Hoxha: Të mos fshihemi pas të pamundshmes por ta luftojmë korrupsionin

Hoxha: Të mos fshihemi pas të pamundshmes por ta luftojmë korrupsionin

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka marrë pjesë në tryezën e organizuar kundër korrupsionit, me titull: Luftimi i korrupsionit, “peshqit” e vegjël zihen, të mëdhenjtë lihen të lirë”.

Ministria Hoxha ka thënë se korrupsioni është një dukuri e cila mund të luftohet por e vetmja mënyrë është që institucionet të punojnë së bashku.

“Korrupsioni është një dukuri e cila mund të luftohet, por kjo luftë do të jetë e suksesshme vetëm nëse institucionet punojnë së bashku drejt kauzës zero tolerancë ndaj kësaj dukurie. Askush nuk duhet të fshihet pas të pamundshmes, pas vështirësive apo pas burokracive për të goditur korrupsionin”, theksoi Ministrja Hoxha.

Konsideroj se të gjithë ne, fillimisht duhet ta luajmë rolin tonë si qytetar të këtij vendi, por edhe prokuroria dhe gjyqësori duhet të luajnë rol aktiv në luftën kundër korrupsionit.

“Prokuroria dhe gjyqësori duhet të luajnë rol aktiv në këtë luftë dhe të ndëshkojnë ata që po dëmtojnë të ardhmen e shtetit tonë. Është koha e fundit që të gjithë ne, legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori ta fitojmë këtë luftë, gjithnjë duke e respektuar pavarësinë e secilit dhe kompetencat që i kemi në këtë drejtim”, theksoi ministrja Dhurata Hoxha.

Problem i korrupsionit nuk është problem që nuk mund të adresohet dhe aq më pak nuk është luftë e pamundur. Por për të fituar luftë, kërkohet më shumë nga të gjithë ne, nga institucionet, nga qytetarët, nga shoqëria civile por edhe nga mediat.

“Unë besoj fuqishëm se një ndër mënyrat më efikase për të luftuar korrupsionin është rritja e transparencës. Për këtë qëllim do të shfrytëzoja rastin të kërkoja ndihmën e shoqërisë civile dhe mediave. Shoqëria civile dhe mediat duhet të luajnë rol më aktiv në monitorimin e institucioneve dhe suksesit të tyre në këtë luftë por edhe duhet të ushtrohet presion përmes bërjes publike të informacioneve për afera korruptive brenda kufizimeve ligjore. Le ta drejtojmë gishtin si qytetar të Republikës së Kosovës drejt të korruptuarve”, tha Ministrja Hoxha./Insajderi.com