Hoxhaj flet për ndryshimet në kufijtë e Ballkanit Perëndimor

Hoxhaj flet për ndryshimet në kufijtë e Ballkanit Perëndimor

Zëvendkryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar në lidhje me deklaratën e udhëheqësit të Republikës Srpska në Bosnjë, Millorad Dodik.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Hoxhaj ka shkruar se se çfarëdo ndryshimi në kufijtë e Ballkanit Perëndimor hap kutinë e Pandorës dhe krijon domino efekt në gjithë rajonin.

“Kur Beogradi përmend ndarjen e territoreve në Ballkan, në fakt mendjen e kanë tek ndarja e Bosnjës. Rikonfirmim për këtë është edhe kjo deklaratë e Milorad Dodik. Çfarëdo ndryshimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor hap kutinë e Pandorës dhe krijon efekt domino në gjithë rajonin”, ka shkruar Hoxhaj.

Udhëheqësi i Republika Srpska në Bosnjë, Millorad Dodik, ka rikthyer ambiciet serbe për ndryshim të kufijve në Ballkan. Madje, ai tha se kjo gjë duhet të bëhet në mënyrë të qetë, pa bërë shumë zhurmë, përkundër faktit se komuniteti ndërkombëtar njëherit sponsorë të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor tashmë disa herë janë shprehur kundër çfarëdo ndryshimi të kufijve.

Dodik u shpreh se pjesa e Bosnjës me shumicë serbe, dhe pjesa e Kosovës e banuar me popullsi të kombësisë serbe, duhet t’i bashkohen Serbisë.

Kjo nuk është hera e parë që Serbia shfaq ambicie për ndryshim të kufijve, pasi edhe më herët zyrtarë të lartë të Serbisë kanë dale me ide të këtilla.