Banka e Pacollit dërgon në Rusi të dhënat personale të kosovarëve

04.07.2018

Lidhjet e moçme të Behgjet Pacollit me Rusinë e Boris Yeltsinit janë ri-përtërirë nga banka e tij. Insajderi ka zbuluar se Banka Ekonomike të dhënat personale të klientëve të saj i dërgon për përpunim në një kompani me seli në Rusi. Sipas dokumenteve që ka siguruar gazeta te kjo kompani shkojnë të dhënat personale të kosovarëve si numri personal, adresa, detaje që lidhen me transaksionin si koha, vendi, tregtari, etj.

Banka e Pacollit dërgon në Rusi të dhënat personale të kosovarëve

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behegjet Pacollin në mars të këtij viti paralajmëronte Bashkimin Evropianë që “të jetë më unike karshi rajonit të Ballkanit, e në veçanti për Kosovën, për shkak të rritjes së ndikimit rus në rajon”.

Pacolli, që njihet për lidhjet të fuqishme me ish-presidentin rus, Boris Yeltsini, ka 30 për qind të aksioneve në Bankën Ekonomike.

Banka, në të cilën është aksionari më i madh ka dërguar të dhënat personale të klientëve në Rusi.

Gazeta Online Insajderi ka zbuluar se të dhënat personale identifikuese, si numri personal, adresa, detaje që lidhen me transaksionin si: koha, vendi, tregtari, etj, kanë përfunduar në shtetin që e pengon njohjen e shtetit të Kosovës.

Këto të dhëna do të përdoreshin për prodhimin e kartelave, sqaron Banka për Insajderin.

Banka Ekonomike në të cilën aksionarë janë edhe vëllezërit e ministrit të Jashtëm, Aftim Pacolli, Selim Pacolli, Xhabir Kajtazi, Ismet Gjoshi e aksionarë te tjerë, në dhjetorin e vitit 2013 ishte lejuar nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (ASHMDHP) që të nënshkruante marrëveshje me kompaninë “Compass Plus LTD” me seli në Rusi për transferim të të dhënave personale të kosovareve te kjo kompani.

Kontrata në mes të bankës së Behgjet Pacollit dhe kompanisë me seli në Rusi, “Compass Plus LTD” ishte lejuar që të aplikohet nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ani pse kjo e fundit nuk e kishte parë komplet këtë kontratë.

Shteti nuk e dinte saktë se çka në tërësi u morën vesh Banka Ekonomike dhe kompania me seli në Rusi, por edhe pas këtyre viteve deklarojnë që nuk iu duheshin më shumë informata.

“Për Agjencinë ka pasur rëndësi pjesa e kontratës, e cila specifikohen çështjen e konfidencialitetit dhe përkushtimin e palëve kontraktuese për të mbrojtur rreptësisht të gjitha informatat konfidenciale dhe për t’i mos zbuluar në raport me palët e treta. Gjithashtu, Banka Ekonomike Sh.A. ka ofruar dëshmi edhe mbi masat mbrojtëse të sigurisë për mbrojtjen e të dhënave personale përmes certifikatave të pajtueshmërisë me standardet e sigurisë PCI DSS.”, thuhet në përgjigjen e kësaj Agjencie për Insajderin.

Të dhënat personale të kosovarëve, përfshirë këtu edhe numrin personal dhe adresën po transferoheshin të një kompani në Rusi nga Banka Ekonomike e Pacollit, me lejen e një Agjencie shtetërore, por as kjo agjenci e as Banka nuk kanë një përgjigje konkrete në pyetjen e Insajderit: A janë të informuar klientët për këtë transferim të të dhënave?

Derisa Banka Ekonomike, thjeshtë, nuk është përgjigjur në këtë pjesë, edhe pasi është pyetur disa herë për këtë gjë në veçanti, në ASHMDHP megjithatë kanë një lloj përgjigje.

