Hoxhaj e prezanton si sukses diplomatik takimin me tenderuesin milionësh

Hoxhaj e prezanton si sukses diplomatik takimin me tenderuesin milionësh

Kryediplomati kosovarë Enver Hoxhaj në Uashington ka takuar senatorin Bob Dole i cili ka marrë 2.3 milionë euro nga qeveria e Kosovës për shërbime këshillëdhënëse e lobuese për Presidencën dhe Qeverinë e Kosovë.

Në njoftimin e MPJ-së thuhet se Hoxhaj i ka vlerësuar të shkëlqyera raportet mes Kosovës dhe ShBA-së, ndërsa ka thënë se Kosova mbetet ndër popujt më pro-amerikan në rajon.

“Raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë të shkëlqyera, dhe Washingtoni mbetet pika e referencës për Kosovën kudo në botë. Kam besim se raportet tona do të intensifikohen edhe më tutje, pasi që ka ende shumë mundësi për ta thelluar bashkëpunimin bilateral. Ndërsa, Kosova mbetet njëri prej popujve më pro-amerikan në rajon”, ka thënë Hoxhaj.

Por, nuk ka shënuar asnjë rresht për rolin e kompanisë “Alston Bird LLC” ku punon Bob Dole si kontraktues i Qeverisë.

Insajderi ka raportuar lidhur me këtë kontratë e cila ishte paraparë të nënshkruhet mes Hoxhajt dhe Dole me 1 mars ndërkaq komunikata nga MPJ nuk njofton nëse kjo kontratë u nënshkrua në takimin e sotëm mes tyre.

Njësoj edhe presidenti Hashim Thaçi e pati lëvduar miqësinë me Dole, në janar të këtij viti kur u takua në ShBA, ndonëse nuk ishin bërë publike detaje nga takimi.

Por në shkurt përmes ueb faqes së Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Ministria e Punëve të Jashtme bëri publik njoftimin për dhënie të kontratës tri vjeçare me kompaninë “Alston Bird LLC”, në vlerë prej 2 milionë e 340 mijë eurosh.

Person kontaktues për firmën amerikane në këtë tender është Robert Dol. Emri i plotë i ish-senatorit amerikan është Robert Joseph ‘Bob’ Dole. /Insajderi.com