Bashkimi Evropian hesht për ndërhyrjen e zyrtarit të EULEX-it në drejtësi

05.03.2016

Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar ka thënë se nuk është i njoftuar hollësisht për ngjarjen që ka ndodhur të premten e kaluar. Ka dhënë përgjigje identike me atë të EULEX-it se gjyqtari ka të drejtë të përjashtojë publikun dhe të lejojë disa persona të qëndrojnë në sallë.

Bashkimi Evropian hesht për ndërhyrjen e zyrtarit të EULEX-it në drejtësi

Kur Kuvendi i Kosovës po bëhej gati për të diskutuar për rastin “Kiqina”, Bashkimi Evropian kishte reaguar fortë duke kërkuar që të mos ndërhyhet në gjyqësor.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar kishte thënë se BE-ja në vazhdimësi ka përsëritur faktin dhe përsërit që proceset gjyqësore duhet të jenë të lira nga ndërhyrjet politike. Ai kishte thënë se duhet të ketë një ndasi të qartë mes kompetencave që ka gjyqësori, Qeveria dhe Kuvendi.

“Zyra e BE-së i njofton anëtarët e parlamentit në lidhje me qëndrimet tona. Andaj, si të tilla, zyra e BE-së/EUSR rekomandon që kuvendi të mos angazhohet në veprime të cilat mund të interpretohen si përpjekje për të ndikuat apo për të hedhur poshtë vendime të gjykatave”, kishte deklaruar Zhbogar.

Në mars të vitit 2013, Kuvendi kishte provuar të debatonte për një rast të gjykuar nga të gjitha shkallët e gjykatës.

Ky fakt ishte futur në raportin e Progresit si një ndër vërejtjet më të mëdha në zhvillimet në Kosovë.

 

Tri vjet më vonë ka ndodhur një ndërhyrje po kaq e rëndë në gjyqësor.

E, Bashkimi Evropian ka heshtur për ndërhyrjen e njeriut të dytë të Misionit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) ka ndërhyrë në punën gjykatës.

Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar ka thënë se nuk është i njoftuar hollësisht për ngjarjen që ka ndodhur të premten e kaluar. Ka dhënë përgjigje identike me atë të EULEX-it se gjyqtari ka të drejtë të përjashtojë publikun dhe të lejojë disa persona të qëndrojnë në sallë.

“Përfaqësuesi Special i BE-së nuk ka njohuri të hollësishme për situatën të cilës i referoheni, por nga ajo që dimë, sipas Kodit të Procedurës Penale, paneli gjyqësor në çdo kohë mund ta përjashtojë publikun nga procesi gjyqësor”, kanë thënë në zyrën e Zhbogarit në Prishtinë në një përgjigje për Insajderin.

“Po ky kod i lejon kryetarit të trupit gjykues që t’u japë leje zyrtarëve të caktuar, akademikëve, figurave publike, etj. që të jenë të pranishëm në ndonjë proces gjyqësor që nuk është i hapur për publikun”.

Për ndërhyrjen ka heshtur edhe Brukseli.

Maja Kocijançiq, zëdhënësja e përfaqësues së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Frederika Mogerini ka thënë se Brukseli nuk komenton rastet gjyqësore në vazhdim. I është shmangur të gjitha pyetjeve konkrete për incidentin.

“Sidoqoftë, e kuptoj që gjyqtari e lejoi prezencën e një zyrtari”, ka thënë ajo.

Mirëpo, gjyqtarja ka ndërruar vendimin e parë pasi shefi i Divizionit të Fuqizimit të EULEX-it të, Peter Bach ka detyruar gjyqtaren Anna Adamksa – Gallant që ta ndryshojë vendimin për përjashtimin e publikut nga salla në rastin e Naser Kelmendit. Vendimin e ka ndryshuar nën presionin e Shefi i Divizionit të Fuqizimit të EULEX-it të, Peter Bach.

Bach është njeriu kryesor që vendos për vazhdimin ose jo të kontratës së punës të secilit zyrtar të EULEX-it. Ai është njeri i afër i Shefit të misionit, Gabriele Meucci.

Në fakt, gjyqtarja ka lejuar qëndrimin e Peter Bach tek pasi ai ka refuzuar të dal nga salla e gjykimit.

