Ajri, mbeturinat dhe parkingjet – Beteja e tetë kandidatëve për Prishtinën

Shtatë kandidat  i janë futur garës për të parin e Prishtinës, duke e sfiduar kryetarin aktual, Shpend Ahmetin, i cili po synon edhe mandatin e dytë qeverisës në kryeqytet. Ahmeti i Vetëvendosjes do ketë kundërkandidat ish-ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi (LDK), ish-gazetarin Arbër Vllahiu,  zv/ministrin e Drejtësisë Lirak Çelaj(PDK), biznesmenin Selim Pacolli (AKR), ministrin e Arsimit Shyqiri Bytyçi (NISMA), sociologun Avni Çakmaku (Fjala) dhe Rifat Deri (Alternativa)

Ajri, mbeturinat dhe parkingjet – Beteja e tetë kandidatëve për Prishtinën

Rreth 190 mijë votues të Prishtinës, me 22 tetor do të vendosin se kush do të jetë kryetar i kryeqytetit për katër vitet e ardhshme.

Cilido nga tetë kandidatët që arrin të marrë votat për të qeverisur Prishtinën do t`i duhet të përballet me tri problemet kryesore: Ndotja e ajrit dhe mbeturinat; uzurpimi i hapësirave publike dhe parkingjet si dhe përfundimi i projekteve kapitale.

Ndotja e ajrit ka shënuar një shkallë alarmante gjatë dimrit të kaluar. Vetëm në  javën e parë të dhjetorit kishte arritur në shifrën 242 ppm, që llogaritet si “Shumë e pashëndetshme”. Të dhënat ishin bërë publike nga qendra për matjen e cilësisë së ajrit, e vendosur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.

Shkaqet kryesore të ndotjes llogariten të jenë ngrohja me qymyr, numri i madh i veturave të vjetra dhe mbeturinat.

Instituti GAP ka gjetur se përveç rrugëve kryesore në nëpër pjesët tjera të qytetit  mungojnë shportat, ndërkohë që kompania për menaxhimin e mbeturinave “Pastrimi” bën çdo dy ditë largimin e mbeturinave nga kontejnerët e qytetit.  Në pjesët periferike dhe fshatra, mbeturinat largohen një herë në javë.

Mungesa e hapësirave publike/parkingjet

Një sfidë në vete mbetet mungesa e parkingjeve në kryeqytet. Kjo mungesë përveç që ka krijuar tollovi të madhe, nuk kanë qenë edhe të pakta rastet e konflikteve mes njerëzve.

Ndërkohë që një pjesë e madhe e hapësirave publike vazhdojnë të mbesin të uzurpuara. Vetëm përmes hartës së uzurpatorëve janë identifikuar më shumë se 200 hapësira në qendër të qytetit.

Në anketën “Indeksi i kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet komunale në Prishtinë” të realizuar nga INPO, që është publikuar në gusht të këtij viti, del se në listën e pakënaqësive të qytetarëve të Prishtinës, dominojnë mungesa e parkingjeve publike dhe pamundësia për të lëvizur lirshëm në trotuare. Të pakënaqur me mungesën e parkingjeve ishin deklaruar 81.51% e të anketuarve.

Mosekzekutimi i buxhetit dhe mospërfundimi i investimeve kapitale

Zyra e Auditorit të përgjithshëm ka konstatuar se shkalla e realizimit të projekteve kapitale si dhe shpenzimi i mjeteve vetjake nga Komuna e Prishtinës nuk ishte në nivel të kënaqshëm.

Sipas ZAP ekzekutimi i dobët i buxhetit do të rezultojë me shfrytëzim joefikas të fondeve që ka në dispozicion, ndërkohë që redukton efektivitetin e planeve të shpenzimeve sipas programeve.

Ky institucion i ka rekomanduar kryetarit të bëjë një analizë gjithëpërfshirëse të shkaqeve dhe arsyeve për nivelin e ulët të ekzekutimit të buxhetit për investime kapitale.

Instituti GAP ka gjetur se Komuna e Prishtinës ka zvarritur punën e projekteve investuese. Rregullimi i platos në lagjen “Dardania”, megjithëse ka filluar në qershor të vitit 2015, ajo është dashur të përfundojë brenda 120 ditëve të punës.

