Dokumentet që dëshmojnë skandalin në tenderin qindra-mijëra eurosh (III)

Insajderi dhe Democracy Plus kanë siguruar dy dokumente që dëshmojnë se si autoritetet komunale i kanë pranuar si të mirëqena dy dokumente të dyshimta, të dorëzuara nga kompania e biznesmenit të burgosur. Po ashtu, përveç përfitimit të tenderëve nga autoritetet lokale, kompania e të burgosurit ka arritur ta marrë besimin edhe të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Dokumentet që dëshmojnë skandalin në tenderin qindra-mijëra eurosh (III)

Dy dokumente të ndjeshme në një proces tenderimi në vlerë prej qindra-mijëra eurosh ishin dorëzuar në Komunën e Ferizajt, më datën 25 tetor të vitit 2016.

Ishte dokumenti i identifikimit të operatorit ekonomik dhe deklarimi nën betimi i përfaqësuesit të kompanisë konkurruese.

Në dokumentimin e identifikimit të kompanisë konkurruese shënohet emri i saj, adresa e saktë si dhe emri e pozita e personit që e përfaqëson  kompaninë.

Dokumenti tregon emrin e Milaim Berishës, pozitën e tij si pronar dhe është i nënshkruar dhe ka vulën e kompanisë Linda.

Ngjashëm është vepruar edhe tek “Deklarata nën Betim”. Dokumenti është i nënshkruar dhe i vulosur, dhe tek hapësira ku shënohet emri i personit që ka dhënë betimin është shkruar emri i Milaim Berishës.

Ligji i Prokurimit Publik obligon nënshkrimin e një deklarate nën betim nga përfaqësuesi e kompanisë konkurruese. Aty jepet betimi me shkrim se përfaqësuesi i kompanisë plotëson kërkesat e Ligjit të Prokurimit për të fituar para publike, pasi që nuk është i dënuar me burg.

Bazuar në dokumentin që e ka siguruar Insjaderi, Milaim Berisha e kishte dhënë betimin më më 25 tetor të vitit 2016.

Komuna e Ferizajt e kishte pranuar si të mirëqenë betimin e biznesmenit të burgosur.

Kompania “Linda” në pronësi të të burgosurit kishte konkurruar për të përfituar tenderin në vlerë prej mbi 200 mijë eurosh, të emërtuar “Rregullimi i shtratit të lumit të Bifurkacionit dhe trotuaret pranë lumit Nerodime-projekt tre vjeçar”.

Historia e "El Chapo's" nga kosovar

#Insajderi dhe Democracy Plus sjellin hulumtimin "El Chapo" kosovar që përfitoi mbi 1 milionë euro derisa ishte në burg. https://goo.gl/oErCQv

Posted by Insajderi on Monday, 10 July 2017

Versionet kontradiktore të Komunës së Ferizajt dhe OSHP për kompaninë e të burgosurit

Tenderi prej qindra-mijëra eurosh i Komunës së Ferizajt ka qenë subjekt i shqyrtimit nga Paneli Shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Insajderi ka pyetur përgjegjësit e Komunës së Ferizajt dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit lidhur me dokumentet e dyshimta të kësaj kompanie. Versionet e të dy institucioneve janë kontradiktore.

Komuna e Ferizajt në një përgjigje dhënë Gazetës Insajderi ka pohuar se nuk ishte në dijeni se pronari i kësaj kompanie është duke vuajtur dënimin me burg. Feim Ibrahimi, zyrtar i prokurimit në Ferizaj, ka deklaruar se këtë informatë e ka marrë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

“Ne nuk kemi pasur informata të tilla. Por, kemi marrë informata në rastin kur OSHP e kthen lëndën në ri-vlerësim: Rregullimi i shtratit të lumit te bifurkacioni dhe trotuaret pran lumit Nerodime-projekt tre vjeçar”, ka thënë Ibrahimi.

Ka shtuar se menjëherë pas marrjes së kësaj informate, komisioni vlerësuar i Komunës së Ferizajt ka ndërmarrë masat e duhura.

“Komisioni i vlerësimit e bënë anulimin e kompanisë “Linda” me arsyetim, sipas nenit 65 të ligjit të prokurimit publik. Prandaj nga ky moment jemi të njoftuar se z. Milaim Berisha vuan dënimin për kryerjen veprës penale me burg gjë që nuk kemi pasur informata të mëhershme”, ka shtuar Ibrahimi.

