Dëshmitë që tregojnë se kosovarët janë të rrezikuar nga mishi

Disa aksione të ndërmarra nga Inspekcionet e katër komunave në Kosovë: në Mitrovicë, Ferizaj, Skenderaj dhe Prizren, kanë dëshmuar se në vend qarkullonte mish i prishur dhe me afat të skaduar. Një tjetër aksion i Prokurorisë Themelore në Prizren rezultoi me konfiskimin e 1 mijë e 800 kilogramëve mish me afat të skaduar. Po ashtu, Insajderi zbuloi se në Kosovë ka qarkulluar për më shumë se një vit mish i dyshimtë nga Belgjika.

Dëshmitë që tregojnë se kosovarët janë të rrezikuar nga mishi

Një skandal i mishit të prishur që shpërtheu në Belgjikë në fillim të muajit mars të këtij viti, është bartur edhe në Kosovë pasi Gazeta Insajderi zbuloi se mish i dyshimtë nga Belgjika ishte eksportuar në Kosovë në vitin 2016.

Në një artikull të publikuar më 14 mars, Insajderi zbuloi se në Kosovë ishte importuar mish nga firma “Veviba” edhe para se të asgjësoheshin 20 ton mish të kësaj kompanie belge nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) në shtator të 2016-s.

Zbulohet emri i kompanisë kosovare që importoi mishin nga Belgjika

Insajderi siguroi një dokument nga Dogana e Kosovës, i cili dëshmonte se firma “Veviba” kishte eksportuar mish në Kosovë dhe që zbuloi se kompania për importin e mishit “Euro IDA” nga Rahoveci, kishte pranuar mish nga “Veviba” në muajt maj dhe qershor të vitit 2016.

Bëhej fjalë për mbi 60 ton mish gjedhi që “Euro IDA” kishte importuar nga firma “Veviba” në tri importe të realizuara ndaras me njëra-tjetrën. Hulumtimi i Insajderit dëshmon se mishi i dyshimtë i kompanisë “Veviba” ishte shitur papenguar në Kosovë.

Madje, mishi i importuar nga kompania “Euro IDA” ishte blerë për vetëm 95 cent për kilogram.

Siç kishte raportuar e përditshmja belge Le Soir, mishi i kompanisë “Veviba” kishte pasur raste kur ishte shitur me afat të skaduar prej 12 vitesh.

Ky skandal i mishit që nga Belgjika erdhi në Kosovë alarmoi edhe institucionet, të cilat ndërmorën aksione për kontrollimin e cilësisë së mishit.

Madje, në tri komuna të Kosovës: Ferizaj, Skenderaj dhe Prizren u gjetë dhe u konfiskua mish me afat të skaduar nëpër rrjetet e marketeve, teksa një aksion i Prokurorisë Themelore në Prizren dëshmoi se kompania “Euro-IDA” mbante mish me afat të skaduar në deponë e saj.

Prokuroria Themelore në Prizren, javën e kaluar, filloi hetimet kundër personave përgjegjës dhe subjekteve juridike të cilat kanë importuar nga Belgjika sasi të mishit me cilësi të dyshimtë. Prokuroria bastisi lokalet e dy kompanive të dyshuara për import të mishit nga Belgjika: “Euro-IDA” nga Rahoveci dhe “BENI SHPK” nga Suhareka.

“Prokuroria ka kryer bastisje dhe kontroll në shtëpitë dhe lokalet e subjekteve juridike, njëra në territorin e Rahovecit dhe tjetra të Suharekës dhe ka sekuestruar provat e nevojshme për procedurë penale, si dhe sasi të mishit me afat të skaduar”, thuhej në komunikatën për media të Prokurorisë së Kosovës.

Në këtë aksion, Prokuroria e Prizrenit gjeti minj të ngordhur në njërën prej këtyre dy kompanive dhe konfiskoi 1 mijë e 800 kilogram mish me afat të skaduar në kompaninë “Euro Ida”.

Aksionet nëpër komuna – mishi i prishur në “ETC” dhe “Viva Fresh” 

Për të konfirmuar se konsumtatorët kosovarë janë të rrezikuar nga cilësia e mishit, dëshmuan edhe dy aksione të zhvilluara në muajin shkurt të këtij viti nga Inspekcioni i Komunës së Mitrovicës, e që u bënë publike në media të enjtën e kaluar, më 22 mars.

Në këto dy aksione, të zhvilluara më 13 dhe 14 shkurt, Inspekcioni i Komunës së Mitrovicës gjeti një sasi prej 1 mijë e 123 kilogram mish të prishur dhe me afat të skaduar në kompanitë “Viva Fresh” dhe “ETC”.

