuar se veprimi i autoriteteve komunale të Ferizajt përbën shkelje ligjore. Sipas KRPP-së, neni 65 i këtij ligji obligon autoritetet komunale që të diskualifikojnë nga gara kompanitë private, drejtuesit e të cilave kanë qenë apo janë të dënuar për kryerje të veprave penale.

Insajderi i ka dërguar pyetje autoriteteve komunale të Shtërpcës për të marrë përgjigje lidhur me tenderët e fituar nga kompania Linda Sh,P.K. Zyrtarët e kësaj komune ende nuk kanë kthyer përgjigje. Ngjashëm kanë vepruar edhe zyrtarët e kompanisë private Linda Sh.P.K, ndonëse Insajderi ka dërguar pyetje në e-malin zyrtar të kësaj kompanie.

Dhjetë tenderët e kompanisë së Berishës – vlera në euro dhe koha e përfitimit

Gjatë vitit 2016 kompania e Milaim Berishës kishte përfituar gjithsej dhjetë tenderë nga Shtërpca. Në të gjitha njoftimet për dhënie të kontratës, si person kontaktues ishte shkruar emri i Milaim Berishës.

Tenderi i parë i fituar nga kjo kompani gjatë vitit të kaluar ishte ai i datës 8 qershor. Autoritetet komunale e kishin kontraktuar për asfaltimin e rrugës në fshatin Drekoc. Oferta e kompanisë së Milaim Berishës ishte në vlerë prej 9 mijë e 596 eurosh.

Herën e dytë ishte kontraktuar për asfaltimin e rrugës në fshatin Berevcë të Shtërpcës, më datën 21 qershor. Oferta e kompanisë Linda Sh.P.K ishte në vlerë prej 9 mijë e 677 eurosh.

Një ditë më pas, më 22 qershor ishte shpallur sërish fituese. Komuna e Shtërpcës përzgjodhi kompaninë Linda Sh.P.K për implementimin e fazës së katërt të ndërtimit të rrugës në fshatin Izhancë. Kontrata mes palëve peshonte mbi 28 mijë e 700 euro.

Kontraktimi për herën e katërt gjatë vitit 2016 ishte më i leverdishëm për kompaninë e Berishës. Ishte shpallur fituese në tenderin e emërtuar “Rindërtimi i shkollave fillore dhe të mesme në territorin e Komunës së Shtërpcës”. Vlera e tenderit ishte mbi 140 mijë e 100 euro.

Tenderi i pestë i përfituar ishte më i leverdishëm se i katërti, për afro 40 mijë euro. Më datën 11 tetor të vitit të kaluar kjo kompani ishte kontraktuar për ndërtimin e ujësjellësit në fshatin Sevcë. Tenderi peshonte mbi 178 mijë e 730 euro.

Gjatë muajit tetor ishte shpërblyer edhe njëherë nga Komuna e Shtërpcës. Më 17 tetor ishte shpallur fituese në tenderin për zgjerimin dhe sanimin e tregut ekzistues në Shtërpcë. Vlera e këtij tenderi ishte 59 mijë e 658 euro. Autoritetet komunale kishin vazhduar ritmin e njëjtë të kontraktimit të kompanisë Linda Sh.P.K edhe në muajin nëntor. Kishte përfituar dy tenderë.

Më 3 nëntor ishte shpallur fituese në tenderin e emërtuar “Rregullimi i terreneve sportive, f. Gotovushe, Mrxhince, Biti Epërme”, në vlerë prej 57 mijë e 410 euro, ndërsa më 8 nëntor ishte shpallur fituese në tenderin e emërtuar “Rregullimi të rrugëve me kubëza të betonit Sevcë, Vrbeshtica, Jazhincë, Gotovusha, Popovcu, Brezovicë dhe Shtërpcë”, vlera e të cilit ishte 152 mijë e 328 euro. Ngjashëm si në tetor e nëntor, edhe në dhjetor kompania kishte fituar edhe dy tenderë tjerë.

Kompania në pronësi të Milaim Berishës ishte shpallur fituese në tenderin në vlerë prej 683 mijë eurosh për sanimin dhe rregullimin e infrastrukturës ekzistuese në territorin e Komunës së Shtërpcës. Tetë ditë më vonë, më 29 dhjetor, ishte shpallur fituese në tenderin për rikonstruimin e shkollës fillore “Rajko Urošević“ në Gotovushë  dhe shkollës “Jovan Cvijić“ në Shtërpcë. Kontrata mes palëve ishte në vlerë prej mbi 14 mijë eurosh./Insajderi.com

 

Nesër do të lexoni vazhdimin e hulumtimit, ku tregohet për: 

-Përfitimet e kompanisë së të burgosurit nga Komuna e Ferizajit

-Përfshirjën e Organit Shqyrtues të Prokurimit