“Nuk dal, nuk e lëshoj sallën edhe nëse mundësh hajde nxjerrim ti jashtë”, ia ka kthyer Bach gjyqtares Adamska Gallant.

betim

Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë, këtë ndërhyrje e konsiderojnë të papranueshme. Kërkojnë ndëshkim për këtë.

Drejtori i Institutit Kosovar për Drejtësi, Betim Musliu ka thënë se organizata që ai drejton shpreh shqetësim në lidhje me ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë, të publikuara në gazetën online insajderi. “Ndërhyrjet në proceset gjyqësore që udhëhiqen qoftë prej vendorëve qoftë prej ndërkombëtarëve janë të papranueshme dhe si të tilla kurdo që ndodhin duhet të marrin ndëshkimin meritor”, ka thënë ai.

Sipas Musliut, është tërësisht e papranueshme ndërhyrja e cilitdo zyrtar në një rast konkret ndaj një gjykatësi dhe kjo pa dyshim se përbën shqetësim të madh, i cili duhet të adresohet dhe sqarohet urgjentisht nga mekanizmat përgjegjës.

“Qasje të tilla të ndërhyrjeve përveç inkriminimit të protagonistëve, padyshim se përbëjnë precedan të rrezikshëm edhe për gjykatësit dhe prokurorët vendorë, të cilët mund të jenë subjekt i kërcënimeve apo ndërhyrjeve në rastet që janë duke i trajtuar”, ka thënë ai.

Musliu ka thënë se raste të tilla ndikojnë drejtpërdrejtë në komprometimin e drejtësisë që ndahet nga ana e gjykatës dhe kjo prodhon pasoja të rënda që humbet besimi i qytetarëve në drejtësinë dhe sistemin e drejtësisë.

“Fundja, drejtësia legjitimohet përmes besimit të qytetarëve në vendimet që shqiptohen nga gjykata dhe nëse të njëjtat kompromitohen përmes ndërhyrjeve atëherë përfundimisht kjo nuk është e drejta që ndahet dhe garantohet me Kushtetutë dhe standarde ndërkombëtare.”, ka thënë Musliu.

arton

Arton Demhasaj nga organizata Çohu, ka thënë se çdo ndërhyrje nga kushdo qoftë në gjyqësor është e pa pranueshme, dhe jo vetëm qe e dëmton sistemin gjyqësor por edhe e shkatërron atë.

“Në rastin konkret kjo vetëm e dëshmon edhe njëherë atë se EULEX thjesht është kontrolluar në total nga jashtë, dhe se ky mision ka qenë mision politik dhe jo mision për sundim të ligjit”, ka thënë Demhasaj.

Sipas tij, ndërhyrje të tilla si tek gjyqtarët po ashtu edhe tek prokuroret apo hetuesit e EULEX-it ka pas gjatë gjithë kohës, dhe mund te nxjerrim përfundimin se potencialisht të gjitha vendimet kanë  qenë të ndikuara nga jashtë.

“Pra nuk kemi pasur një hetim dhe gjykim të pavarur siç e thonë edhe ligjet e Kosovës por edhe të gjitha praktikat ndërkombëtare ku vendimi i gjyqtarit duhet të jetë i pavarur”.

Demhasaj që merret me çështje ligjore në Çohu ka thënë se e gjithë kjo tregon se EULEX-i e ka humb edhe atë pak kredibilitet që ka pas, dhe se nuk duhet që ti lejohet një misioni të tillë që të merret me vendosje të rasteve por thjesht monitorim edhe për një kohë të caktuar.

“Ky rast ka krijuar precedent që edhe ne rastet e tjera që janë gjykuar por edhe në rastet që janë në gjykim, rasti Kelmendi etj., munden të ndikohen nga njerëzit jo vendimmarrës”.

Insajderi raportoi se si shefi i Divizionit të Fuqizimit të EULEX-it të, Peter Bach, nuk e ka përfillur vendimin e gjyqtares Anna Adamska Gallant për ta liruar sallën e gjykimit kur pritej të diskutohej për shëndetin e të akuzuarit Naser Kelmendi.

Pos, që nuk e ka liruar sallën, e ka detyruar kryetaren e trupit gjykues që ta ndryshojë vendimin për nxjerrjen e publikut nga salla dhe t’ia lejojë atij qëndrimin brenda.

Mospërfillja e urdhrit të gjykatës, bije ndesh me Kodin Penal të Kosovës. Ky veprim sanksionohet si vepër penale me nenin 401 të këtij Kodi. /Insajderi.com