BKS – Dyshime për vjedhje nga njerëzit e afërt me Gani Thaçin

Byrosë Kosovare të Sigurimeve i ka dalë edhe një problem tjetër i madh me kontratën që peshon qindra mijëra euro, të lidhur me kompaninë në pronësi të miqve të djalit të Gani Thaçit. Përveç ankesave të kompanive të sigurimeve për krijim të monopolit, tash BKS-ja është ankuar se kompania private ka mbledhur mijëra euro në kundërshtim me rregullat. Sipas BKS-së, kompania private ka përfituar edhe përmes regjistrimit në sistem të veturave publike e shtetërore, që janë të përjashtuara nga sistemi Bonus-Malus.

BKS – Dyshime për vjedhje nga njerëzit e afërt me Gani Thaçin

Kompania “Alt3c”, në pronësi të miqve të djalit të Gani Thaçit dyshohet se ka përfituar  mijëra euro nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, në kundërshtim me rregullat e përcaktuara nga ky institucion.

Gani Thaçi mban postin e zv/drejtorit të përgjithshëm në Byronë Kosovare të Sigurimeve, e cila ka lidhur kontratë katërvjeçare me firmën private, në pronësi të Visar Eminit, Mark Vuksanit, Ilir Pushkës  dhe Ardian Kelmendit. Në kohën e nënshkrimit të kontratës, postin e drejtorit e mbante Faton Abazi.

Banka Qendrore e Kosovës, e cila operon si mbikëqyrës i industrisë së sigurimeve, është e njoftuar me veprimet e firmës në pronësi të Ilir Pushkës dhe Ardian Kelmendit, të afërt me djalin e Gani Thaçit, Kushtrimin.

Kjo kompani private, bazuar në kontratën me Byronë Kosovare të Sigurimeve, është angazhuar për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemit softuerik për implementimin e sistemit Bonus-Malus.

Kontrata parasheh që në këtë sistem të regjistrohen  të gjithë të siguruarit në Kosovë që posedojnë polisë të sigurimit të detyrueshëm të automjeteve.

Kompania përfiton 1 euro e 17 cent për çdo të siguruar që e regjistron në sistemin bonus-malus. Llogaritet se kompanitë e sigurimeve shpenzojnë mbi 400 mijë euro brenda një viti për implementimin e këtij sistemi.

Por, udhëzimi administrativ për implementimin e këtij sistemi parasheh që të mos inkasohen mjete financiare për regjistrimin në sistem të veturave në pronësi publike dhe shtetërore.

Kompania “Alt3c”, ka shpërfillur këtë udhëzim dhe ka inkasuar dhjetëra mijëra euro nga regjistrimi në sistem të veturave të këtyre kategorive.

Ky veprim, sipas Bankës Qendrore, është në kundërshtim me rregullat në industrinë e sigurimeve.

“BQK-ja është e informuar se kompania e kontraktuar për sistemin bonus-malus, ka llogaritur provizion për automjetet zyrtare shtetërore dhe publike, për të cilat sipas “Udhëzimit mbi implementimin e sistemit bonus-malus për personat juridik”, i aprovuar nga Asambleja e Përgjithshme  e BKS-së me datë 6 korrik 2013, nuk vlen aplikimi i sistemit bonus-malus”, ka thënë për Insajderin,  Ardita Begu-zyrtare për informim në Bankën Qendrore.

Megjithatë, Banka Qendrore thotë se nuk ka fuqi ligjore të ndërhyjë në këtë çështje.

“BQK-ja nuk ka fuqi ligjore për mbikëqyrjen e kompanive private, në këtë rast të kompanisë Altec. Lidhur me çështjen në fjalë, kjo është në kompetencën e BKS-së, e cila është e detyruar të zbatoj aktet juridike të aprovuara nga organet e saj”, ka pohuar Begu.

BKS: Kompania duhet të kthejë paratë

Problemi i inkasimit të këtyre mjeteve në mënyrë të diskutueshme, daton që para pesë muajsh.

Byroja Kosovare e Sigurimeve, më 4 shkurt të këtij viti, i dërgoi shkresë zyrtare kompanisë “Alt3c”.

Insajderi ka siguruar këtë shkresë. BKS-ja i rikujton kompanisë privare se ka vepruar në kundërshtim me udhëzimin e ri administrativ për implementimin e sistemit Bonus-Malus. Ky udhëzim ka hyrë në fuqi në korrik të vitit 2013.

Sipas BKS-së, që nga korriku i vitit 2013 kompania ka inkasuar mjete në kundërshtim me këtë udhëzim administrativ.

“… duke marrë për bazë gjendjen e krijuar dhe mjetet e inkasuara, kërkojmë nga ana e juaj që të bëni kthimin e mjeteve të inkasuara për kategoritë e automjeteve të sipërpërmendura e që janë si në vijim: automjetet shtetërore dhe publike”, thuhet në shkresën e Byrosë Kosovare të Sigurimeve drejtuar kompanisë “Alt3c”.

Tutje në  këtë shkresë tregohet se Byroja Kosovare e Sigurimeve nuk ka informacione se sa është shumë e saktë e parave të inkasuara në mënyrë të diskutueshme nga kompania private.

