Hoxhaj paralajmëron “dinamikë tjetër” për Asociacionin vitin e ardhshëm

22.09.2016 20:32
Hoxhaj paralajmëron “dinamikë tjetër” për Asociacionin vitin e ardhshëm

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog me Serbinë duhet të zbatohen ndërsa ka paralajmëruar se vitin tjetër “do të ketë një dinamikë tjetër” sa i përket formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Ka progres edhe sa i takon Asociacionit të komunave, meqë presim që në një të ardhme të afërt, ekipi i cili është caktuar, të fillojë me hartimin e statutit”, ka thënë Hoxhaj në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Hoxhaj po ashtu ka folur edhe për njohjet ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.  I pyetur se pse ky proces ka ngecur, Hoxhaj ka pranuar se janë disa arsye për një gjë të tillë.  Por, ai ka thënë se në takimet që ai dhe kryeministri Isa Mustafa kanë pasur këto ditë në ShBA, kanë marrë premtime për njohje të reja.

“Kështu që presim që do të ketë lajme të mira”, ka thënë diplomati kosovar.

Por, Hoxhaj ka thënë se suksesi i Kosovës në arenën ndërkombëtare varet edhe nga zhvillimet në vend, duke përmendur këtu dështimin për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

“Padyshim që mungesa e ratifikimit të marrëveshjes për demarkim të kufirit me Malin e Zi, nuk është diçka që e mbështet delegacionin tonë gjatë punës tonë në Neë York, meqë është ngritur herë pas here në takimet që kemi pasur deri më tash”, ka thënë ai.

Duke folur për liberalizmin e vizave, Hoxhaj ka pranuar se përveç demarkacionit, BE i ka caktuar kusht Kosovës edhe luftën kundër korrupsionit.  Ai thotë se Kosova ka bërë mjaftueshëm dhe thotë se nëse ratifikohet demarkacionit, qytetarët do të marrin lajm pozitiv në fund të vitit./Insajderi.com