Hoxha: Më shumë se kurrë na duhen gjyqtarë me guxim  

Hoxha: Më shumë se kurrë na duhen gjyqtarë me guxim   

Sot, më shumë se kurrë, na duhen gjyqtarë me integritet, që me guxim dhe përgjegjësi ligjore ndëshkojnë krimin, gjyqtarë që me guxim ballafaqohen me të gjitha format e korrupsionit, pa dallim se ku shfaqet. Kështu ka thënë ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, gjatë vizitës në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ministrja Hoxha u zotua se do të jetë e përkushtuar dhe këmbëngulëse në promovimin e të arriturave dhe avokuese e palodhshme e përmirësimit të gjendjes nëpër gjykatat themelore duke theksuar se prioriteti i qëndrueshëm është fuqizimi i sundimit të ligjit në tërësinë e tij.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, në këtë vizitë të ministres theksoj të arriturat e Gjykatës Themelore të Prishtinës në misionin e saj.

“Me gjithë sfidat, Gjykata Themelore e Prishtinës ka të arritura të theksueshme; me përgjegjësi është duke përmbushur misionin e vet ligjor, misionin e sundimit të ligjit, transparencës, duke kontribuar kështu në ngritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, theksoi Kryetarja Bytyçi.

Në këtë takim është vënë dukje se procesi euro-integrues është i lidhur ngushtë me fuqizimin e sundimit të ligjit, e ky sukses është i sigurt vetëm duke zbatuar ligjin, duke siguruar bashkë-angazhimin e të gjitha instancave të sistemit të drejtësisë gjithnjë duke u bazuar, ndër të tjera, mbi parimet e transparencës dhe llogaridhënies./Insajderi.com