Bizneset e krijuara me milionat e luftës së UÇK-së

27.03.2016

Dokumentet që posedon Insajderi tregojnë se si miliona marka të përfituara në emër të luftës së UÇK-së dhe Fondit “Vendlindja Thërret”,u shpërndanë në krijimin e bizneseve private, financimin e partive politike, blerjen e banesave, lokaleve dhe trojeve.

Bizneset e krijuara me milionat e luftës së UÇK-së

Katër burra vendosën të nënshkruanin një marrëveshje biznesore më 25 korrik të vitit 1999, vetëm një muaj e gjysmë pas përfundimit të luftës në Kosovë. Prijësi i tyre ishte Ibrahim Kelmendi që kishte menaxhuar Fondin “Vendlindja Thërret” në Gjermani.

Aksionarë tjerë në firmën e emërtuar “Eko Holding” ishin: Fadil Demiri, Ton Marku dhe Dukagjin Kelmendi, kushëri i Ibrahim Kelmendit. Secili prej të treve kishte nga 10 për qind. Ibrahim Kelmendi posedonte 60 për qind.  Dhjetë për qind të mbetura ruheshin për ndonjë aksionarë të ri.

Insajderi ka siguruar marrëveshjen për themelimin e kësaj  kompanie. Ibrahim Kelmendi kishte vendosur të mos shfaqej publikisht.

“…Unë nuk duhet të shfaqem hë për hë, deri në momentin e përshtatshëm, që jam posedues i përqindjeve kryesore të kësaj firme”, thuhet në këtë marrëveshje.

Kelmendi thotë se kishte një arsye se pse kishte vendosur të mbetej anonim.

“Unë vendosa që të mos figuroj me emër, sepse nuk doja të isha barrë e firmës me spekulimet se si menaxher i Fondit “Vendlindja Thërret”, kam vjedh mjete andej dhe i kam investuar këndej”, deklaroi Kelmendi për Insajderin.

Por gjetjet e Insajderit tregojnë se në arkat e kësaj kompanie u derdhën rreth 2 milionë marka të përfituara emër të UÇK-së dhe Fondit “Vendlindja Thërret”. Dokumentet që posedon Insajderi flasin për shpërndarjen e këtyre miliona markave në krijimin e disa kompanive tjera, për financimin e partive politike, blerjen e banesave, lokaleve dhe trojeve.

Ibrahim Kelmendi 

Ibrahim Kelmendi, ish-menaxher i Fondit “Vendlindja Thërret”

Misteri i telefonave satelitorë të UÇK-së

Në marrëveshjen e nënshkruar në korrikun e vitit 1999 shënohet se kompania “Eko Holding” po krijohet me fitimet e telefonisë satelitore të quajtur “Tele Point”.

Historia e krijimit dhe operimit të “Tele Point” është e lidhur ngushtë me Fondin “Vendlindja Thërret” dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ibrahim Kelmendi kishte përfituar miliona marka nga ky biznes që përfshinte UÇK-në. Ai tregon se kishte marrë 120 telefona satelitorë nga telekomi gjerman dhe 30 tjerë nga firma gjemane CPN.

“Këta telefona i kishte në përdorim UÇK-ja në Kosovë”, thotë Kelmendi duke shtuar se telefonat satelitor ishin të regjistruar në emër të Fondit “Vendlindja Thërret”.

Lidhur me telefonat satelitorë, Kelmendi thotë se kishte probleme me autoritetet gjermane. “Telekomit gjerman i kishim ngel borxh rreth 1.2 milion DM borxh për telefonat satelitor që kishte UÇK-ja në Kosovë. Për atë borxh Prokuroria federale e Gjermanisë me pat lëshuar urdhër arresti, sepse ishin në emër të Fondit, ku unë isha menaxher”, ka thënë ai. Nuk ka sqaruar më shumë lidhur me këtë problem me autoritetet gjermane.

