Skandali i Muharrem Svarqës, favorizoi biznesmenin e njohur të Ferizajt

18.04.2017

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, dhe tërë përkrahësit e tij në asamblenë komunale, kanë lënë anash obligimet ligjore, për të vepruar në interes të Tahir Malokut, një prej biznesmenëve më të njohur të këtij qyteti.

Skandali i Muharrem Svarqës, favorizoi biznesmenin e njohur të Ferizajt

Synimi i biznesmenit të njohur nga Ferizaj, Tahir Malokut, për rrënimin e tri objekteve të vjetra banesore dhe, në vend të tyre, ndërtimin e një të riu të kompanisë “Fitorja”, ishte hedhur në votim në asamblenë e Ferizajt, më 9 mars të këtij viti.

Pushteti lokal i udhëhequr nga kryetari Muharrem Svarqa nuk i kishte votat e duhura për t’i dhënë “dritën jeshile” kërkesës së pronarit të kompanisë “Fitorja”.

Bazuar në Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim të Pronës Komunale duheshin 21 vota. Pro ofertës së kompanisë “Fitorja” votuan vetëm 18 ligjvënës nga 41 sa ka asambleja komunale.

Ndonëse mungonin edhe tri vota, pushteti lokal në Ferizaj vendosi që t’i shmangej ligjit. Mori vendim për t’i dhënë pronë komunale në shfrytëzim kompanisë së Malokut, përkundër mungesës së votave të mjaftueshme.

Ky vendim parasheh që kompania ‘Fitorja’ të shfrytëzojë për 99 vjet pronën komunale që gjendet në vendin e quajtur “Dëshmorët e Kombit”, afër shkollës fillore “Tefik Çanga”, në Ferizaj. Kjo pronë ka një sipërfaqe prej 2 mijë e 471 metra katrorë.

Kompania private, përveç se do të ndërtojë banesa për qëllime komerciale-shitjen e tyre, është e obliguar që të bëjë ndërtimin e një numri të caktuar të banesave për raste sociale dhe për banorët e tri komplekseve të vjetra banesore, të cilat do të rrënohen.

“Të drejtat dhe obligimet e palëve do të rregullohen me kontratë të veçantë të lidhur në mes të kryetarit të Komunës dhe shfrytëzuesit të pronës së paluajtshme të Komunës”, thuhet në vendimin e asamblesë komunale të Ferizajt.

Parashihet që kompania të investojë mbi 2 milionë euro në ndërtimin e objektit të ri. Derisa autoritetet komunale pajtohen me ofertën e kompanisë, ngjashëm nuk kanë vepruar banorët e tri komplekse banesore që do të rrënohen nga kompania “Fitorja”.

[arve url=”https://www.youtube.com/watch?v=ahmNi6E-ZMM&feature=youtu.be”/]

 MAPL: Komuna duhet të votojë sërish për kërkesën e biznesmenit Maloku

Ndonëse ankesat e banorëve janë shpërfillur, i obligueshëm është vendimi i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Kjo Ministri ka vlerësuar se vendimi i marrë nga Komuna e Ferizajt, më 9 mars të këtij viti, është i kundërligjshëm. Kjo Ministri ka hedhur poshtë këtë vendim, me datën 28 mars të këtij viti. Atë ditë, MAPL-ja ia ka dërguar vendimin kryetarit të Ferizajt, Muharrem Sfarqa, dhe kryesuesit të Kuvendit Komunal, Faruk Guri.

I ka njoftuar për shkeljen e ligjit kur kanë vendosur që të favorizojnë biznesmenin Tahir Maloku, pronar i kompanisë “Fitorja”. Bazuar në këtë vendim, veprimi i autoriteteve komunale është në kundërshtim me Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës dhe Rregulloren  për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbimit të pronës së paluajtshme të komunës.

Sipas MAPL-së, ky ligj dhe kjo rregullore shprehimisht përcaktojnë se  “Kuvendi i Komunës pas përfundimit të afatit për parashtrimin e ankesës, miraton me shumicë të votave të anëtarëve të Kuvendit të Komunës ofertën e përzgjedhur të Komisionit Vlerësues”.

“Në procesin e votimit ky vendim është miratuar me 18 vota për dhe 17 kundër. Në rastin konkret është dashur të jenë së paku 21 vota për miratimin e këtij vendimi nga gjithsejtë 41 anëtarët e Kuvendit të Komunës së Ferizajt”, thuhet në vendimin e Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal. Ministria i ka dhënë autoriteteve lokale të Ferizajt një afat prej 30 ditësh për të rishqyrtuar vendimin që nënkupton hedhjen e sërishme në votim. Nëse miratohet me 21 vota pro, atëherë llogaritet se është në pajtim me Ligjin për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim.

