Dosja hetimore për “trafikim organesh”

03.03.2016

Insajderi sjell dosjen hetimore të Tribunalit të Hagës të hetimeve për “trafikim organësh”. Në të janë dëshmitë e tetë dëshmitarëve që pretendojnë se kanë qenë pjesë e kidnapimit dhe transportimit të njerëzve.

Dosja hetimore për “trafikim organesh”

Një hetim për dyshimet për trafikim organesh është kryer gjatë viteve 2002-2003. Hetuesit e Tribunalit të Hagës kishin intervistuar tetë dëshmitarë.

Shtatë ishin pjesëtarë të UÇK-së dhe një viktimë. Ata pretendojnë se kanë transportuar viktimat për në Shqipëri me pretendimin se kishin udhëzime të qarta për të mos i rrahur.

Dëshmitarët u thanë hetuesve të Tribunalit të Hagës se kanë qenë pjesë e “një grupi” që ka vepruar deri kah fundi i vitit 2000.

Dëshmitë janë përmbledhur ne një raport hetimor sekret që Tribunali ia ka dorëzuar Task Forcës për Hetimin e pretendimeve të raportit të Këshillit të Evropës. Asokohe nuk kishte prova të bollshme për ngritjen e një aktakuze.

Insajderi ka një kopje të raportit hetimor.

Ky hetim kishte nisur pas një letre që Tribunali i Hagës kishte marrë nga gazetari amerikan, Michael Montgomery. Ai kishte intervistuar një dëshmitar, por nuk kishte boll material për të shkruar “për trafikim organesh”.

Ai iu drejtua Hagës me një letër.

Nuk kishte vonuar dhe hetuesit kishin zbritur në terren për të kryer hetime. Thonë se morën dëshmi të tetë “protagonistëve”, të cilët i koduan me numra.

Raporti përmbledh dëshmitë e tyre të përputhshme për krime lufte. Është i nënshkruar nga Eamon Smytin, shef i Misioneve në Shkup dhe Prishtinë. I është dërguar

Patrick Lopez Terres – shef i hetimeve me vërejtjen “kujdes mos t’u bije gazetarëve në dorë”.

“Patrrck, pas vizitës së 23 dhjetorit, 2003, u takova dje në mbrëmje (29 tetor) me Paul Coffeyn, drejtor i Departamenti i Drejtësisë në UNMIK. Ju lutem këtu i keni të mbyllura”, thuhet në raportin që mbanë datën 3 nëntor 2003 të nënshkruar nga Terrez Lopez dhe të vulosur me vulën e Tribunalit të Hagës.

Dëshmitari i parë i identifikuar si “burimi i parë” pretendon se ka marrë drejtpërdrejt pjesë në transportimin e pengjeve nga Kosova në Shqipërinë veriore dhe qendrore.

Ai është shqiptar nga Kosova jugperëndimore. Kishte shërbyer në luftë si shofer dhe luftëtar i profilit të ulët në UÇK-së.

Burimi dytë pretendon se kishte marrë drejtpërdrejt pjesë në transportimin e pengjeve nga Kosova në Shqipërinë veriore dhe qendrore.

Është shqiptar nga Kosova veriperëndimore. Pretendon se i ishte bashkuar UÇK-së në vitin 1998. Pretendon se kishte qenë shofer dhe luftëtar i profilit të ulët.

Burimi tretë, po ashtu pretendon se ka marrë pjesë drejtpërdrejt në transportimin e pengjeve nga Kosova për në Shqipërinë veriore dhe qendrore.

Ka thënë se ka qenë oficer sigurie në komandën e Rajonit të Dukagjinit.

Burimi i katërt është një shqiptar etnik nga Mali i Zi. Ka shërbyer si shofer dhe luftëtar i profilit të ulët të UÇK-së.

Ai pretendon se kishte marrë pjesë drejtpërdrejt në varrosjen e serbëve në Kosovë dhe në transportimin e pengjeve nga Kosova në Shqipërinë veriore.

Burimi i pestë pretendon se ka njohuri të drejtpërdrejtë në transportimin e pengjeve nga Kosova në Shqipërinë Veriore dhe qendrore. Në raport thuhet se mbetet i paqartë roli i tij i drejtpërdrejtë.

Raporti thotë se ka qenë i ranguar në nivelin e mesëm të hierarkisë në logjistikën e UÇK-së. Ka lidhje të afërta me Ramush Haradinajn.

Burimi i gjashtë është një shqiptar nga Prizreni, që ishte akuzuar nga UÇK-ja për bashkëpunim me serbët. Ai ishte marrë peng bashkë me vëllanë e tij dhe ishte mbajtur peng në një fabrikë në Kukës. Vëllai i tij, është vrarë në Kukës.

Dëshmitari ishte liruar dhe ishte kthyer në Prizren pas luftës. Pretendon se ka parë pengje serbe që ishin mbajtur peng prej UÇK-së në Kukës.

Burimi shtatë pretendon se ka njohuri të drejtpërdrejtë për qendrat e mbajtjes në Shqipërinë Veriore. Është shqiptar nga Kosova, ushtar i profilit të ulët në UÇK.

Burimi i tetë pretendon se ka njohuri të tërthortë për transportimin e pengjeve nga Kosova në Shqipërinë veriore.

Ai ka shërbyer nën komandën e komandant Ekrem Rexhës i njohur si Drini.

Kjo letër shpjeguese e raportit është e nënshkruar nga Paul E. Cofie, drejtor i departamentit për drejtësi në UNMIK. /Insajderi.com

Nesër: Çfarë thonë dëshmitarët për kampet në Shqipëri? Cili ishte roli konkret i dëshmitarëve në transportimin e njerëzve?