Por fitimin nga thirrjet nëpërmjet telefonave satelitor e kishte marrë Kelmendi me ortakët e tij, ndonëse këto pajisje ishin në emër të Fondit Vendlindja Thërret. Kjo kompani, sipas tij, e ka shitur 4 marka minutën në Evropën Qendrore, 5 marka në vendet Skandindave dhe 6 marka për thirrjet jashtë Evropës. Thotë se nuk i kujtohet kënd e kishte ortak atëkohë, përkundër që konfirmon se fitimet nga ky biznes ishin shumë të mëdha.

“Meqë fitimi ishte kryesisht meritë e rrethanave që krijoj lufta dhe çlirimi i Kosovës, vendosa që një pjesë të fitimit ta investoj në firmë tjetër, duke angazhuar bashkëveprimtarë që kishin merita të gjatë lufte dhe ndaj të cilëve kisha besim të madh”, ka deklaruar Kelmendi.

Ai shton se mjetet që i kishte dhënë për hapjen e firmës “Eko Holding”, kapnin shifrën e miliona eurove.

“EKO-Holding startoi me të hollat që ia dhashë unë nga fitimi që kisha nga telefonia satelitore, por nuk mbaj mend se sa mjete financiare ua kam dhënë, meqë dhëniet i bënin vëllezërit e mi që e menaxhonin telefoninë satelitore. Gjithsesi duhet të kenë qenë rreth dy milionë DM”, thotë Kelmendi.

Marreveshja 1   Marreveshja 2      Marreveshja 3

Marrëveshja për themelimin e “Eko Holding”.

Dyshimet për fajde, blerjet e patundshmërive dhe shpërndarja e parave të “Eko Holding”

Insajderi ka siguruar edhe raportin financiar të kompanisë “Eko Holding”. Mban datën 3 maj 2003. Të gjitha vlerat janë shënuar në marka dhe aty tregohet për shpenzimet që ka bërë kompania nga viti 1999 deri më 2003. Shënimet tregojnë se miliona marka të kësaj firme janë ri-destinuar për krijimin e kompanive të reja, blerje të tokave e banesave.

70 mijë marka janë investuar në hapjen  e restorant “Arbi”, 197 mijë marka janë investuar në sektorin e mobiljeve, 50 mijë marka në hapjen e një salloni frizerie, 150 mijë marka në sektorin e energjetikës, 183 mijë marka janë shpenzuar për investime në Kroaci, 550 mijë euro për sektorin e birrës, 50 mijë marka për hapjen e dy lokaleve në Prishtinë, 500 mijë marka janë investuar në “Llapi Comerce”, 161 mijë marka për kampin në Kargac, 70 mijë marka për për ngritjen e një shatori në Gërmi, 19 mijë marka për “diskoteka në Prizren” si dhe 151 mijë marka janë investuar për hapjen e bankës “Eko Banka”.

Një shumë e madhe në vlerë prej 1 milionë e 110 mijë markave, bazuar në këtë dokument,  është investuar  në firmën “Genci”. Nuk sqarohet më shumë se me çfarë aktivitetesh është marrë kjo firmë ku janë ri-destinuar mbi 1 milionë marka.

Përveç krijimit të kompanive tjera, shuma të mëdha parash janë shpenzuar edhe në blerjen e patundshmërive. 180 mijë marka janë shpenzuar për të blerë tokë në Veterrnik dhe 400 mijë marka për të blerë tokë në Fushë Kosovë. Po ashtu në raport, tek “gjendja e kapitalit të kompanisë”, tregohet se “80 mijë euro janë shpenzuar për banesën e Dugit ndërsa 70 mijë euro për banesën e Fadilit”.

Kompania “Eko Holding”, bazuar në dokumentet e siguruara nga Insajderi, del se ka pasur edhe borxhe në vlerë prej dhjetëra mijëra markash. Në raport shënohet se borxhi i kompanisë ndaj Currit e Sylës është në vlerë prej 50 mijë markash. Po ashtu në kllapa tregohet se kamata mujore e këtij borxhi është pesë për qind.