BKS kërkon nga “Alt3c”, që ta përllogaris vetë këtë shumë.

“Andaj kërkojmë nga ju që të bëni përllogaritjen e mjeteve në përputhje me numrin e automjeteve të cilat kanë qenë dhe  janë pjesë e këtyre kategorive dhe pas përllogaritjes të bëni kthimin e mjeteve (rimbursimin)”, thuhet në këtë shkresë.

Por a janë kthyer paratë nga kjo kompani që nga muaji shkurt e deri tash?

Byroja Kosovare e Sigurimeve nuk pranon të jap përgjigje në këtë pyetje. Insajderi ka pritur për më shumë se një muaj përgjigje nga BKS-ja lidhur me këtë çështje, por përgjegjësit e saj ende nuk kanë kthyer përgjigje zyrtare se sa është vlera që kjo kompani ka përfituar në mënyrë të diskutueshme.

Alt3c: Kemi vepruar në përputhje me kontratën me BKS-në

Lidhur me shkresën e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Insajderi ka pyetur Ilir Pushkën, drejtor i kompanisë “Alt3c”.

Në një përgjigje të kthyer nëpërmjet e-mailit, kjo kompani private pohon se pretendimet e BKS-së janë të pabaza.

Kompania nuk ka komentuar rregullat e udhëzimit administrativ që, sipas BKS-së dhe Bankës Qendrore, janë shkelur kur janë inkasuar para edhe për regjistrimin në sistem të veturave në pronësi publike e shtetërore.

“Gjithsesi, kjo çështje ka të bëjë vetëm me kontratën dy paleshe  ndërmjet Alt3c dhe BKS, dhe te cilën ne si kompani jemi duke e respektuar plotësisht, përkundër pretendimeve qe ka pasur BKS”, thuhet në përgjigjën e kësaj kompanie private.

Tutje në përgjigjën e kësaj kompanie thuhet se “ Pas disa diskutimeve qe kemi pasur me BKS-në, për të treguar mirëkuptim, jemi pajtuar qe kjo çështje të rregullohet përfundimisht me amandamentimin e kontratës ekzistuese”.

Kompania nuk tregoi se çfarë parasheh amandamentimi i kontratës ekzistuese dhe ky pohim nuk është konfirmuar ende edhe nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, e cila nuk pranon të jap përgjigje lidhur me këtë çështje.

Byroja Kosovare e Sigurimeve ka qenë në vazhdimësi e kritikuar nga Banka Qendrore për kontratën e lidhur me këtë kompani private.

Në fillim të vitit 2015, Banka Qendrore i kishte bërë një ekzaminim kësaj kontrate. Kishte konkluduar se vetëm brenda vitit 2014 janë shpenzuar 401 mijë e 85 euro për implementimin e sistemit bonus-malus.

Përveç kostos së lartë, Banka Qendrore pati vlerësuar se procesi është përshkuar edhe me disa parregullsi tjera.

Sipas BQK-së,  kontrata me këtë kompani private mund ta ekspozojë BKS-në ndaj rreziqeve ligjore, nuk është testuar tregu para se të nënshkruhej kjo marrëveshje dhe se kompania private ishte treguar e ngathët në zbatimin e kontratës.

Përveç vërejtjeve të dhëna nga Banka Qendrore, kjo kontratë ishte kritikuar edhe nga kompanitë e sigurimeve.

Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar se dy përfaqësues të kompanive të sigurimeve kishin kundërshtuar lidhjen e kësaj marrëveshje. Kundërshtimin e kishin bërë në mbledhjen e asamblesë së përgjithshme të BKS-së, të mbajtur në tetor të vitit 2013.

Arben Breshani, ish-drejtor i kompanisë Insig pati pohuar se lidhja e kontratës me këtë kompani private krijon situatë monopoliste.

“Për këtë duhet bashkuar drejt prishjes së këtij monopoli ashtu që kompanitë ose do ta blejnë softverin në tërësi, ose secila nga kompanitë të mund të kenë programet e tyre për të cilat do të mund të raportohet edhe në Bankën Qendrore të Kosovës dhe në Byronë Kosovare të Sigurimit”, kishte deklaruar Breshani, bazuar në këtë procesverbal, raportoi Gazeta Jeta në Kosovë.

Po ashtu në procesverbal shënohet se Breshani ka theskuar se “…kompania ‘Insig’  ka programin paralel për këtë i cili do të mund të vihej në funksion në momentin kur të lejohet nga BQK-ja. Tani kemi ardhur në një situatë ku aq sa ka kërkuar kompania “Alt3c” do të paguajmë. Por duhet të mendohet për një program alternativ”.

Edhe Roland Kaçani i firmës Sigma kishte vlerësuar se “çështja është alarmante pasi që bëhet fjalë për monopol tipik”.

Sipas tij, është dashur që secila kompanitë të ketë sistemin e vetë dhe të mbajë kontakte të rregullta me Bankën Qendrore dhe Byronë Kosovare të Sigurimeve.

Kjo kontratë do të jetë në fuqi për periudhën 4 vjeçare nga dita e nënshkrimit të saj, gjegjësisht nga 1 janari 2014 e deri më datën 1 janar 2018. /Insajderi.com