Dosja Grande VIII- Negociatat e dyshimta të familjes Rugova për armë me KFOR-in dhe Hajredin Kuçin

04.01.2017

Insajderi në serinë e tetë të Dosja Grande sjell rrëfimin e Ukë Rugovës për armatimin që ka poseduar rezidenca e ish-presidentit Ibrahim Rugova që prej vitit 1999.

Dosja Grande VIII- Negociatat e dyshimta të familjes Rugova për armë me KFOR-in dhe Hajredin Kuçin

“Blini armët dhe ne nuk do ua kërkojmë origjinën e tyre”, janë fjalët që zyrtarë të KFOR-it ia kishin thënë para shtatëmbëdhjetë vjetësh familjes Rugovës, sipas rrëfimit të Ukës.

Kjo marrëveshje gojore, sipas Ukë Rugovës, kishte një kusht: shërbimet e sigurimit të familjes presidenciale duhet të kujdeseshin që të mos blinin armë me të cilat më herët janë kryer veprime inkriminuese.

Këto detaje Rugova i kishte zbuluar para hetuesve të EULEX-it kur ishte pyetur për historinë e sasisë së madhe të armëve e municionit të gjetura në shtëpinë e tij. Pikërisht nga rezidenca e ish-presidentit, Ibrahim Rugova, njeriut që mori famë botërore për shkak të ndjekjes së një politike paqësore, policët dolën me mbi 400 fishekë.

Tërë ky municion dhe dy armë pa leje të gjetura në datat 5 dhe 6 shkurt të vitit 2014, janë pjesë e aktakuzës kundër Ukë Rugovës.

Policia gjatë bastisjeve kishte konfiskuar një pistoletë të llojit Sig Sauer, dy karikatorë dhe  një revolver Zastava dhe 432 fishekë.

Gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit e EULEX-it, Ukë Rugova ishte pyetur se si kishin përfunduar këto armë dhe ky municion në shtëpinë e tij.

Rugova kishte pohuar se në shtëpinë e tij gjithmonë ka pasur armë, pasi që janë përdorur nga sigurimi i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Aktualisht, sipas tij, shtëpia ka dhjetë truproje. Edhe më shumë kishte sa ishte gjallë presidenti Rugova, tregonte para hetuesve Ukë Rugova.

“Në vitin 1999 shërbimet e sigurimit kishin një marrëveshje me zyrën e Presidentit dhe KFOR-i nuk ishte përgjegjës për sigurimin e armëve për shërbimet e sigurimit, por ata na thanë ‘blini armët dhe ne nuk do ua kërkojmë origjinën e tyre’ (KFOR-i ka thënë), por me një kusht që armët e blera të mos kenë qenë të përfshira në ndonjë veprim inkriminues”, ka pohuar Rugova.

Përgjegjësit për media të KFOR-it janë pyetur nga Insajderi lidhur me pohimet e Rugovës. Ende nuk kanë dhënë përgjigje.

Ndërkohë, Ukë Rugova tregonte para hetuesve se familja duhet të ketë pasur diku rreth 100 leje për armë të gjata dhe me tytë.

“Me vdekjen e presidentit ne i ndalëm një numër të caktuar armësh për sigurimin tonë që gjendet akoma aty, kurse të gjitha armët tjera i kemi kthyer në polici”, pohonte Rugova.

Ndërkohë për armët e mbetura, Rugova thoshte para hetuesve se e kishin pasur lejen e UNMIK-ut dhe më pas Policisë së Kosovës.

“Sa i përket armëve të gjetura në shtëpinë tonë; këto janë armë më të reja ngase për çështje sigurie donim t’i ndërronim armët e vjetra”, kishte thënë Rugova.

Negociatat me Hajredin Kuçin dhe Shpend Maxhunin

Por a posedonte  familja Rugova dokumente që dëshmojnë lejet për mbajtjen e armëve të lëshuara  nga autoritetet?

Rugova , më 2014, i kishte thënë hetuesve se ka disa vite që familja nuk posedonte leje për mbajtjen e armëve.

“E kemi pasur një në vitin 2011, pastaj kemi hyrë në një lloj bisedimi me Ministrin e Drejtësisë, zëvendëskryeministrin (Zt. Kuçi) dhe Drejtorin e Policisë, Shpend Maxhuni, për të vazhduar lejet tona, por kjo akoma ka mbetur një çështje procedurale; asgjë më shumë se kaq. Drejtori e ka bërë vazhdimin për një vit, mirëpo pastaj ka mbetur çështje procedurale; ne do duhej të kishim një leje të vlefshme, por ne nuk i kemi përdorur më armët tona”, ka thënë Rugova.

Rugova kishte zbuluar para hetuesve se, përveç mungesës së lejeve, nuk posedonte as kërkesë me shkrim për pajisje me leje për mbajtje të armëve.

“Kërkesat kanë qenë verbale. Do duhej t’i kishim bërë me shkrim, por nuk i kemi bërë”, kishte thënë Rugova.

Hajredin Kuçi, i pyetur nga Insajderi për këtë çështje, ka mohuar të ketë diskutuar ndonjëherë me Ukë Rugovën lidhur me lejet e armëve.

 

Më shumë për Dosja Grande: