Arrestohet nipi i kryeprokurorit të Speciales, dyshohet së kërkoi 300 mijë euro ryshfet

16.02.2017

Hetuesi Behar Millaku është arrestuar për shkak të dyshimit se kishte kërkuar ryshfet nga një biznesmen multimilonësh. Millaku që është djali i vëllait të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, është kapur me një shumë parash që dyshohet se është dhënë nga biznesmeni i kazinove.

Arrestohet nipi i kryeprokurorit të Speciales, dyshohet së kërkoi 300 mijë euro ryshfet

Behar Millaku ishte ngarkuar me hetim të një rrjeti kazinosh në Kosovë, nën dyshimin se kishin organizuar skema piramidale dhe bixhoz të jashtëligjshëm.

16 persona ishin arrestuar më 2 dhjetor të vitit të kaluar si rezultat i hetimeve të Policisë së Kosovës dhe ATK-së. I dyshuari kryesor, Skender Fetahaj, që është pronar i kompanisë së lojërave të EGTK II nuk ishte arrestuar. Ai jeton në Çeki ku ushtron të njëjtin biznes.

Hetuesi policor Behar Millaku, kishte arritur të binte në kontakt me të. Jo për ta arrestuar, por sipas dyshimeve të Prokurorisë, për t’ia marrë rreth 300 mijë euro në këmbim të mbylljes së hetimeve. Ndërmjetës i Millakut ishte Ilir Sadrijaj. Takimi mes Fetahajt dhe Sadrijajt ishte zhvilluar në Ulqin. Marrëveshja mes tyre do të mundësonte mbylljen e hetimeve.

Si ish-polic i Kosovës, Skender Fetahaj kishte incizuar dhe siguruar prova për kërkim ryshfeti nga Behar Millaku. Millaku, hetues shumëvjeçar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar është djali i vëllait të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku. Hetimi ndërkohë kryhej nën kompetencën e kësaj Prokurorie. Prokurori Haki Gecaj ishte i ngarkuar me rastin.

Derisa disa prej të arrestuarve ndodheshin në paraburgim, Skender Fetahaj kishte nisur kontaktet më hetues tjerë në Kosovë. Ishte pajtuar që të jepte 30 mijë euro. Të gjitha bankënotat ishin fotografuar. Ato i ishin dorëzuar ndërmjetësit Ilir Sadrijaj. Një pjesë e këtyre parave i ishte dhënë hetuesit Behar Millaku. Gjatë rrugës nga Prishtina për në Pejë, Millaku ishte arrestuar. Rreth dy mijë euro i ishin zënë.

Tri ditë pas arrestimit të 16 të dyshuarve, në pranga kishte përfunduar edhe Behar Millaku, së bashku me sekserin e dyshuar, Ilir Sadrijaj.

behar millaku 1

Prokuroria e Shtetit ka folur shkurt për arrestimin e tyre, pa dhënë detaje se për çfarë rasti bëhet fjalë.

“Ju informoj se rasti për të cilin keni pyetur më 31.01.2017 nga Prokuroria Themelore e Prishtinës është dërguar në kompetencë në Prokurorinë Themelore në Pejë, kundër zyrtarit policor B.M. (Behar Millaku v.j.) me dyshimin se kishte për të kryer vepër penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’… dhe I.S. (Ilir Sadrijaj v.j.) me dyshimin se kishte për të kryer vepër penale ‘Ushtrimi i ndikimi’”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi.

Prokuroria ka thënë se i dyshuari Ilir Sadrijaj ndodhet nën masën e paraburgimit, të caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndërsa Behar Millaku gjendet në liri. Hetimet për këtë rast është duke i zhvilluar Prokuroria Themelore në Pejë.

Hetimet kundër Skender Fetahajt dhe kompanisë së tij kishin rezultuar me bastisje të përbashkët me Administratën Tatimore të Kosovës. Për dy ditë rresht ishin bastisur 77 lokacione në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Prizren dhe Mitrovicë.

Nesër: Për çfarë dyshohet grupi i Skender Fetahajt? Kur nisën hetimet ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij? Pse Prokuroria e Shtetit refuzoi kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e Prokurorisë Speciale për shkak të supozimit se mund të ndikohet nga kryeprokurori, Reshat Millaku?