Një borxh tjetër është në vlerë prej 10 mijë markash. Kompania i obligohet Gjonit nga Tuzi dhe kamata mujore e këtij borxhi është dhjetë për qind. Në dokument nuk jepen sqarime se kush janë Curri, Syla dhe Gjoni dhe se pse kompania paguante kamatë ndaj këtyre individëve.

Kelmendi, i kontaktuar nga Insajderi, ka thënë se nuk beson që kompania kishte marrë para me fajde pasi “Eko Holding”, kishte shumë para dhe nuk kishte nevojë për një gjë të tillë.

analiza

Dokumenti që tregon për shpërndarjen e parave të “Eko Holding”.

Borxhi i Ibrahim Kelmendit ndaj fondit “Vendlindja Thërret”

 Raporti tregon edhe për paratë që kompania “Eko Holding”, ia ka dhënë të tjerëve. Kjo rubrikë emërtohet “Ndihmat- dhënë nga Eko Holding”. Aty përmendet se 48 mijë e 440 marka i janë dhënë Ibrahim Kelmendit për shlyerjen e borxhit të Fondit “Vendlindja Thërret”.

Ndërkaq 23 mijë e 700 marka i janë dhënë personit të quajtur “Sahroui”, që në raport përshkruhet si sekser i UÇK-së. Shënohet se kjo shumë i është dhënë për “paga dhe telefonime”. Ibrahim Kelmendi ka mohuar se i ka pasur borxh fondit.

 Ka thënë se raporti është hartuar nga Dukagjin Kelmendi dhe Fadil Demiri dhe se nuk bart përgjegjësi se çfarë kanë shënuar ata. Ka pohuar se këta dy e kanë tradhtuar besimin e tij duke keqpërdorur kompaninë “Eko Holding”.

“Nuk kam fare informacion, meqë fatkeqësisht nga fundi i vitit 2003 Fadili dhe Dukagjini me kanë njoftuar se “Eko-Holding” ka bankrotuar”, ka thënë Kelmendi për Insajderin kur është pyetur për shpenzimet që ka bërë kompania “Eko Holding”.

Fadil Demiri është kontaktuar nga Insajderi. I janë dërguar pyetjet para tri javësh. Nuk ka kthyer përgjigje. Ngjashëm ka vepruar edhe Dukagjin Kelmendi. Insajderi ka biseduar nëpërmjet telefonit edhe me Ton Markun, ortakun tjetër të firmën që jeton në Kroaci. Marku ka thënë se nuk i kujtohen shifrat në detaje.

“Detajet i dinë Fadili që ka qenë drejtor i përgjithshëm dhe Dukagjini që ka qenë drejtor financiar. Unë nuk i di”, ka thënë Marku.

Sekseri i UÇK-së

Edhe një detaj tjetër në raportin financiar të kësaj kompanie kallëzon për ndërlidhjen e saj me Fondin “Vendlindja Thërret”. Në raport tregohet se 23 mijë e 700 marka i janë dhënë një personi që i ka ndihmuar UÇK-së. Kjo shumë i është paguar “paga dhe telefonime”. Ai emërtohet në raportin financiar vetëm si Saharoui dhe me vërejtjen “Sekseri i UÇK-së”, në kllapa.

Ibrahim Kelmendi thotë se Saharoui ishte algjerian dhe kishte mbajtur postin e shefit të kabinetit të kryetarit algjerian, Houari Bumedien, të rrëzuar më 1999 nëpërmjet grusht shtetit.

“Në Gjermani është angazhuar si funksionar në partinë SPD. E kemi angazhuar Sabri Kiçmari (tani ambasador) dhe unë, për të na mundësuar kontakte me funksionar të lartë qeveritarë në Gjermani e Austri“, ka thënë Kelmendi.

Ai është pyetur se pse “Eko Holding”, mbante përgjegjësi për të paguar borxhin ndaj të ashtuquajturit  “sekser i UÇK-së”, i cili ishte angazhuar nga Fondi “Vendlindja Thërret”?

“Sepse mjetet e UÇK-së, që duhet të kishin tepruar, i grabiti banda Haliti-Syla, Thaçi-Grabovci, dhe nuk donin ti shlyenin borxhet”, thotë Kelmendi. Shton se Saharoui kishte ardhur personalisht në Prishtinë dhe kishte kërkuar kthimin e borxhit që Fondi “Vendlindja Thërret”, kishte ndaj tij.

“E kam takuar Adem Grabocin që t’ma hiqte qafe. Nuk ia pagoi”,ka thënë Kelmendi duke shtuar se më pastaj Fadil Demiri kishte kryer obligimet ndaj algjerianit.

Insajderi i ka dërguar pyetje Sabri Kiçmarit dhe Adem Grabovcit për të komentuar pohimet e Kelmendit. Ende nuk kanë dhënë përgjigje. Njëri prej udhëheqësve të UÇK-së, Xhavit Haliti, është kontaktuar nga Insajderi. Haliti ka thënë se nuk i kujtohet se çfarë ka ndodhur saktësisht. Ka thënë se ka dëgjuar se pas luftës ishte hapur një kompani me emrin “Eko Holding”, por se nuk e di shumë për të. Ka shtuar se, po ashtu, nuk ka shumë informacione për funksionimin e telefonisë satelitore e as për pagesat që i janë bërë të ashtuquajturit Sekser i UÇK-së.

Dyshime për financim të partive nga “Eko Holding”

Përveç shpërndarjes së miliona markave në krijimin e dhjetëra bizneseve nëpër Kosovë, paratë e “Eko Holding” janë përdorur edhe për të mbushur arkat e partive politike.

Në raportin financiar të kompanisë figurojnë emrat e dy partive politike. Shënohet se 37 mijë marka i janë dhënë Partisë Qendra Liberale e Kosovës ndërsa 32 mijë marka tjera Naim Malokut, kryetar i atëhershëm kësaj partie, tashmë të shuar. Naim Maloku ish-kryetar i PQLK-së, konfirmon se Fadil Demiri ishte një ndër anëtarët e këshillit nismëtar për formimin e kësaj partie.

Thotë se nuk kishte pranuar personalisht para nga kjo firmë por tregon se Fadil Demiri ishte donator i kësaj partie.

“Me kujtohet që kompjuterët që i kemi përdorë i ka sjellë Fadili. Sa dijë unë nga ai janë mbuluar edhe shpenzimet në bufenë e sallës, edhe sallën për mbajtjen e Kuvendit të parë”, ka deklaruar Maloku për Insajderin. Subjekt tjetër politik që i ishin dhënë para, bazuar në raport, ishte Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Shënohet se kësaj partie i janë 30 mijë marka.

Po ashtu kësaj partie i janë dhënë edhe 10 mijë marka tjera që në raport emërtohen si “Rushfet për birra”.

“As për këto të dhëna nuk kam qenë i informuar dhe nuk di konkretisht asgjë. Nuk jam pyetur e informuar. Ngjan ti kenë dhënë për ryshfet, meqë EKO-Holding pat filluar ta plasonte në treg birrën me bure (krigëll), të cilën e blente nga Birraria e Pejës”, ka thënë Kelmendi. Shton se drejtuesit e birrarisë ishin të lidhur ngushtë me vëllëzërit Haradinaj që drejtojnë AAK-në.

Insajderi ka kërkuar para dy javësh përgjigje nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për pohimet e Kelmendit dhe të dhënat në raportin financiar të kompanisë “Eko Holding“. Nuk ka dhënë përgjigje.

Ndërkaq Agim Elshani, ish-drejtor i “Birra Peja”, ka pohuar se nuk ka qenë asnjëherë i informuar se Ibrahim Kelmendi ka pasur kompani që merret me tregtinë e birrës.

“Një kompani me emrin Holding pas luftës pat nisur të shes birra në krigëll. Furnizohej nga ne. Nuk më kujtohet mirë. E di sigurt se asnjë prej këtyre emrave që përmendni nuk ka kontaktuar me ne. Ajo firmë me të cilën kemi bashkëpunuar ka qenë e dikujt tjetër”, ka thënë Elshani.

Ai ka mohuar deklarimet e Kelmendit se dikush prej drejtuesve të Birrarisë ka mundur të pranojë ryshfet në emër të AAK-së. Elshani ka qenë zëvendës komandant i UÇK-së në zonën e Dukagjinit. Ramush Haradinajn e ka pasur epror.

 

Përgjigje shtesë e Ibrahim Kelmendit pas publikimit të artikullit.

(1) Gjatë Lufte kam marrë me qira rreth 150 telefona satelitorë për nevoja të komunikimit të UÇK-së, meqë ata nuk mund ti përgjonin shërbimet inteligjente serbe dhe aleatët e tyre. 120 telefona i kam marrë nga Telecom’i i Gjermanisë dhe 30 nga firma gjermane CPN. Me Telekomin gjerman ishim marrë vesh t’ua paguanim 4.5,- DM minutën. Ndërsa pak më vonë firma CPN na e ofroi për 4,- DM minutën.

(2) Kur filloi bombardimet NATO dhe kur u njoftova se telefonat satelitor do të shërbejnë për komunikim të UÇK-së edhe me NATO, krejt spontanisht mora kontakt me Ushtrinë gjermane, e cila kishte ngrit një shtab ekstra për Kosovën. I njoftova se telefonat satelitorë po na kushtonin shumë shtrenjtë dhe se do të detyroheshim ti ndërpritnim. Pas disa orëve më kanë kontaktuar dy veta, të cilët më kanë këshilluar që gojarisht mund të deklarohem në Telekomin gjerman se nuk mund ti paguaj më, prandaj me duhet ti ndërpres, ndërsa Telecomi ishte udhëzuar që të mos i ndërpriste. Dhe ashtu veprova.

Rreth një muaj pas mbarimit të Luftës Telcomi gjerman me ka dërguar një faturë për rreth 1.2,- milionë DM borxhe për dy muajt e fundit. Ajo faturë më pat ngel kujtim, meqë Telcomi e kishte bërë sa për të pas “evidencë” (mund që Ushtria gjermane ia kishte paguar).

(3) Ndoshta 4-5 ditë pas Lufte BKA (Bundeskriminalamt / Enti Federal për Kriminalistikë) ka ndërmarrë aksion të furishëm kundër Fondit “Vendlindja thërret”, duke i bastisur të gjitha zyrat dhe dhjetëra veprimtarë të Fondit. Edhe mua më kanë sulmuar në banesë rreth orës 05.00 të mëngjesit. Për fat rreth një orë më herët unë gjendesha në udhëtim për të marrë aeroplanin e Kompanisë Malev, nga Hamburgu në Budapest dhe prej aty për në Tiranë. Në aeroport po më dërgonte me makinë të tij bashkëveprimtari Veton Jashari (nga Mitrovica). Në Hamburg duhej të takohesha edhe me Naser Idrizin dhe bashkërisht do të shkonim në Tiranë. Duke qenë në udhëtim me ka telefonuar policia gjermane, e cila më ka urdhëruar të kthehem se po ma bastisnin banesën (në Këln), duke më bërë me dije që nuk mund të dalë jashtë Gjermanisë, meqë ishte lëshuar urdhër arresti kundër meje. Megjithatë unë nuk u ktheva. Gjeta mënyrën për të ikur përmes Zvicrës dhe Italisë dhe prej atje me traget në Shqipëri.

