400 euro provimi, 10.000 euro regjistrimi – krimet e asistentëve të UP-së

Esat Belaj, Arian Janova, Mevledun Beqiri, Kemajl Gashi, Arton Hoti, Gazmend Maliqi, Albion Haxhijaha, Leonard Bytyqi, Shaqir Reçica, dhe Amonda Orllati, janë udhëheqësit kryesor të këtij grupi. Ata kanë marrë shuma të parave nga 4 mijë deri në 10 mijë euro për regjistrimin e studentëve në UP në Fakultetin e Mjekësisë, atë të Edukimit etj., si dhe për dhënien e provimeve kryesisht në Fakultetin Ekonomik.

400 euro provimi, 10.000 euro regjistrimi – krimet e asistentëve të UP-së

Dymbëdhjetë persona përfshirë asistentë dhe studentë të Universitetit të Prishtinës janë dënuar më dënime të vogla, por krimet e tyre janë të mëdha.

Ata kanë arritur të regjistrojnë studentë jomeritorë dhe të kryejnë provime të studentëve pa u përgatitur fare. Krejt këtë e kanë bërë në këmbim të shumave të mëdha parash.

Pavarësisht dënimeve simbolike, veprimet kriminale të këtyre asistentëve dëshmohet me anë të komunikimeve të tyre telefonike. Këto krime janë kryer gjatë viteve 2009-2012.

Insajderi sjell mesazhet që dëshmojnë pazaret “akademike”.

Esat Belaj, Arian Janova, Mevledun Beqiri, Kemajl Gashi, Arton Hoti, Gazmend Maliqi, Albion Haxhijaha, Leonard Bytyqi, Shaqir Reçica, dhe Amonda Orllati, janë udhëheqësit kryesor të këtij grupi.

Ata kanë marrë shuma të parave nga 4 mijë deri në 10 mijë euro për regjistrimin e studentëve në UP në Fakultetin e Mjekësisë, atë të Edukimit etj., si dhe për dhënien e provimeve kryesisht në Fakultetin Ekonomik.

Nga mesazhet e shkëmbyera nga të dyshuarit dëshmohet se nuk ka pasur raste kur nuk ia kanë dalë të regjistrohen në UP, apo të kalojnë ndonjë provim. Këtë e patën konfirmuar edhe tashmë të dënuarit qysh në fillim kur ishin marrë në pyetje nga policia. Këtë e kanë konfirmuar edhe dëshmitarë që për shërbimet e tyre kanë paguar para.

Në mesazhet telefonike ndër të tjera përmendej edhe ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova, dhe profesorë të ndryshëm. Në një rast gjatë komunikimit përmendet një profesoreshë e cila po priste paratë për kryerjen e një provimi.

Ata arritën që të shtonin sa të donin numrin e studentëve që paguanin për tu bërë studentë të rregullt.

“Mos e qoni listën se duhet me u taku edhe me fol se muj me i shti edhe do”, i kishte shkruar Arian Janova, Esat Belajt më 5 tetor 2010.

Mujë Rugova punësoi Esat Belajn

Esat Balaj, i cili sot është dënuar me 8 muaj burgim për veprat marrja e ryshfetit”, “ushtrim i ndikimit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe 10 mijë euro gjobë, ishte punësuar nga ish-rektori Mujë Rugova.

Këtë Muja e kishte bërë me 28 shtator 2012, ditën e fundit si rektor duke i nënshkruar kontratën Balajt si asistentë në Fakultetin e Mjekësisë.

Belaj, ishte punësuar si asistent edhe pse ishte zënë duke falsifikuar nënshkrimin e një profesori për të zënë kushtin për vitin pasues të studimeve. Për këtë veprim një komision i fakultetit i kishte shqiptuar masë disiplinore.

Pavarësisht të gjithave Rugova kishte marrë këtë vendim, ani pse Këshilli Drejtues i kishte kufizuar atij shumë kompetenca në fund të mandatit, përfshirë rekrutimin e stafit.

Mesazhet telefonike lidhin drejtuesit e UP-së me krimin

Në atë kohë prodekania e Fakultetit të Mjekësisë, Hajrie Hundozi-Hysenaj, ish-rektori Mujë Rugova dhe ish-dekani i Fakultetit Filozofik, Selim Daci, përmendeshin në bisedat e grupit për regjistrime të paligjshme të studentëve.

Por, asnjëri prej tyre nuk është akuzuar dhe gjykuar.

Honduzi-Hysenaj, që ishte edhe bashkëshortja e ish-dekanit të Fakultetit të Mjeksisë, Qazim Hysenaj, në bisedat telefonike në mes të Esat Belajt dhe Leonard Bytyçit, ishte përmendur se është duke i pritur paratë për regjistrimin e një studenteje.