“Në vendimin e dhënë, Agjencia ka obliguar kontrolluesin e të dhënave (Banka Ekonomike Sh.A.) që me rastin e transferimit të të dhënave, t’i përmbahet dispozitave të LMDHP, ku në takimet e përbashkëta, u janë shpjeguar kushtet, të cilat duhen përmbushur paraprakisht”, thuhet në një përgjigje të kësaj Agjencie.

Derisa në një përgjigje tjetër ASHMDHP  thotë se “sipas ligjit, çdo bankë ka obligim që të njoftojë klientët e saj dhe të marrë pëlqim prej tyre në kuadër të kontratës që lidhë me ta, në rast se të dhënat e tyre transferohen jashtë vendit për qëllime të përpunimit në selinë bazë, e cila mund të jetë në cilindo shtet jashtë territorit të Kosovës”.

Kjo agjenci sqaron për Gazetën Online Insajderi se  “sipas të dhënave të ofruara nga Banka Ekonomike, në dokumentin ‘Kushtet e Përgjithshme të Afarizmit’ të bankës, gjegjësisht te neni 4.10 – Privatësia dhe të Dhënat, është e rregulluar çështja, ku banka mund të transferojë të gjitha të dhënat e klientit jashtë Kosovës ose të japë ose të ndajë informacionin me palët e treta kontraktuese që kryejnë shërbime të caktuara të tilla, si Visa ose Mastercard apo ofruesit e TI, me bankat korrespondente dhe me auditorët”.

Por, asnjëra palë, as Agjencia e as Banka e Behgjet Pacolit nuk kanë dhënë një përgjigje të prerë nëse klientët e kësaj banke e dinë që të dhënat tyre po transferohen në një biznes me seli në Rusi.

Megjithëse jo në detaje, Agjencia bënë me dije që në vitin 2016 kundër Bankës Ekonomike ka pranuar disa ankesa, dhe sipas përgjigjes së këtij institucioni ankesë ka pasur edhe për “përpunimin e të dhënave personale pa pëlqimin e subjektit të të dhënave”, por nuk e specifikon a bëhet fjalë për kontratën në mes të Bankës Ekonomike dhe firmës “Compass Plus LTD” me seli në Rusi.

Insajderi këtë vit kishte raportuar se pikërisht për ankesë që klientët kishin kundër Bankës Ekonomike të Krye-diplomatit Behgjet Pacolli  ASHMDHP kishte ngritur një padi.

Insajderi raportoi se Banka Ekonomike ishte paditur për shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, por asnjë gjyqtar nuk e kishte trajtuar këtë lëndë. Sistemi gjyqësor vendosi që kjo lëndë të parashkruhet.

Në dokumentin e dhjetorit të viti 2013, që e ka siguruar Insajderi e që e lejonte Bankën Ekonomike që të bënte biznes me “Compass Plus LTD” me seli në Rusi nuk bëhen të ditura shumë detaje se çka do të ofronte kompania me seli në Rusi për bankën e ish-Presidentit kosovar, por kjo bankë ka dhënë një përgjigje për Insajderin.

“Banka Ekonomike krijon raporte kontraktuale me individë dhe kompani të ndryshme, si kombëtare ashtu edhe ndërkombëtare, pa paragjykuar nacionalitetin e kontraktorit të angazhuar. Një ndër këto kompani është edhe kompaia Compass Plus LTD, e cila është e angazhuar nga Banka Ekonomike si qendër e procesimit për kartela”, thuhet në përgjigjen e Bankës Ekonomike për Insajderin.

Megjithëse Banka Ekonomike nuk pranon që të përgjigjet se a i njoftoi klientët e saj se të dhënat personale të tyre do të përfundonin te një kompani në Rusi, thotë se për transferimin e të dhënave personale tek “Compass Plus LTD” e ka “bërë në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Shumë vite më parë The European Institute for Crime Prevention and Control, affiliated ëith the United Nations (HEUNI) kishte nxjerr një raport që zbulonte se Bhegjet Pacolli si biznesmen ishte pjesë e aferave më të famshme korruptive në Rusi.