(4) Në atë blic aksion institucionet gjermane kishin konfiskuar gjithë dokumentacionin e Fondit Vendlindja thërret dhe kishin bllokuar xhirollogarinë bankare.

(5) Nga fundi i qershorit në Prishtinë ka ardhur pronari i firmës CPN, Z. Nikolai, që na kishte ofruar telefonat satelitor gjatë Lufte. Në recepcion të hotelit Grand ka pyetur nëse më njihnin. Ata të recepcionit më kanë informuar. Ai më ka fol se duhet ofruar menjëherë shërbimi i telefonisë satelitore, meqë Telekomi i Kosovës ishte jashtë përdorimi. Për start ka kërkuar 60.000,- (gjatë dhjetëmijë) DM, për ti paguar 10 pajisje për telefonim. Ndërsa për minutë të shpenzuar u morëm vesh të paguajmë 2.2,- DM. Unë nuk i kisha ato 60 mijë DM për ti paguar pajisjet. Ua kërkova hua disa vetave, nuk mi dhanë. Me pronarin e reisebyros GRYKA (Ramiz Nikçi) u morëm vesh që ai ti investonte 60 mijë DM dhe ne të formonim firmë të përbashkët (unë 51 %, ndërsa ai 49 % të ortakërisë). Bashkë me Ramiz Nikçin e dërguam gjermanin Nikolai deri në Elez-Han, prej ku ai mori taksi për të shkuar në aeroportin e Shkupit. Mbet që në Gjermani firma GRYKA t’ia jepte 60 mijë DM dhe ti merrte pajisjet për të filluar telefoninë satelitore.

Fatkeqësisht Ramiz Nikçi u pendua. Gjermani Nikolai erdhi sërish në Kosovë. Tani donte të gjente partner tjetër. Por, në bisedë e sipër u tregua i gatshëm të mi ofronte pajisjet me lising (qira), me kusht që në vend të 2.2,- DM për minutë, siç ishim marrë vesh paraprakisht, të ma rriste minutën në 2.5,- DM dhe qiranë për secilën pajisje e caktoi 300,- DM në muaj.

(6) Qysh në fillim të Korrikut u pa se nga ai shërbim satelitor fitimi do ta kisha tepër të madh (sidomos për shkak se telefononin gjatë e shumë përfaqësuesit ndërkombëtarë).

Meqë ai fitim nuk ishte thjeshtë fitim i bazuar në talentin tim biznisor dhe as në investimin privat, por rrjedhojë (meritë) vetëm e Luftës, vendosa që ato fitime të mos i çmoj personale. Prandaj në telefoninë që krijova (“Tele Point”) vendosa ti marrë për ortak edhe 9 veta të tjerë, që ishin të dëshmuar gjatë Lufte, por që nuk kishin si të fillonin rrojtjen në Kosovë.

(7) Paralelisht vendosa me një pjesë të fitimeve nga telefonia të themeloj edhe një kompani tjetër, për të angazhuar edhe të tjerë që të fillohej me punë. Kështu përzgjodha Fadil Demirin dhe Ton Markun, kryesisht pse kishin qenë bashkëveprimtarë të Fehmi Lladrovcit, prandaj kisha besim të madh ndaj tyre, por edhe pse kishin përvojë biznisore dhe merita në veprimtarinë çlirimtare. Bashkë me ata e krijova kompaninë EKO-Holding, duke vendos që 5 ortakë të kishim nga 10 % të ortakërisë, ndërsa 50 % të ortakërisë të ishin pronë e ndonjë shoqate të dalë nga UÇK-ja (arsyen tjetër për këtë përcaktim do ta rrëfej kur ta quaj unë të përshtatshëm.).