“O kryetar, kqyr bo naj sen qet javë se Hajrie Honduzi i kish thanë bimi paret, qet javë ta regjistroj çikën, e ma thini ky burrë, mos ta len krejt ket m…, e po ta hupi ty rastin. Bye”, shkruan në një mesazh që mbanë datën 24 nëntor 2012.

Për regjistrimin e një studenti, Kemaj Gashi i thotë Esat Belajt që të kontaktojë direkt me rektorin Mujë Rugova.

Në mesazhet telefonike përmendet edhe vajza e ish-dekanit të Fakultetit Filozofik, Selim Daci.

Me 08 nëntor 2010 Arian Janova i shkruan Esat Belajt: “Këqyr për çikë të profes Selim Dacit çka po bahet në Gjinekologji edhe tregomë”.

Ata implikojnë edhe Fakultetin Filozofik dhe atë Ekonomik.

“Behare Malush Sopa, Filozofik, Shkenca Politike, shtine në vend të Marigona Hajdarit Ekonomik”, thotë një mesazh i Arian Janovës i dërguar më 5 tetor në telefonin e Esat Belajt.

Honduzi-Hysenaj dhe Daci e patën mohuar përfshirjen në këto mesazhe.

Bisedat që dëshmuan krimin e asistentëve dhe studentëve në UP

Komunikimi në mes asistentëve të Fakultetit të Mjekësisë Esat Belaj, Rajan Zenelin, Arjan Janovën e Kemaj Gashit ishte pothuajse i përditshëm. Ata koordinoheshin që studentët – klientë të tyre të mund të dilnin sa më mirë me rezultat.

Grupi tashmë i dënuar nga gjykata, rekrutonin studentët e dalluar për të hyrë në provime për të tjerët në këmbim të 100 deri në 200 eurove.

Saktësisht me 8 shtator 2009 Esat Belaj i shkruante Arjan Janovës: “Makroekonomia 2: 23. 09. 2009, Politika sociale: 24. 09. 2009, Mikroekonomia 2, u kry fatkeqësisht, për Ekonomi Bujqësore foli Meli me atë djalin, tha veç duhet me hi në provim se kryhet sipas të gjitha gjasave. Tung”.

Me 14 korriku 2009, Rajan Zeneli i kishte shkruar mesazh Esat Belajt: “Valla kryetar nuk po di sa të dush, njo fort e kam, po ai po i lyp 400, llogarit me dalë neve naj sen shihemi e flasim”.

Po me atë ditë Belaj i kishte shkruar Zenelit: “Sa me i thanë njanit me sistem të vjetër koka pa test kombëtar, s’po jepke shumë, i ka dorëzu dokumentat, veç duhet me gjet dikan me hi”.

Më 18 korrik 2009 Esat Belaj i shkruan Rajan Zenelit: “55 pikë, testi kombëtar 8 pikë suksesi. Qaj klienti që të thash dje, qa me i ba atij, duhet me ia ndreq dyjat edhe me shti dikan, a pe marrim?”

Zeneli i përgjigjet: “me ia ndreq ato na bohen 60 eki, plus at senin për me hi plus ati me ja dhanë 200 duhet, se nuk kish dokumenta ose me ja ndreq dokumentat se tha nuk muj i marr”.

Më 20 korrik 2009 Esat Belaj i shkruan sërish Rajan Zenelit: “Rik ama numrin e atij djalit që ka me hy se duhet me u taku unë me të”. Pas këtij edhe një mesazh tjetër: “Hej Rik, kqyre bre thirre ti qat djalin thuj let vjen nesër në PR se s’po muj merrna vesh unë me të, nëse vjen nesër thuj le t’më thirr e ia jepi atë senin”.

Rajan Zeneli ia kthen mesazhin: “Belaj, a u marrjesh me atë djalin, mos harro me ja lon atë senin e kuq që i ka dorëzu dokumentat”.

Në ora 23:42 Esat Belaj i shkruan Rajan Zenelit, duke e pyetur: “Qysh e ka emrin ai djali që ka me hy në provim edhe duhet me ardhë ti me u marrë me ta se unë s’kam kohë ma”.

“Rik mirëmëngjesi, unë shkova për Evropë, po ta dha numrin e Arianit, e fol me ta për atë punën”, i shkruan të nesërmen Esat Belaj atij. Rajani ia kthen: “kryetar, rruga e marrë ishalla kalon qysh ki qef. Op e thërras unë atë, e i kallëxoj. Paret na i jep Arjani a? Shihemi”.

Me 1 shtator Esat Belaj i shkruan Rajan Zenelit:

“Rik, nëse ki shumë projekte a po do me ta gjet ni djalë me hi, ai mëson, goxha i fortë është”.

