Hoxhaj thotë se demarkacioni tani do të votohet nga opozita dhe lista serbe

Hoxhaj thotë se demarkacioni tani do të votohet nga opozita dhe lista serbe

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka siguruar se të gjithë deputetët e koalicionit qeverisës do të votojnë pro demarkacionit në seancën e së martës. Ai thotë se votën pro do ta japin edhe deputetë të Listës Serbe dhe të opozitës, por nuk ka treguar se kush janë ata emra. Hoxhaj thotë për se kanë zhvilluar takime me të gjitha partitë që marrëveshja për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, kësaj here të kalojë përfundimisht.

Gjatë javës së kaluar Hoxhaj deklaroi në Kuvendin e Kosovës se marrëveshja për ratifikimin e demarkacionit është teknike por se e njëjta është shndërruar në kauzë të madhe politike. Ai ka komentuar për deklaratën se “do t’i lusë deputetët e Listës Serbe që të votojnë demarkacionin”.

“Gjate këtyre tri jave te fundit kemi fole sa me Listën Serbe po aq edhe me parti te tjera shqiptare ne opozite për te siguruar votat e nevojshme dhe për ta ratifikuar përfundimisht marrëveshjen e demarkacionit”, tha Hoxhaj.

Raportimet nëpër media se brenda koalicionit qeverisës ekzistojnë deputetë që do të votojnë kundër demarkacionit, Hoxhaj i ka komentuar duke thënë se nuk ka asnjë dyshim që këta deputetë do të votojnë kundër marrëveshjes.

“Te gjithë deputete e partnereve te koalicionit qeverise do te votojnë pro marrëveshjes dhe këtu nuk ka asnjë dyshime, por do këtë edhe deputet te opozitës dhe te listës serbe qe do japin voteten” , thotë Hoxhaj.

Tutje ai tha se deri të martën do të merren intensivisht me këtë temë.

Tash e disa herë hedhja e demarkacionit në votim ka dështuar për shkak se koalicioni aktual i qeverisës nuk i kishte votat e nevojshme. Njëra prej arsyeve të rrëzimit së Qeverisë Mustafa ishte mungesa e votave për kalimin e marrëveshjes së demarkacionit. Marrëveshje kjo që llogaritet si njëra prej kushteve kryesore që do t’u mundësonte qytetarëve liberalizimin e vizave.

Ndërkohë, liderët botërorë si dhe kryesuesit e Parlamentit Europian kanë apeluar klasën politike që sa më shpejt të ratifikojnë demarkacionin.

Edhe pse Kosova që një dekadë është shpallur shtet i pavarur vazhdon të mbetet si më i izoluari në botë. Qindra qytetarë çdo ditë presin para ambasadave për të aplikuar për viza pa të cilat nuk mund të udhëtojnë nëpër vendet e BE-së./Express.

Marrëveshje është nënshkruar më 2015, por s’është ratifikuar pasi AAK e VV kishin kundërshtuar me idenë se nga ky pajtim Kosova po humbte tokë. Me ardhjen e Haradianjt në krye të Qeverisë është arritur edhe një marrëveshje e re ndërmjet Presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi. Janë zotuar se do të bëhen korrigjime nëse gjenden fakte se ka pasur humbje të tokës nga ndonjëra palë. Vetëvendosje e ka kundërshtuar edhe këtë marrëveshje dhe nuk ka pranuar të japë votën. Qëndrim të njëjtë kundërshtues kanë dhënë edhe deputetët e pakicës serbe, Lista Srpska.

Tash e tri vjet tema e demarkacionit ka kryesuar politikën në Kosovë. Analistët dhe opozita konsiderojnë se kjo temë u ka humbur shumë kohë qytetarëve të vendit tonë.

Seanca për demarkacionin do të mbahet ditën e martë, sipas zyrtarëve të qeverisë gjasat janë që pas tri vitesh marrëveshja e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi këtë herë të kalojë përfundimisht.