Hoxhaj: Kosova i ka votat të anëtarësohet në INTERPOL dhe UNESCO

Hoxhaj: Kosova i ka votat të anëtarësohet në INTERPOL dhe UNESCO

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova i ka votat e mjaftueshme që të anëtarësohet në INTERPOL dhe UNESCO.

“Unë çka mund të them është kjo, se cila do të jetë qasja e Qeverisë së ardhshme në raport me anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, apo në INTERPOL, është vendim që i takon Qeverisë së ardhshme. Por, si ministër i Jashtëm i cili ende ushtron ketë post, mund të them se Kosova i ka votat që të jetë pjesë edhe e UNESCO-s edhe INTERPOL-it”, ka thënë Hoxhaj.

Në një intervistë për Evropën e Lirë, Hoxhaj ka thënë se sigurimi i mbështetjes për anëtarësim në këto dy organizata ka qenë prioritet i Qeverisë.

“Në këta muajt e fundit, në vitin 2017, por edhe në vitin e kaluar, unë kam pasur një agjendë intensive te lobimit, kam vizituar vendet e Afrikës, të Azisë Juglindore, të Amerikës Latine dhe kam qëndruar në shumë vende evropiane dhe natyrisht që sigurimi i votave për UNESCO dhe INTERPOL ka qenë prioritet mbi prioritet”, ka thënë kryediplomati kosovar.

“Po përtej votës, Kosova ka nevojë që t’i kryejë edhe disa tema dhe çështje të brendshme, për t’u bërë pjesë e këtyre dy organizatave”, ka shtuar ai.