Belaj ia kthen: “Po kam, po sa pare i lyp ai nëse hyn për 150, le t’ia nis me mësu, cingërroma niherë nëse po”.

Pak më vonë Rajan Zeneli ia kthen: “Po, po hyn për 150 veç librin duhet me ia jep edhe foton e ato senet duhet me ia ndreq”.

Rajani i përgjigjet: “Ato ia ndreqim, kqyr mos ka naj par kopertina ja dho 100 eki (euro) sa ja jepi tjetër kujt mas e hup qat ditë, jam ardh sot në shpi e nëse mundet le ta kopjon qatë prej teje se nuk e di a vi nesër a mas nesër”.

Ata merren vesh se ka përfunduar ajo punë. Dhe nisin komunikime për projekte të reja.

Me 29 shtator 2009, Rajan Zeneli i shkuan Esat Belajt: “Esat, a je si je. Që të vyn paret shkon i merr te Ani (Arian Janova v.j.), 350 janë për atë djalin, tjerat na përgjys. Thirre Anin”.

Rajani shkruan prapë më vonë: “Hej Ri a i ki qato tekstet e projekteve këtu në Prishtinë, a i ki me veti, nëse i ki atje a mundesh me m’i çu diqysh t’i këqyri pak?”.

Nuk vonon mesazhi kthyes: “Esat si je ti a je mirë, si po kalon. Vete qatë djalin që i ka hi në projekt a po hun në Strategjik, unë i kam aty 20 pyetjet që i bin edhe librin ia dho. Përshëndetje”.

Esati ia kthen Rajanit: “Valla Rik s’ma merr mendja që hyn ai djali veç foli me të për çdo rast, ai nesër vjen në Prishtinë e foli tani të tregoj, tung”.

Një ditë më vonë, me 30 shtator, Rajan Zeneli i shkuan Esat Belajt:

“Esat mos harro nesër bima indeksin e Sylës. Po ashtu për këtë indeks ai vazhdon më vonë, Esat nëse je qu ka je vi ta marrë qatë indeks, se osht ka i vyn atij e me tranoj tuj me thirr”.

Ndërsa Balaj ia kthen “Rik kqyr merre vesh për qatë punën që të thash prapë gjithqysh se shumë po me intereson”.

Ai ia kthen: “Kismet, i kam thonë Ilirit, ai është tuj kqyr me marrë vesh sigurt dika si të merr vesh, të kallxoj, a po vjen merri ato”.

Esati i përgjigjet Rajanit: “Sonte nuk muj me ardh se jam lodh shumë, veç p’i tham Xhevatit le të vjen të merr edhe Skenda unë i kam pagu, nëse don me m’i dhanë”.

Nga këto mesazhe Esat Belaj shihet si njëri me ndikim të madh mbi grupin dhe se kishte lidhje thuajse në të gjitha fakultetet.

Ai u gjen punë talentëve të gatshëm për të hyrë në provim në këmbim të parave për ata që nuk kanë lidhje me fakultet.

“Rik fola me njanin për atë punën tane, me tha hi veç p’i lyp 4.0, nëse ta merr menja po foli edhe niherë me të, tregom”, i shkruan Esat Belaj, Rajan Zenelit.

Nuk merr mesazh kthyes për këtë sepse takohen dikur.

Ndërkohë Zeneli i shkruan Belajt: “Esat, sa po ja lyp njanit për Financiar tregom t’i thom”.

Esati ia kthen: 200 po hi zakonisht e sa të dush”. Në këto mesazhe shihet se diskutojnë për provime në Fakultetin Ekonomik në lëndë të ndryshme.

“Rik nesër në 12 ish Strategjiku, a ia la indeksin gati atij djalit”, shkruan Esat Belaj.

“Belaj ish kry provimi”, i tregon Rajan Zeneli.

Për çështje provimesh, gjetje klientësh dhe regjistrime, Esat Belaj komunikonte edhe me Kemaj Gashin. Ata madje vendosnin student edhe në konvikte.

Më datën 4 shkurt 2010, Kemaj Gashi shkruan: “Esat që mundesh me kry punë për konvikte që e njeh drejtorin boma ni zo, ndoshta po të bij me lek”. Të nesërmen shkruan sërish: “Esat qoma veç grupin me sms të qasaj çikës”. Në një mesazh tjetër Gashi e thërret Belajn dhe i tregon se është së bashku me dy veta të stomatologjisë.

Në një mesazh të datës 17 gusht 2010 shkruan: “Esat, 500 ia lypa këtij të Istogut, nuk ka bo ankesë, paret i kem të sigurta, kqyr me Mujën direkt”.

Më 25 korrik 2010, Kemaji i shkruan Esatit: “Esat a mundemi edhe një me shtu me ankesë është në mjekësi të përgjithshme”.

