Hoxha nga Peja: Shteti nuk duhet të lejojë askënd ta fyejë Muhamedin e as Jezu Krishtin

20.03.2017 11:55

Imami i njohur nga Peja, Enes Goga, ka thënë se askush nuk guxon të fshihet pas së drejtës së lirisë së shprehjes dhe të ofendojë besimet e njerëzve.

Hoxha nga Peja: Shteti nuk duhet të lejojë askënd ta fyejë Muhamedin e as Jezu Krishtin

Enes Goga në një ligjëratë para besimtarëve myslimanë, të mbajtur më 17 mars të këtij viti,  ka thënë se koha në të cilën jetojmë ka mundësuar komunikimin e shpejtë dhe të lehtë të njerëzve, porse një gjë e tillë i ka edhe anët negative “nëse njerëzit nuk janë të edukuar”.

Goga thotë se çështja e personalitetit, autoritetit dhe pozitës së profetit Muhamed – që sipas tij është temë që konsiderohet si themelore në fenë myslimane – nuk guxon të adresohet “në emër të fyerjes dhe në emër të shpifjes”.

“Nuk mundet në emër të lirisë së shprehjes me e fy Muhamedin” ka thënë ai, duke shtuar se e njëjta gjë vlen edhe për Krishtin dhe për besime të tjera.

Ai ka thënë se një gjë e tillë bëhet edhe nga njerëz të cilët “nuk i njeh as katundi i tij” ndërsa ankohet se persona të tillë gjejnë edhe hapësirë mediale.

Disa javë më parë, një shkrimtar nga Drenica, Azem Deliu, ishte sulmuar nga disa persona të cilët kanë pretenduar se ai ka ofenduar profetin Muhamed përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook. Lidhur me këtë rast janë arrestuar tre persona.

Por, Goga thotë se nuk është përgjegjësi e “xhematit me u çu me rreh ata, sepse kështu nuk ndreqet puna”. Sipas tij, është përgjegjësi e shtetit t’i ndalojë fyerjet e tilla dhe persona të tillë të ballafaqohen me fakte nga hoxhallarë të përgatitur.

“Duhet me dalë një hoxhë i përgatitur dhe me u ballafaquar me argument, me dëshmi, me prova me atë zotëri. Jo ma shumë”

“Është puna e shtetit, prokurorisë, me analizu situatën, që të mos guxojë askush me sha Shën Mërinë, Muhamedin e Jezusin,” ka thënë Goga para besimtarëve, në xhaminë Haxhi Ibrahim Devolli, në Pejë.

“Kjo punë I takon prokurorisë e ata  nuk guxojnë me heshtë kurrë”. Goga ka thënë se shtetet prodhojnë ligje me e ruajt shtetin dhe shoqërinë “e mos me leju shoqëria brenda vetit me u kacafyt mes vete”./Insajderi.com

Videon mund ta shihni në këtë link:

https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=143393749517669&id=100015411336432