Derisa familja e Astrit Deharit është duke mbajtur një konferencë nga ku po fajësojnë shtetin për vrasjen e birit të tyre,<" />

Hoxha kërkon të mos ndërhyhet në rastin e Deharit para raportit përfundimtar

Hoxha kërkon të mos ndërhyhet në rastin e Deharit para raportit përfundimtar

Derisa familja e Astrit Deharit është duke mbajtur një konferencë nga ku po fajësojnë shtetin për vrasjen e birit të tyre, Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha ka kërkuar përmbajtje nga deklaratat publike para se të dilet me një raport përfundimtar lidhur me rrethanat e vdekjes së Deharit.

Në një konferencë për media, Hoxha ka thënë se raporti përfundimtar që do të sqarojë rastin pritet të vijë shumë shpejt.

“Jam thellësisht e shqetësuar me tendencën për të ndërhyrë në rastin para raportit përfundimtar. Çdo deklarate para raportit përfundimtar e dëmton procesin. Kërkoj të përmbahen të gjithë nga deklaratat,” ka thënë ajo.

“Ju siguroj se shumë shpejt e presim raportin përfundimtar që do të sqaroj tërë rastin”, ka thënë ajo.

Në të njëjtën kohë kur po mbahej konferenca e ministres, Avni Dehari, babai i Astrit, ka fajësuar shtetin për vrasjen e tij.

“Shteti është sjellë padrejtësisht me ne, na e ka marrë djalin dhe na e ka përdhosur djalin. Na e ka vra djalin dhe sot nuk kemi kurrfarë konfirmimi zyrtar se ai ka vdekur në burgun e Prizrenit”, ka thënë ai.

I ndjeri Dehari ka qenë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ishte arrestuar më 30 gusht të këtij viti nën dyshimin se së bashku me aktivistë të tjerë të kësaj partie kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës me zollë.  Ai vdiq më 5 nëntor.

Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi që nga koha kur u dha lajmi për vdekjen e tij ka hedhur dyshime për rrethanat që kanë shkaktuar vdekjen.  Ish-lideri i partisë Albin Kurti ka thënë se ai është vrarë brenda në qelinë e tij.

Në ditën e vdekjes së tij, ai nuk kishte dalë në shëtitjen e zakonshme në burg ndërsa ishte gjetur në qelinë e tij në gjendje të rënduar shëndetësore. Fillimisht, Nexhmi Krasniqi, Drejtor i Rajonit të Policisë në Prizren, kishte deklaruar se Dehari kishte vdekur nga medikamentet por që më vonë ky version është demantuar nga mjekët ligjorë, të cilat konstatuan se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e asfiksimit përmes një shishe plastike me mjaltë./Insajderi.com