Kemaji i shkruan edhe një sms Esatit dhe i thotë: “Ok, nihemi të lajmëroj e për atë të Istogit s’ka kurgjo niherë a”.

Më 27 gusht 2010 në ora 12:47, Kemaj Gashi i shkruan Esat Belajt:

“58 i ka krejt, pragun e ka të kalum njeri për 4 poena ma shumë po testi i maturës e ka rrëzu”. Po atë ditë Kemaji i shkruan Esatit edhe dy sms: “A ka naj sen 3 për istogalin që me ke vetë ma herët. A kryhet në qatë afat po”.

Një vit më vonë, më 19 gusht 2011 Esat Belaj i shkruan Kemaj Gashit: “Kemo, po me duhet me shku në shpi sot e jam me djalin e mixhës me kerr nuk po muj me ardhë anej ka ti, vec po këqyri unë qysh mun me ia ba edhe pse boll problem koka që se paska ba qat senin”.

Po ashtu Esati i shkruan më vonë Kemajit: “Po, po unë po mundona krejt mënyrat, qysh të bahet ia bajmë”.

Më 27 gusht 2011, Esat Belaj i shkruan Kemaj Gashit: “Kemo kryhet edhe ai se e kam gjet një metodë tjetër me e kry hiq pa ankesë, kështu që 99 për qind kryhet, 100 % është veç deka”.

Pak më vonë i shkruan sërish: “Veç 3.0 (tre mijë euro) është se harrova me të tregu. Ai i shkruan po atë mbrëmje: “Po, po ne këtë afat kismet kryhet edhe atë ma shpejt se që kemi mendu”.

Më 1 nëntor 2011, Esat Belaj i shkruan Kemaj Gashit: “Qysh të dush njeri, puna është e sigurt burrë”.

Esat Belaj i shkruan më 5 nëntor 2011, Kemaj Gashit: “Jo hala veç besoj qito dy ditë merret vesh. Po more edhe ky kryhet sigurt”.

Të nesërmen Esat Bela i shkruan Kemaj Gashit: “Kur po u dashke me shku në provim”.

Më datën 7 nëntor 2001, Esat Belaj i shkruan prapë Kemaj Gashit: “Sot po me doket kryhet”.

Pastaj me një mesazh tjetër vazhdon: “Kem hala nuk u kry asnjë rast të na, në momentin që kryhet një, kryhen edhe ata, tregoju burrë”. Me mesazhin tjetër vazhdon: “Thuj atij, i kanë thanë po të kryhet sigurt se ti je lidh me të fortin. Hej kjo punë është si deka”. Me mesazhin tjetër vazhdon: “Jo jo Gazi po ia kryn vet atij ishin marrë vesh. Pak më vonë vazhdon t’i shkruaj: “Hahahaha, ani, ani ban hajgare, pe din sigurt që po të kryhet puna, e je shtiru tash”.

Një mesazh të fundit për atë ditë Esat Belaj i shkruan Kemaj Gashit: “O burrë thuj asnjë nuk u kry sot se të kryhet i pari, i dyti, i treti, e i katërti është i joni, bile ka mundësi të paret kryhen tonët”.

Përpjekja minimale për të ndal parregullsitë

Shqetësime për parregullsitë ishin ngritur herë pas here, por pa asnjë përpjekje për t`i ndalur ato.

Në një shkresë të datës 13.01.2011 që Senatit dhe Këshillit drejtues ua kishte adresuar dekani i atëkohshëm i Fakultetit të Mjekësisë, Gani Bajraktari, që ishte kualifikuar si konfidenciale, dekani kishte folur për pranimin enorm të studentëve në vitin e parë të studimeve, dhe numëruar parregullsitë në pranim.

Kishte përmendur saktësisht Degën e Farmacisë, që mezi ishte akredituar. Me konkurs ishte paraparë të regjistroheshin aty 100 studentë.

“E keqja vazhdoi pas mbylljes së konkursit, ku u pranuan edhe 60 studentë të tjerë me rrugë të panjohura për mua, dhe këtë jo sipas një radhe të caktuar dhe pa parë fare testin provues të kandidatëve, por duke pranuar edhe kandidatë që nuk kanë kaluar pragun 30 për qind, edhe kandidatë me minus pikë”, thuhet në shkresën konfidenciale.

“E keqja edhe më e papranueshme në këtë rast – ndodh pranimi i dy kandidateve që fare nuk janë futur në provimin pranues”.

Nga bisedat me mesazhe telefonike, i jepet përgjigje ish-dekanit Gani Bajraktari se si janë regjistruar studentët. Atu tregojnë se Esat Belaj, Kemaj Gashi, Arijan Janova, Rajan Zeneli, Leonard Bytyçi dhe Mevludin Beqiri kanë vepruar si grup i organizuar në cilësinë e personave zyrtarë. /Insajderi.com