Komuna e Ferizajt planifikon ta hedhë sërish në votim ofertën e kompanisë “Fitorja”.

Insajderi i ka dërguar pyetje Zyrës për Media të Komunës së Ferizajt lidhur me vendimin e MAPL-së. Ka kërkuar të marrë përgjigje nga kryetari Sfarqa. Edhe pse ekzekutivi dhe legjislativi janë pushtete të ndara, ndryshe kanë vepruar autoritetet komunale në Ferizaj.

Ndonëse pyetjet i janë dërguar ekzekutivit, përgjigje janë kthyer nga Faruk Guri, kryesues i Kuvendit Komunal. Guri ka pohuar se ka një arsye se pse asambleja nuk e pa të nevojshme që të mbledhë 21 vota pro. Thotë se ekzistojnë paqartësi në Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme.

Ky ligj, sipas tij, kërkon që vendimet të merren me shumicë votash, por nuk e precizon se a me shumicë të votave të anëtarëve prezentë apo të zgjedhur. Thotë se ky ligj është i mangët në krahasim me ligjin për vetëqeverisje lokale.

“…në krahasim me ligjin për vetëqeverisje lokale, i cili e precizon tek neni 41.4, ku thotë: Për t’u zgjedhur në votimin e parë, kandidati duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të zgjedhur”, ka deklaruar Guri.

Por, përkundër këtyre vërejtjeve ndaj këtij ligji, Guri pohon se asambleja komunale do të veprojë konform kërkesës së MAPL-së. “Ne, si institucion do të veprojmë konform ligjit dhe kërkesës së ministrisë, do të thotë do ta qesim në rishqyrtim vendimin e datës 09/3/2017 me nr. 35”, ka thënë Guri.

Ndërkaq, biznesmeni Maloku ende nuk ka dhënë përgjigje për Insajderin lidhur me vendimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Kompania “Fitorja”, përveç shtrirjes në shumë qytete të Kosovës me ndërtime të larta, ka në pronësi edhe një terminal doganor, është distributor i një numri të madh të produkteve të metalit, është një prej prodhuesve më të mëdhenj të betonit në Kosovë, si dhe bazuar në faqen zyrtare të saj, është prej importuesve më të mëdhenj të derivateve të naftës në Kosovë.

Banorët: Do të kundërshtojmë deri në fund

Megjithatë, edhe nëse oferta e kompanisë miratohet me 21 vota pro, problemet për autoritetet komunale do të vazhdojnë. Drejtuesit e komunës ende nuk kanë marrë pajtimin e banorëve për të rrëzuar tri objektet e vjetra, në vend të të cilave do të ndërtohet kompleksi banesor i kompanisë “Fitorja”. Banorët janë duke kundërshtuar ofertën e kësaj kompanie.

Bazuar në ofertën e biznesmenit Maloku, 82 përqind e objektit të ri do të jetë në pronësi të kompanisë “Fitorja”. Komuna do t’i ketë 9 përqind të kompleksit banesore dhe do të shfrytëzohet për banesa për raste sociale. Ndërsa pjesa tjetër e mbetur prej 9 përqind do të jenë banesa për banorët aktual të tri komplekseve të vjetra banesore.

Një prej banorëve, Ymer Zuka, në emër të të gjithë banorët ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe në atë të EULEX-it. Ka akuzuar për shkelje ligjore kryetarin Sfarqa, kryesuesin e Kuvendit Komunal, Faruk Guri dhe drejtorin komunal të urbanizmit, Faik Grainca.

“Nuk po na japin atë çka po na takon neve. E kemi kërkuar planin e ndërtimit, por nuk na e kanë ofruar asnjëherë. Kemi kërkuar me na ofru planin ndërtimor, për me u informu se çka ofrojnë. Na është ofru 9 përqind, kjo është hajgare. Për këtë jemi duke kundërshtuar të gjithë banorët dhe do të jemi deri në fund për të drejtat tona”, pati thënë Zuka për televizionin lokal Tema, më 10 mars të këtij viti.

Sipas tij, banorët janë të indinjuare edhe për faktin se është shpërfillur kërkesa e mëhershme e tyre drejtuar Komunës. Banorët kishin kërkuar që parcela publike prej 25 arësh në të cilin janë të ndërtuara banesat kolektive gjatë viteve të 50-a, të shekullit të kaluar, të bartet në emër të banorëve duke u bazuar në ligjet e bashkëpronësisë. Kjo kërkesë, asnjëherë nuk është marrë parasysh nga autoritetet komunale./Insajderi.com