Aktakuza, 907 dëshmitarë kundër Milaim Zekës

13.09.2018

Deputeti i Nismës, Milaim Zeka pritet të dalë më 2 tetor të këtij viti para drejtësisë. Atë po e akuzon shteti për mashtrim, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi. Prokuroria ka dorëzuar në Gjykatë një aktakuzë prej 58 faqesh. Ka renditur emrat e të gjitha viktimave të mashtrimit. Ka propozuar fiks 907 dëshmitar kundër tij. Zeka akuzohet se me anë të mashtrimit përfitoi 345 mijë e 700 euro së bashku me Ilir Krasniqin. 145 mijë euro akuzohet se i ka pastruar në bashkëpunim me biznesmenin, Edmond Kërliu. Akuzohet po ashtu se shtetit nuk ia ka paguar 141 mijë e 173 euro. Insajderi sjell të plotë aktakuzën kundër tij.

Aktakuza, 907 dëshmitarë kundër Milaim Zekës

Gjykimi i Milaim Zekës, mund të jetë një prej gjykimeve më të gjata që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë. Jo për shkak të kompleksitetit të rastit, por për shkak të numrit të madh të dëshmitarëve.

Prokurori Special, Afrim Shefkiu ka propozuar 907 dëshmitarë kundër Zekës. 900 prej tyre janë viktima të mashtrimit me viza pune në Gjermani të cilëve u janë marrë hiç më pak se 345 mijë e 700 euro.

354 personave u janë kthyer paratë pas nisjes së hetimeve kundër deputetit të Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka dhe partnerit të tij, Ilir Krasniqi. Shuma e parave të kthyera kap vlerën e 83 mijë e 850 euro. 546 vetave nuk u janë kthyer akoma paratë.

Insajderi ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë Speciale, kundër Milaim Zekës, Ilir Krasniqit dhe Edmond Kërliut, të cilët akuzohen për mashtrim, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi. Në aktakuzë janë renditur emrat e të gjitha viktimave të mashtrimit, të cilët janë propozuar si dëshmitarë.

Me anë të provave materiale dhe dëshmitarëve, Prokuroria po pretendon ta dërgojë në burg Zekën, për një kohë të gjatë.

Insajderi ka mësuar se tashmë është caktuar edhe seanca e parë kundër të akuzuarve në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Ata do të dalin para drejtësisë më 2 tetor të këtij viti.

Pika e parë e aktakuzës ngarkon Milaim Zekën dhe Ilir Krasniqin për veprën penale të mashtrimit. Aty thuhet se që nga fillimi i vitit 2016, deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm, Zeka e Krasniqi kanë hapur biznesin me emrin “Ilir Krasniqi & Milaim Zeka OP” si agjenci punësimi, dhe kanë paraqitur fakte të rrejshme kinse punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani.

Ata, siç thuhet në aktakuzë nëpërmjet emisionit “Pa Rrotlla” që transmetohet në RTK, kanë joshur kosovarët që të aplikojnë për viza pune në zyrat e tyre në lagjen “Pejton” në Prishtinë.

Zeka e Krasniqi, akuzohen se kanë mashtruar 920 kosovarë duke ua marrë nga 500 deri në 3 mijë e 50 euro. Vlera totale e këtij mashtrimi arrin në 345 mijë euro.

Për biznesin e mashtrimeve me viza, deputeti i Nismës së udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, Milaim Zeka dhe partneri i tij, Ilir Krasniqi akuzohen edhe për shmangie nga tatimi.

Kësisoj, ata akuzohen se e kanë vjedhur shtetin duke mos i paguar tatimet, në vlerë prej 59 mijë e 981 euro e 85 centë.

Me një pikë të vecantë të pastrimit të parave, akuzohen Milaim Zeka dhe biznesmeni nga Maqedonia, Edmond Kërliu.

Kërliu, akuzohet se Milaim Zekës ia ka pastruar 153 mijë e 901 euro të cilat dyshohet se i pa përfituar nga mashtrimi me viza të 900 kosovarëve.

“Gjatë periudhës kohore nga data 1 korrik 2016, deri më 31 dhjetor 2016 në Prishtinë, fillimisht i pandehuri Milaim Zeka me qëllim të fshehjes dhe shmangies nga tatimi të biznesit të tij, N.Sh. Qendra Mediale ‘Mozaiku i Kosovës’, ka bërë transfero të dyshimta nga llogaria e tij bankare, në llogarinë e kompanisë ‘ENK&CO”, pronë e të pandehurit, Edmond Kërliu”, thuhet në aktakuzë.

VIDEO: MILIAM ZEKA PARA GJYKATES

Aty përmenden 11 transaksione bankare në shumë të përgjithshme prej 153 mijë e 901 eurove, në emër të blerjes së tri banesave. E gjithë kjo shumë parash, ia ka kthyer Kërliu Zekës kinse në emër të huazimit.

Banesat që thuhet se janë blerë nga Zeka të cilat gjenden në kompleksin banesor-afarist, “Nartel Center”, janë sekuestruar nga Gjykata deri në përfundim të gjykimit. Nëse të akuzuarit shpallen fajtor, atëherë shteti do të bëhet pronar i këtyre tri banesave.

Deputeti Milaim Zeka, akuzohet po ashtu se me anë të kompanisë mediatike “Mozaiku i Kosovës”, me dashje i është shmangur detyrimeve ndaj shtetit. Ai akuzohet se në bazë të gjetjeve të Administratës Tatimore, 81 mijë e 192 euro e 72 centë i është shmangur shtetit.

Me një pikë të veçantë të aktakuzës për pastrim parash akuzohet edhe, Ilir Krasniqin. Ai akuzohet se ka pastruar 57 mijë euro me anë të kinse blerjes së një lokali afarist dhe një veture.

Krasniqi, akuzohet se më 18 nëntor 2016, nga llogaria e tij bankare ka transferuar 46 mijë euro në llogarinë bankare të Arsim Retkocerit, në emër të blerjes së një lokali në Matiçan në sipërfaqe prej 86.7 metra katrorë.

Mbi provat materiale të siguruara nga hetimet dhe dëshmitë e dëshmitarëve, Shteti pritet që muajin tjetër ta nxjerr Milaim Zekën, para drejtësisë për të dhënë llogari për krimet që dyshohet se i ka kryer, si ndal 900 kosovarëve duke i mashtruar ata, ashtu edhe ndaj shtetit duke pastruar para dhe duke mos paguar tatimet e obligueshme.

Vitin e kaluar Insajderi zbuloi mashtrimet e Milaim Zekës, duke botuar një seri shkrimesh për këtë veprimtari. Disa ditë më vonë ai u arrestua dhe u mbajt nën masën e arrestit shtëpiak. Hulumtimi dëshmonte se si, Zeka i cili qante nëpër studio televizive duke iu dhimbsur njerëzit në Kosovë, dhe akuzonte secilin që i dilte përpara për korrupsion, ishte i përfshirë në një aferë të madhe mashtrimi e përfitimi të kundërligjshëm.

Lista e dëshmitarëve kundër Milaim Zekës:

Vijon:

Audioincizimi i Milaim Zekës – Ilir Krasniqi: Fatmir Limaj kërkoi 3 milionë euro nga biznesmenë gjermanë