Projekt tjetër i zvarritur është ai për konservimin e objektit me të vjetër të Prishtinës “Xhaminë e Gurit” apo e njohur ndryshe si Xhamia e Çarshisë. Punët në restaurim dhe rindërtim kanë filluar më 2011 por janë ndalur më 2013. Aktualisht hapësira e brendshme e kësaj xhamie shfrytëzohet nga delikuentët.

Parregullsitë dhe Premtimet

Komuna e Prishtinës është kritikuar nga Auditori Gjeneral për parregullsi gjatë vitit të kaluar.

Te ky institucion sipas ZAP, janë gjetur parregullsi në menaxhimin e pasurive të komunës dhe mbledhjen e taksave nga bizneset.

Komuna ende nuk ka arritur të ketë një regjistër të plotë të pasurisë së komunës, pasi që nuk ka as  procedura të brendshme të shkruara për menaxhimin e pasurive siç kërkohet me rregullore. Kjo mungesë e regjistrit sipas ZAP vështirëson identifikimin e pasurive për të konfirmuar ekzistencën e tyre dhe rritë rrezikun që ato të keqpërdoren, humben apo tjetërsohen.

Gjetja e ZAP nxjerrë në pah se komuna inkason të hyra nga taksat në biznes dhe shuma e inkasuar në këtë kod ekonomik ishte mjaft e vogël (83,887€), derisa në PFV nuk ishin paraqitur borxhet e pa mbledhura nga këto biznese.

Për më tepër Auditori i Përgjithshëm gjeti se komuna ka bërë ridestinim i shpenzimeve të projektet kapitale pa pasur aprovim paraprak të kuvendit, ka treguar dobësitë në zotimin e mjeteve dhe urdhër blerjeve si dhe pagesat sipas vendimeve gjyqësore nuk janë bërë direkte nga Thesari por nga kategoria e investimeve kapitale dhe mallrave e shërbimeve.

Nga ana tjetër, Instituti GAP që ka monitoruar punën e kryetarëve të komunave, ka bërë raport të detajuar të  35 premtimeve që Shpend Ahmeti, pati bërë gjatë fushatës së vitit 2013.

Sipas raportit të GAP, Ahmeti, prej fillimit të mandatit deri në shtator të këtij viti, ka përfunduar 20 prej premtimeve ndërsa 11projekte të premtuara vetëm se kanë filluar punët.

Ndërsa katër projekte të premtuara siç janë çerdhet në çdo zonë të kryeqytetit, psikolog në shkolla, lirimi i trotuareve dhe lirimi nga pagesat për ujë të familjeve me asistencë sociale janë gjysmë të përmbushura.

Profilet e kandidatëve

Shpend Ahmeti

Shpend Ahmeti aktualisht është kryetar i Prishtinës. Ai për herë të dytë po provon të marrë drejtimin e kryeqytetit si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ahmeti, karrierën politike e nisi në tetor 2010, duke formuar Partinë Fryma e Re, e cila nuk kaloi as pragun zgjedhor, derisa në mars 2011 u shkri në VV.

Ishte profesor në Kolegjin Amerikan të Kosovës (AUK), deri kur nisi qeverisjen në Prishtinë. Nga viti 2004 deri 2007 ka punuar si ekonomist për Bankën Botërore, ndërsa nga  viti 2007 deri në 2010 ai ka qenë aktiv në shoqërinë civile përmes institutit për studime të avancuara GAP.

Ka lindur në Prishtinë më 1978, ku mbaroi shkollimin fillor dhe të mesëm. Studimet për ekonomi dhe administrim biznesi i mbaroi në Universitetin Amerikan në Bullgari, ndërsa ato pasdiplomike në Universitetin e Harvardit në SHBA.

Arban Abrashi

Arban Abrashi aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës. Në qeverinë e shefit të tij të partisë, Isa Mustafa ka qenë ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Abrashi është anëtar i këshillit të përgjithshëm të LDK-së, ndërkohë që ka ushtruar edhe disa funksione institucionale.

Ka qenë këshilltar i ministrit të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, këshilltar në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit dhe zëvendësministrit në Ministrinë e Integrimeve.

Ai ka lindur në shkurt të vitit 1979 në Mitrovicë. Ka studiuar në Fakultetin e Filozofisë –Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet pasdiplomike i kreu në Universitetin e Sussex në Britani të Madhe, në fushën e integrimeve evropiane.

