Hoxhaj falënderon Francën për mirëkuptimin e treguar për rastin Haradinajt

Hoxhaj falënderon Francën për mirëkuptimin e treguar për rastin Haradinajt

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka mirëpritur lirimin me kusht të Ramush Haradinajt, edhe pse sipas tij vendimi nuk është i plotë.

Hoxhaj gjithashtu ka thënë se urdhër arrestet e lëshuar nga shteti i Serbisë janë të motivuara politikisht dhe nuk kanë juridiksion ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Urdhërarrestet e lëshuara nga Serbia janë politikisht të motivuara dhe nuk kanë juridiksion ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës. Regjimi serb i takon së kaluarës, koha e tij ka përfunduar në Kosovë”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e tij në Twitter.

Ai ka shprehur falënderim për shfaqjen  e mirëkuptimit dhe ndjeshmërisë nga shteti i Francës gjatë këtyre ditëve.

“Falënderime për Francën në mirëkuptimin dhe ndjeshmërinë e treguar gjatë këtyre ditëve”, është mesazhi përmbyllës i Enver Hoxhajt lidhur me lirimin me kusht të Ramush Haradinaj, i cili është arrestuar më 5 janar të këtij viti nga autoritet e Francës, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga shteti i Serbisë, me pretekstin se ai ka bërë krime gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Dy ditë më parë Kuvendi i Kosovës  ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme për Haradinajn, por ka dështuar të miratojë një rezolutë që kërkon lirimin e tij të menjëhershëm./Insajderi.com