Auditorët: Vlerësimi i bordit për vëllanë e Kamishit, i dyshimtë

Bordi i drejtorëve të ndërmarrjes publike “Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovë” shpërfilli hapjen e konkursit publik kur vendosi që vëllait të Bekim Haxhiut- Kamishit, t’ia vazhdoi mandatin në postin e kryeshefit ekzekutiv. Po ashtu, performancën e tij e vlerësoi me nota maksimale. Por, auditorët gjetën se anëtarët e bordit drejtues nuk përmenden asnjë argument kur e vlerësuan në superlativ kryeshefin Abdullah Haxhiu.

Auditorët: Vlerësimi i bordit për vëllanë e Kamishit, i dyshimtë

Abdullah Haxhiu, vëllai i deputetit të PDK-së Bekim Haxhiut-Kamishit, është vlerësuar me notat maksimale nga bordi i drejtorëve të ndërmarrjes publike “Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës”. Por, një raport i njësisë qeveritare për monitorimin e ndërmarrjeve publike konkludon se vlerësimi që i është bërë Haxhiut, nuk bazohet në argumente.

Kjo njësi qeveritare,  e cila operon në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ka angazhuar kompaninë “Managment Consulting Institute” për të bërë “Vlerësimin e performancës dhe efektshmërisë së bordeve të ndërmarrjeve publike”.

Auditorët konkluduan se bordi drejtues nuk ishte bazuar në argumente kur kishte bërë vlerësimin e performancës së kryeshefit ekzekutiv, postit më të lartë në këtë ndërmarrje publike.

Raporti tregon se bordi drejtues, më datën 19 qershor 2015, bëri vlerësimin e përformancës së Kryeshefit Ekzekutiv për periudhën prej 1 janar 2014 deri më 31 dhjetor 2014. Vlerësimi, sipas tyre, është bërë nëpërmjet  formularit për vlerësimin e zyrtarëve të lartë të kompanisë. “Vlerësimi është bërë me notën maksimale për secilin kriter që ka qenë pjesë e vlerësimit dhe nuk janë dhënë komente shtesë për të arsyetuar vlerësimin maksimal”, thuhet në këtë raport.

Auditorët e kësaj kompanie kanë hasur të njëjtin problem edhe në ndërmarrjet tjera publike. Bazuar në këtë raport,  anëtarët e bordeve drejtuese kanë poentuar me nota maksimale kryeshefët ekzekutiv të ndërmarrjeve, por nuk kanë argumentuar vlerësimin e tyre për asnjë pikë të vlerësimit.

Për më keq, në rastin e Abdullah Haxhiut anëtarët e bordit drejtues nuk kanë caktuar objektivat që kryeshefi ekzekutiv duhet të realizojë gjatë një viti.

Kompania e angazhuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka rekomanduar që në vitet e ardhshme të bëhen vlerësimet konform rregullave.

“Të argumentohen vlerësimet e kritereve që kanë marrë maksimumin e pikëve. Në vlerësimin e performancës së KE-së të integrohen objektivat e vitit për të cilin është duke u bërë vlerësimi i performancës. Vlerësimi i performancës së KE-së të bëhet në fillim fiskal për  vitin paraprak”, potencohet në rekomandimet e bëra nga kjo kompani auditimi.

Vetë kompania, e cila ka bërë auditimin e punës së kësaj ndërmarrje, e ka vlerësuar me notën 3.1 “zhvillimin dhe performancës e kryeshefit ekzekutiv”, e jo me notën 5 që është vlerësimi maksimal.

a

Abdullah Haxhiu

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, autoriteti mbikëqyrës i ndërmarrjeve publike, ende nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e Insajderit se a janë përfillur rekomandimet e auditorëve që kërkojnë të mos bëhen vlerësime të paargumentuara.

Ndërkaq, Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës deklaroi se kryeshefi Abdullah Haxhiu e ka merituar vlerësimin maksimal.

Haxhiu mban këtë post qe pesë vite. Më 2011 ishte zgjedhur nëpërmjet konkursit publik. Ndërsa në vitin 2014 i ishte vazhduar mandati nga bordi i drejtorëve duke shpërfillur hapjen e konkursit publik. Haxhiu paguhet mbi 22 mijë euro në vit nga kjo ndërmarrje publike.

“Është e vërtetë që Bordi e ka Vlerësuar performancën e Kryeshefit Ekzekutiv dhe atë jo vetëm për vitin 2014 por edhe për vitet e mëhershme, vlerësimi i tyre ka qenë maksimal për KE-ne ngase nën menaxhimin e tij, ndërmarrja ka pasur progres të jashtëzakonshëm si në rritjen e të hyrave e po ashtu edhe në uljen e shpenzimeve e sidomos përmirësimin e gjendjes nëpër deponi”, deklaroi Albiana Avidaj, zëdhënëse për informim në këtë ndërmarrje publike.

Avdiaj ka shtuar se për secilin kriter të vlerësimit është argumentuar puna e KE-së. Ka treguar se vlerësimi për vitin 2015 nuk është bërë ende pasi që në fund të vitit të kaluar është ndërruar bordi i kësaj ndërmarrje publike.

Sipas saj, bordi i ri është duke pritur edhe raportin e auditorit të jashtëm dhe më pastaj të bëjë vlerësimin e performancës së kryeshefit ekzekutiv.

“ Bordi aktual do ta përfillë rekomandimin dhe me rishikimin e planit të biznesit për vitin 2016 do të integrojë edhe objektivat për performancën e KE-së edhe pse këto objektiva siç e cekëm më lartë, janë të përfshira në Planin e Biznesit të Kompanisë”, ka deklaruar Avdiaj.

Zyrtarja e KMDK-së, ka dërguar si argument të performancës së kryeshefit një pjesë të raport të Bankës Botërore që, sipas saj, flet në superlativ për punën e kësaj ndërmarrje.

“Ky raport konstaton se  në tre vitet e fundit KMDK ka luajtur rol kyç në përmirësimin e gjendjes së mbeturinave në Kosovë. Raporti jep vlerësim tejet të lartë për kompaninë tonë”, ka pohuar Avdijaj.

Në fakt ky raport thotë se KMDK ka bërë përpjekje për të rregulluar gjendjen, por megjithatë deponitë mbesin jashtë standardeve të BE-së dhe të Kosovës. “Përkundër kushteve tmerruese operacione duhet të ceket se gjendja është përmirësuar dukshëm në tri vitet e fundit kryesisht për shkak të përpjekjeve të operatorëve dhe në veçanti KMDK-së. Mirëpo, operacionet në deponi mbesin të papranueshme dhe asnjë lokacionin nuk është në përputhje me standardet e BE-së apo standardet e vendit”, thuhet në këtë raport.