Tenderi i dyshimtë i pasaportave, 7 milionë euro mirëmbajtja e pajisjeve që kanë garancion

Një tender i nënshkruar nga Ministria e Punëve të Brendshme ka shumë hapësirë për t’u hetuar nga Prokuroria. Tenderi për pasaporta është dhënë me procedurë të negociuar. Çmimi i tij është gati 20 milionë euro. Vetëm mirëmbajtja e pajisjeve kushton 7 milionë euro, ndërkohë që pajisjet kanë garancion dhe nuk arrijnë vlerën e 1.5 milion eurove në total. Tenderi i dytë me kompaninë gjermane “Veridos”, është dyfish më i shtrenjtë sesa i pari. Në MPB janë munduar ta arsyetojnë tenderin, derisa nuk kanë ofruar asnjë letër që do të dëshmonte se çfarë punësh të mirëmbajtjes janë kryer. Disa prej njerëzve të përfshirë në këtë tenderë akuzohen nga Natali Velijaj se janë të korruptuar dhe kanë marrë ryshfet.

Tenderi i dyshimtë i pasaportave, 7 milionë euro mirëmbajtja e pajisjeve që kanë garancion

Po t’i lihej në dorë hartimi i kontratës pronarëve të kompanisë “Veridos” nga Gjermania, zor që do të dinin t’ia përshtatnin interesave të tyre.

Një tender i negociuar për prodhimin e pasaportave, letërnjoftimeve dhe patentë-shoferëve, që peshon afro 20 milionë euro, hedh dyshime se dikush është duke përfituar miliona euro për punë që nuk ekzistojnë.

Atë e bën edhe më të dyshimtë një pikë në kontratë – mirëmbajtja dhe avancimi i sistemeve për letërnjoftime, pasaporta dhe patentë shofer.

Ky nen shtetit të Kosovës i kushton 7 milionë e 498 mijë euro për pesë vjet sa zgjatë kontrata.

Barra për këtë kontratë bie mbi ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ish-sekretarin e MPB-së, Driton Gashi, ish-drejtorin e Agjencisë së Regjistrimit Civil, Lulzim Ejupi dhe shefin e prokurimit, Agim Fejzullahu.

Driton Gashi, nga pozita e sekretarit kishte shkuar në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. Vendin e tij e kishte zënë, Lulzim Ejupi.

Në këtë kontratë janë të përfshirë edhe zyrtarë tjerë të MPB-së, disa prej të cilëve ishin akuzuar nga Natali Velijaj se u kishte dhënë ryshfet, mes tyre shefi i prokurimit, Agim Fejzullahu, dhe drejtori aktual i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Bekim Hoxha.

Se kontrata e dytë është e dyshimtë dhe shumë e shtrenjtë dëshmohet edhe me kontratën paraprake që Ministria e Punëve të Brendshme kishte me kompaninë gjermane “Veridos”.

Kontrata e parë për prodhimin e pasaportave peshonte 6 milionë e 631 mijë e 896 euro me kohëzgjatje prej 3 vjetësh. Ndërkaq, kontrata për “Furnizim me letërnjoftime elektronike dhe sisteme (softuer dhe harduer) për personalizimin e letërnjoftimeve”, kishte vlerë prej 7 milionë e 879 euro.

Nuk kishte asnjë nen që parashihte mirëmbajtjen. E dyta që zgjatë 5 vjet kushton hiç më pak se 19 milionë e 817 mijë e 750 euro.

Vetëm mirëmbajtja në kontratën e dytë është më shtrenjtë sesa gjithë kontrata e parë për prodhimin e pasaportave.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk kanë treguar arsyet përse procedura e prokurimit ka qenë e negociuar dhe pse është kufizuar konkurrenca.

Kanë thënë se gjithçka është në përputhje me ligjin, duke shtuar se kanë marrë aprovim nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) për të negociuar me kompaninë “Veridos” GmbH.

MPB-ja nuk ka mundur ta arsyetojë shumën prej shtatë milionë eurosh për mirëmbajtje. Ndonëse kanë thënë se ka shumëçka për t’u mirëmbajtur, nuk kanë ofruar dokumente se çfarë shërbimesh ka kryer kompania.

Kanë dhënë një listë pajisjesh që ka sjellë kompania gjermane.