(8) Nga starti dhe deri në fund të vitit 2000 në EKO-Holding duhet të kem dhënë rreth 2 (dy) milionë DM, që kishin rezultuar si fitim nga telefonia satelitore, dhe dy hektarë e 40 ari tokë në Prishtinë-Veternikë. Atë tokë, për shkak të lutjeve që më bëri vëllai i Nekibe Kelmendit, Z. Ejup Kolica (si lidhje miqësore, meqë avokatin Bajram Kelmendi e kisha kushëri të afërt nga ana e nënës) e kisha ble për 240 mijë DM, por e kisha regjistruar në emër të Fadil Demirit. Bile, me Z. Kolica kemi udhëtuar në Pejë për ti marrë të hollat. I mora të hollat e biznesit të disa ditëve të fundit, të pa numëruara, në tytë plastike. Kur erdhëm në Prishtinë në zyra të EKO-Holdingut i numëruam. Na dolën mbi 600 mijë DM. Me 240 mijë u pagua toka, ndërsa të tjerat u investuan në EKO-Holding.

(9) Në EKO-Holding angazhova edhe Dukagjin Kelmendin, kushëri, por edhe ish i burgosur politik dhe bashkëveprimtar (për të pas siguri më të madhe se në EKO-Holding nuk të vidhej shumë).

(10) Është e vërtet se gjatë Lufte kishim angazhuar “sekserin” (lobistin) algjeriano-gjerman Dr. Sahroui, për të bërë lobim për luftën tonë të drejtë, meqë ai kishte përvojë dhe njohje nga koha kur kishte qenë shef i kabinetit të kryetarit të Algjerisë, Houari Boumedienne (1965-1978) dhe tani ishte i angazhuar si funksionar në partinë gjermane SPD. Rëndom ai pati kërkuar vetëm shpenzimet e udhëtimeve, hoteleve, telefonatave, kur do të angazhohej për të lobuar për Luftën dhe UÇK-në. Ai erdhi edhe në Prishtinë me një dosje faturash për ti kërkuar detyrimet që ia kishim. Meqë nuk kisha mundësi tjetër (“ministri” i financave Adem Graboci refuzoi ta paguante, me arsyetim se nuk kishin mjete), urdhërova Fadil Demirin që t’ia paguante ato borxhe që ai po i kërkonte. Dhe, di që shpenzimet për Dr. Sahroui na ishin shpaguar, sepse vërtet ai ia doli të sqaronte personalitete të shquara gjermane, siç ishin Erhard Eppler, Hans Koschnik, por edhe austriake dhe në botën “arabe”.

(11) 5 muajt e fundit të vitit 1999 dhe gjatë viteve 2000 dhe 2001 EKO-Holding që bërë një firmë e madhe, më shumë veprimtari biznisore. Eksportonte shumë këpurdha, gllija (dëllinja), lëkura…, importonte kompjuterë, mobile dhe gjësende tjera për biznese…

(12) Në maj të vitit 2003 Fadil Demiri dhe Dukagjin Kelmendi mi kanë ofruar disa shifra, për të arsyetuar vetën e tyre se si kishte dështuar kompania…

***

Po shpresoj se qëllimi im fisnik, për të mos u bërë profiter lufte, nuk do të duhej të keqkuptohet si kriminalitet imi ndaj Fondit “Vendlindja thërret”. Nga kjo paraqitje telegrafike secili mund të kupton se unë kisha të drejtë ligjore (edhe pse atëherë nuk kishte shtet ligjor, por protektorat të inkriminuar), që fitimet nga telefonia satelitore ti përvetësoja vetëm për vete. Ato fitime nuk ndodhën “në emër të UÇK-së dhe të Fondit Vendlindja thërret”, por si meritë e tyre që bënë Luftë çlirimtare!

Fatkeqësisht Fadil Demiri dhe Dukagjin Kelmendi me tradhtuan, duke vjedh, tjetërsuar e shkatërruar gjithë ato investime dhe atë shans që EKO-Holding të ishte tani firmë gjigande, duke ndikuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Më vjen keq që Fadil Demiri dhe Dukagjin Kelmendi, as atëherë mua, as tani, nuk kanë ofruar sqarime, çfarë vërtet ka ndodhur me EKO-Holdingun.