Hoxhaj i kërkon BE-së presion ndaj Serbisë për zbatim të marrëveshjeve

Hoxhaj i kërkon BE-së presion ndaj Serbisë për zbatim të marrëveshjeve

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka nisur një vizitë dy ditore në Bruksel dhe Strasburg ku do të zhvilloj takime me krerët më të lartë të institucioneve të BE-së dhe Këshillit të Evropës.

Takimin e parë ministri Hoxhaj e ka zhvilluar me Përfaqësuesen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Frederica Mogherini me të cilin ka diskutuar për zhvillimet më të fundit politike në Kosovë, sfidat rajonale, liberalizimin e vizave dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Hoxhaj ka thënë të ketë marrë mbështetje të fuqishme politike të BE-së për Kosovën, institucionet e saj dhe zhvillimin e dialogut me Serbinë.

Por, sipas tij, BE-ja duhet të bëj presion në Serbinë që ti zbatoj marrëveshjet e arritura dhe të kushtëzoj progresin e mundshëm të saj në rrugën evropiane me njohjen e Kosovës, njofton MPJ përmes një komunikate për media.

“Zhvillova një takim shumë të mirë dhe përmbajtësor me Shefen e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, Federica Mogherini. Diskutuam për shumë çështje të zhvillimeve politike jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe raportet mes Kosovës dhe BE-së pas nënshkrimit të MSA-së. Theksova nevojën për më shumë presion ndaj Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe kushtëzim në rrugën e saj evropiane nëse vazhdon të ketë qasje bllokuese ndaj Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Hoxhaj po ashtu i ka thënë Mogherinit se “pa një afatizim të dialogut dhe zbatim të marrëveshjeve, vështirë të flasim për progres dhe normalizim të mirëfilltë” ka thënë Hoxhaj.