Lirak Çelaj

Lirak Çelaj, është kryetar i degës së PDK-së në Prishtinë, shef i Grupit të Këshilltarëve në Kuvendin e Prishtinës. Ishte edhe zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë në mandatin e kaluar.

Pas luftës, Çelaj ishte zgjedhur drejtor i Drejtorisë së Arteve në Ministrinë e Kulturës së Qeverisë së përkohshme. Më 1999 zgjidhet drejtor i Teatrit Kombëtar në Prishtinë. Çelaj po ashtu ishte deputet në mandatin e parë të Parlamentit të Kosovës.

Ka lindur në Prishtinë më 26 mars 1973. Studimet në Fakultetin e Arteve në Degën a Artit Dramatik, i kreu në Universitetin e Prishtinës në vitin 1995.

Në tetor të vitit 1998 u bashkëngjitet radhëve të UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, në sektorin për Informim Publik si dhe zëdhënës i kësaj Zone.

Arbër Vllahiu

Arbër Vllahiu, karriera e të cilit është e lidhur me gazetari. Ka punuar për 11 vjet si korrespodent i BBC-së nga Kosova. Ka qenë edhe korrespodenti Deutsche Welle-s dhe shef i shërbimit të Radio Evropa e Lirë në Kosovë.

Vllahiu, pas mbylljes së seksionit shqiptar të BBC-së në vitin 2011, emërohet këshilltar politik dhe zëdhënës i Presidentes së Republikës së Kosovës. Dy vjet më vonë emërohet shef i Stafit të Presidentes.

Pas aderimit në AAK , Vllahiu përveç kandidurës për të parin e Prishtinës është edhe zëdhënës i Qeverisë Haradinaj.

Vllahiu ka lindur në mars të vitit 1967 në Prishtinë. Në vitin 2011 ka marrë certifikatën nga ‘Harvard Kennedy School’ në fushën e liderëve publik në Evropën Juglindore.

Selim Pacolli

Selim Pacolli, është kandidat nga AKR-ja.

Ai në gjashtë vitet e fundit ka punuar si drejtor i përgjithshëm i Hotelit “Sëiss Diamod” , “Hotel Prishtina” dhe kryetar i Bordit në “Mabetex Holding”. Nga viti 1992 deri më 2004 ka punuar si drejtor në kompaninë “Mabetex Group”, një biznes familjar, dhe pas kësaj deri në vitin 2011 ka qenë drejtor në ATV Media.

Pacolli ka lindur më 1969, në fshatin Marec të Prishtinës, ku edhe ka kryer shkollimin që nga fillimi deri në atë universitar.

 

 

 

Shyqiri Bytyçi

Shyqiri Bytyqi, kandidat i “Nismës”, aktualisht është ministër i Arsimit, i emëruar në këtë pozitë vetëm pak ditë më parë.

Ka mbaruar studimet në Fakultetin Ekonomik. Ka punuar nëpër organizata të ndryshme private dhe në Administratën Tatimore të Kosovës.

Në vitin 2007 është certifikuar si kontabilist, në 2008 si ligjërues i lartë dhe auditor. Bytyqi është ligjërues në  Shoqatën e Kontabilistëve dhe Auditorëve të Kosovës që nga viti 2004, si dhe është një ndër themeluesit e Administratës Tatimore të Kosovës.

Shyqiri Bytyqi ka lindur më 1 janar 1972 në Arllat të Drenasit.

 

                                                                                                Avni Çakmaku

Avni Çakmaku është kandidati i partisë “Fjala” për kryetar të Prishtinës. Çakmaku punon si kryeteknik në Postë Telekomin e Kosovës. Ka lindur në Prishtinë. Studimet i kreu në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Sociologjisë.

                                                                                                        Rifat Deri

Rifat Deri është kandidat i Alternativës për Prishtinës. Ai ka kryer studimet postdiplomike për Ekonomi, në Prishtinë. Është ish i burgosur politik në vitet ’80-ta. Në zgjedhjet e kaluara komunale ka qenë kandidat në listë për Asamblenë nga radhët e VV-së, pjesë përbërëse e ekipit të Shpend Ahmetit në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Nga VV është larguar në vitin 2015 dhe është njëri prej themeluesve të partisë politike ‘Alternativa’.