Hoti pretendon se Kosova ka konsensus me ShBA-të për ushtrinë

Hoti pretendon se Kosova ka konsensus me ShBA-të për ushtrinë

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, është shprehur i bindur se institucionet e Kosovës dhe administrata amerikane kanë gjetur konsensusin e përbashkët për formimin e ushtrisë së Kosovës.

Hoti ka thënë se shumë shpejt do të ketë ecje përpara në këtë drejtim. Sipas tij, të drejtën për të pasur ushtri Kosovës nuk mund t’ia mohojë askush.

“Administrata amerikane i përkrah ndryshimet kushtetuese për krijimin e ushtrisë së Kosovës. Më pozitivja në këtë drejtim është se as ShBA-ja, as NATO-ja dhe asnjë partner tjetër serioz i Kosovës nuk është kundër krijimit të ushtrisë”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se ushtria është pikë nisja e një shtetit sovranë.

“Pika e nisjes dhe mbarimit të tregimit për një shtet sovran është se ai shtet duhet ta ketë ushtrinë. Këtu besoj nuk kemi dilema as ne, as miqtë tanë ndërkombëtarë”, ka thënë Hoti për “Epokën e Re”.

Hoti ka thënë se vizita e zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit Hoyt Yee, është një rikonfirmim i mbështetjes amerikane për Kosovën.

Lidhur me propozimin e presidentit Thaçi për krijimin e ushtrisë duke shmangur kushtetutën janë shprehur kundër aletet më të mëdhenj të Kosovës, si NATO, ShBA-të por edhe aleat të tjerë.

Vetë ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie kishte kërkuar ndaljen e transformimit të ushtrisë në këtë fazë duke shmangur Kushtetutën e Kosovës.

Së fundi edhe vetë Thaçi ka shprehur pajtueshmërinë e tij për krijimin e ushtrisë me kushtetutë duke provuar bindjen e Listës Serbe që të votojnë pro krijimit të ushtrisë./Insajderi.com