Në frigoriferët e lokalit “Viva Fresh” ishin asgjësuar 573.4 kilogram mbetje të mishit dhe mish i ngrirë, ndërkaq në “ETC” ishin asgjësuar 550 kilogram mish i prishur. Në dokumentet që siguroi Gazeta Metro, sqarohet se edhe dy kompanitë kanë pranuar fajin dhe kanë kryer proceduar e asgjësimit.

Por, kompania “Viva Fresh” është munduar të arsyetohet një ditë më vonë për mishin e prishur që i ishte gjetur në figoriferët e saj në Mitrovicë. Ka thënë një gënjeshtër për këtë mish.

Dallimet mes asaj që shkruhet në raportin e Inspektoratit Komunal të Mitrovicës dhe reagimit apo sqarimit të “Viva Fresh” qesin në pah faktin se ky market e mbante mishin në frigoriferët e depos së tyre për ta shitur.

Në raportin e Inspektoratit Komunal gjatë kontrollit që i ka bërë “Viva Fresh” me 13 shkurt të këtij viti, thuhet se në pikën e saj në Shupkovc të Mitrovicës është gjetur se “Viva Fresh” kishte në frigon e saj mbetje të mishit dhe mish të ngrirë që nuk kishte asnjë deklarim.

“Me datë 13.02.2018 kemi kryer kontrollin inspektues në “Viva Fresh” SHPK i cili veprimtarinë e zhvillon në Shupkovc-Mitrovicë, ku u konstatua se në frigon e këtij subjekti afarist ndodhet një sasi prej 573.40kg e mbetjeve të mishit dhe mishit i cili është i ngrirë dhe nuk ka kurrfarë deklaracioni dhe nuk dihet destinimi i tij”, sqarohet në procesverbalin e Komunës së Mitrovicës, që ka publikuar Gazeta Metro të enjtën.

Por në reagimin e “Viva Fresh” thuhej se ata po e mbanin mishin në frigo për ta gjuajtur më vonë.

“Mbetjet e mishit të gjetura në dyqanin tonë kanë qenë të grumbulluara në një vend të veçantë në depo. Pra, nuk kanë qenë në shitje dhe këtë gjë e dëshmon procesverbali i Inspektorit. Mbetjet e grumbulluara për asgjësim kanë qenë të sinjalizuara që nuk janë për shitje”, ka thënë “Viva Fresh”.

E po ashtu, Komuna e Prizrenit konfiskoi të hënën 720 kilogram mish të prishur nga Holanda, i cili më pas edhe është asgjësuar.

Ky mish i prishur i cili kishte prejardhje nga Holanda, u gjetë sërish në kompaninë e deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK), Ramiz Kelmendi.

Këtë lajm e ka bërë të ditur i pari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka. Haskuka tha se Inspektoriati komunal ka vërejtur se mishi ka pësuar ndryshime organike ku ngjyra, shija dhe era e tij ishte tjetërsuar.

“Inspektorët komunalë fillimisht kanë vërejtur se mishi ka pësuar ndryshime organoleptike (ngjyra, shija dhe era e mishit janë tjetërsuar). Pas kontrollit të dokumentacionit është konstatuar se këtij mishi të importuar nga Holanda i kishte kaluar edhe afati”, tha Haskuka.

Ai bëri të ditur se “Mishi në sasi prej 720 kg. është konfiskuar menjëherë, ndërsa me ndihmën e kompanisë rajonale “Ekoregjioni”, gjatë ditës së sotme, është asgjesuar me mjete përkatëse kimike”.

Rreth 30 kilogram mish i prishur është konfiskuar edhe në Skenderaj javën e kaluar, pas një aksioni të zhvilluar nga Inspektorët Komunal. Komuna bëri të ditur se mishi ishte gjetur dhe konsfiskuar në tri qendrat tregtare më të mëdha në Skenderaj.

Copë hekuri në sallamin e kompanisë kosovare

Pasi shpërtheu skandali i mishit të prishur në Kosovë, një qytetar në Ferizaj ka gjetur një copë hekuri në sallamin e prodhuar nga kompania kosovare “Floren”.

Ky produkt i sallamit të gjedhit është blerë në rrjetin e marketeve ETC në Ferizaj. Produktin kjo familje e kishte blerë më 9 mars të këtij viti, dhe e kanë hapur gjatë ditës së sotme.

Insajderi po ashtu mëson se këtë gjë e ka hasur një familje e një prokurori vendor, dhe që pritet që ai të ndërmerr hapa hetimor.

Gjatë këtij viti në Kosovë janë konfiskuar mijëra kilogram mish, të cilët është konstatuar të jetë me afat të skaduar e i prishur.

Floren është kompani kosovare, e cila merret me prodhimin e prodkteve të mishit, siç janë sallamat, proshutat suxhuku etj. /Insajderi.com