Në një raport të vitit 2004, HEUNI e implikon drejtpërsëdrejti Pacollin në aferën e të ashtuquajturit “Projekti për Pallatin” e lidhjet e tij me “Genex”’in e Borislav Millosheviqit, vëllai i ish-Presidentit serb, Sllobodan Millosheviq.

HEUNI në raportin prej 146 faqesh mbi krimin e organizuar, trafikimin dhe drogën, aferës në fjalë ia ka kushtuar një kapitull të veçantë aferave ku përfshihet Pacolli.

“Presidenti i Mabetex-it ishte Behgjet Pacolli nga Kosova, me vendbanim në Lugano të Zvicrës. Viktor Stolpovskikh, një rus që jetonte në kantonin e Ticinos në Zvicër, ishte në krye të kompanisë Mabetex në Moskë nga viti 1992 deri në vitin 1994. Mabetex dhe kompania simotër Mercata u bënë pjesë kryesore e serisë së hetimeve të gjata të asaj që u quajt “Projekti për Pallatin”, thuhet në fillim të kapitullit “Krmelini dhe paratë e “avulluara” të raportit të HEUNI-t të viti 2004.

Në këtë dokument, thuhet se Pacolli ishte mik i mirë biznesi me vëllain e Sllobodan Millosheviqit, Borisllav Millosheviq, pronar i kompanisë “Genex”. Aty potencohet se “Genex” ishte një partner në restaurimin e Kremlin’it, që e bëri “Mabetex”.

Po ashtu, aty flitet për skandalin ku dyshohej se u shpërlanë mbi 62 milionë dollarëve në afera transaksionesh në Rusi, ku përfshihej edhe “Mabetex”’i i Pacollit.

“Ajo që ishte çështje e hetimit kishte të bënte me emrin e presidentit rus, Boris Yeltsin dhe anëtarëve të stafit presidencial dhe të familjes në një korrupsion të gjerë. Një shembull shumë i vogël për këtë është edhe ky fakt: Pacolli ka transferuar një milion dollarë në një xhirollogari bankare në Budapest në periudhën e fundit të vitit 1995 për përfitime të Yeltsinit”, thuhet në raportin në fjalë. Aty, pos Pacollit, përfshihen edhe të afërmit e tij. “Një i afërt i Pacollit deklaroi se kjo ishte bërë për të ndihmuar fushatën politike të Yeltsinit, ndërsa Pacolli pati deklaruar se këto para do të përdoreshin për të blerë reklama që u administruan nga “Trinlo Investment”, gjoja se në ishujt britanikë dhe në Bahamas. Askush, për sa di unë, nuk ka mundur t’i gjejë ato apo edhe zyrat e “Trinlo-s”, thuhet në raportin e HEUNI-t, nënshkruar nga autorët Sami Nevala dhe Kauko Aromaa.

Të pyetur nëse lidhjen mes Bankës Ekonomike dhe firmës “Compass Plus LTD” me Seli në Rusi  e ka krijuar vet Bhegjet Pacolli, si aksionari më i madh i bankës dhe me lidhje të gjata me rusë, në bankë nuk e kanë mohuar këtë mundësi.

“Sikurse çdo shoqëri aksionare, Banka Ekonomike i ka organet e saja udhëheqëse të cilat udhëheqin me afarizmin e bankës. Kompetencat e këtyre organeve janë të specifikuara qartë në ligjet e lartpërmendura, prandaj çdo vendim për afarizmin ditor të bankës, përfshirë edhe angazhimin e ndonjë kontraktori për kryerjen e shërbimeve, i nënshtrohet vendimeve të këtyre organeve të cilat merren në përputhje të plotë me politikat dhe procedurat e brendshme të bankës”, thuhet në përgjigjen e Bankës Ekonomike për Insajderin.

Sipas të dhënave në faqen zyrtare të kësaj banke, ku figurojnë edhe aksionarët e saj, Banka Ekonomike është licencuar në Kosovë në vitin 2001, ndërsa punën e ka filluar në fillim të qershorit të po atij viti./Insajderi.com