Ai ka theksuar se kjo informatë është marrë saktësisht më 13 qershor të vitit 2017, kur Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka mbajtur seancë publike për të shqyrtuar ankesën e kompanisë “Linda”.

Derisa zyrtari i Ferizajt thekson se është informuar nga OSHP, të njëjtën nuk e thonë zyrtarë të këtij institucioni.

Kur OSHP-ja është pyetur për dokumentet e dyshimta të kompanisë Linda, kanë kthyer përgjigje se ato nuk kanë subjekt vlerësimi për institucionin.

OSHP, nëpërmjet përgjigjes me shkrim, ka deklaruar se ky institucion ka shqyrtuar vetëm pretendimet ankimore të kompanisë “Linda”, bazuar në kompetencat ligjore që ka.

Tenderi publik që u përfitua nga biznesmeni i burgosur

Tenderi nga Komuna e Ferizajt që e fitoi "El Chapo" kosovar.Hulumtimi i plotë në #Insajderi. https://goo.gl/aMTY9U

Posted by Insajderi on Tuesday, 11 July 2017

Tenderi i gjykuar tri herë nga OSHP-ja që favorizon kompaninë e të burgosurit

Kompania “Linda”, në pronësi të biznesmenit të burgosur, përveçse ka arritur të përfitojë tenderë nga qeverisja lokale, ka arritur të marrë besimin edhe të institucioneve qendrore.

Organi Shqyrtues i Prokurimit dy herë i ka dhënë të drejtë kësaj kompanie, kur ankohej kundër vendimeve të autoriteteve lokale. Ky tender ka gati një vjet që është subjekt i vlerësimeve nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Të dy ankesat janë bërë për tenderin prej qindra-mijëra eurosh të emërtuar “Rregullimin e shtratit të lumit Bifurkacioni dhe rregullimin i trotuarit pranë lumit Noredime”.

Insajderi ka zbuluar se dy vendimet e OSHP-së lidhur me këtë tender kanë qenë kontradiktore.

Fillimisht ishte shqyrtuar ankesa e kompanisë “Mali i Artë”. I ishte dhënë të drejtë kësaj kompanie, pasi Paneli i OSHP-së kishte konkluduar se Komuna e Ferizajt kishte bërë shkelje ligjore në këtë tender.

Dokumentet që dëshmojnë skandalin në tenderin qindra-mijëra eu…

#Insajderi dhe Democracy Plus sjellin pjesën e tretë të hulumtimit mbi tenderin qindra-mijëra eurosh, ku është përfshirë Komuna e #Ferizajt dhe #ElChapo kosovar. Hulumtimi i plotë: https://goo.gl/2rCjAF

Posted by Insajderi on Thursday, 13 July 2017

Por, më pas ishte ankuar kompania “Linda”, pronësi e të burgosurit. Ankesës së saj në vendimin e dytë i ishte dhënë të drejtë. Mbështetja e ankesës së kompanisë “Linda” ka rënë ndesh me vendimin e parë që e kishte marrë OSHP-ja.

Në këtë vendim OSHP-ja kishte shkelur vendimin e saj të mëhershëm. Vendimi në favor të kompanisë “Linda” ishte marrë në kundërshtim me rekomandimin e ekspertizën profesionale që i është bërë tenderit.

Eksperti shqyrtues kishte rekomanduar që ankesa e kompanisë “Linda” të hidhej poshtë, pasi që ishte e pabazuar. Po ashtu, kishte vlerësuar se oferta e saj llogaritej si e shtrenjtë krahasuar me ofertat e konkurrentëve tjerë.

Por, rekomandimi i ekspertit shqyrtues ishte shpërfillur nga Paneli Shqyrtues i OSHP-së që kishte vendosur të merrte vendim në favor të kompanisë, në pronësi të biznesmenit të burgosur.

Pas vendimit të OSHP-së, lënda ishte kthyer në rivlerësim.

Komuna e Ferizajt për herën e tretë kishte marrë vendim që ta shpallte fitues një kompani tjetër.

Por, kompania “Linda” sërish ka bërë ankesë. Paneli i OSHP-së ka vendosur sërish në favor të ankesës së kompanisë së të burgosurit, Milaim Berisha.

Vendimi obligon Komunën e Ferizajt që të bëjë sërish rivlerësimin e ofertave të kompanive konkurruese në tenderin prej qindra-mijëra eurosh./Insajderi.com