“Me 28.10.2016 është ripërtërirë Sistemi Infrastruktura e Çelësit Publik (PKI). Me 27.09.2017 është përditësuar sistemi i prodhimit ku janë përfshirë edhe patentë shoferët dhe patentat e kualifikimit profesional. Me datën 28.02.2018 është funksionalizuar sistemi i patentë shofereve mobil. Me datën 23.03.2018 është përditësuar programi Imago i cili përdorët për aplikim për letërnjoftimi, pasaporta, patentë shofere, patentë shofer mobil si dhe patenta të kualifikimit profesional. Kjo nuk është e përfunduar dhe është ende në proces”, ka thënë Ministria e Punëve të Brendshme, nëpërmjet zyrës për media.

MPB-ja ka thënë se “vlen të ceket se gjatë kësaj kohe kemi pasur shumë  vizita të ekspertëve nga kompania ‘VERIDOS’ për t’i bërë këto ndryshime në sisteme”.

Duke u munduar ta arsyetojë çmimin prej 7 milionë eurosh të mirëmbajtjes, MPB-ja ka treguar për disa pajisje të sjella në Kosovë nga kompania gjermane.

Burime brenda MPB-së kanë treguar se kompania gjermane nuk ka kryer kurrfarë mirëmbajtjeje. Kanë treguar se mirëmbajtjen e pajisjeve dhe sistemeve e kryejnë zyrtarët, Arben Osmani dhe Driton Salihu. Ata paguhen rreth 1400 euro në muaj për punën që bëjnë.

“Është e rëndësishme të dihet se kush e ka mirëmbajtur sistemin dhe pajisjet në kontratën e parë? Natyrisht se këta dy zyrtarë. Në kontratën e parë nuk ka qenë kurrkund e përfshirë mirëmbajtja. Kontrata e dytë e parasheh një gjë të tillë, ndërkohë që nuk ka kurrfarë mirëmbajtje”, kanë thënë burime brenda MPB-së.

Burimet kanë treguar se pikërisht për këtë çështje ka pasur mosmarrëveshje brenda zyrtarëve të MPB-së, atyre që janë kundër që shteti të paguaj shtatë milionë euro mirëmbajtje, dhe atyre pro.

Në MPB kanë thënë se nga KRPP është pranuar interpretimi ligjor, si dhe është njoftuar nga Autoriteti Kontraktues bazuar në nenin 35, paragrafi 1, të Ligjit për Prokurim Publik. Po ashtu në fillim të procedurës KRPP dhe Agjencia Kundër Korrupsionit  ka qenë e ftuar për monitorim të procesit.

Kur janë pyetur se pse është dashur të negociohet një tender gati 20 milion euro dhe jo të hapet tender, kanë thënë se kjo është sqaruar në dokumentin për inicimin e kërkesës për zhvillimin e procedurave të prokurimit.

Por, këtë dokument nuk ia kanë ofruar Insajderit.

Pyetjes së sa kushtojnë dy makinat e e personalizimit të të dhënave, MPB ka thënë se nuk janë dy por më shumë, duke mos e përmendur numrin e saktë.

“Për informimin tuaj ju sqarojmë se nuk janë sjellë dy makina, por janë sjellë disa makina dhe pajisje tjera përcjellëse përmes të cilave bëhet personalizimi për letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shoferë (në këto sisteme hyjnë PC, skaner, makina leximi, sensor për marrjen e gjurmëve të gishtërinjve dhe nënshkrim, kamera dhe pajisje përcjellëse për fotografim, crossmacher, për krahasim të të dhënave, makina për personalizim, të LNJ-ve , PAS dhe PSH)”, ka thënë Ministria e Punëve të Brendshme.

Sipas MPB-së, makinat e sofistikuara për printimin e dokumenteve kanë kosto shumë të lartë të mirëmbajtjes, prandaj pas skadimit të kontratës (kjo kontratë ka skaduar në vitin 2016) nevojitet mirëmbajtja e tyre.

Ministria ka mohuar se ka zyrtarë për mirëmbajtje të sistemeve dhe pajisjeve, duke mos sqaruar se çfarë pune bëjnë, Arben Osmani dhe Driton Salihu.

Vite më parë, Ministria e Punëve të Brendshme ishte përfshirë në një skandal lidhur me tenderin e pasaportave.

Nesër: Historia e skandalit të pasaportave.