Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk ka vendosur nëse do ta votojë kandidatin e PAN-it për kryeparlamentar, që në këtë rast është Kadri Veseli.
Kandidati për kryeministër nga koalicioni LAA, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se janë të bashkuar kundër koalicionin PAN dhe se asnjë deputet nga ta nuk do ta votojë Haradinajn për kryeministër, shkruan Ekonomia Online.
“Mendoj se zyrtarët e koalicionit PAN, janë duke i fyer qytetarët e Kosovës, duke u servuar atyre qeveri të kontrabanduar”, ka thënë Hoti.
Hoti ka thënë se koalicioni LDK-AKR është unik dhe i bashkuar.
“Qëndrojmë mbrapa marrëveshjes që kemi mbërritur me AKR, Alternativën dhe Lëvizjen për Drejtësi. Kemi filluar diskutimet e brendshme për pjesëmarrjen tonë në seancën konstituive të kuvendit”, ka thënë ai.
“Tani po presim që presidenti të ftojë seancën e parë konstituive të kuvendit dhe të fillojë procesi i konstituimit të institucioneve të reja të dala nga këto zgjedhje”, ka thënë Hoti.
Hoti është ministër në largim i Financave, në qeverinë Mustafa. /Insajderi.com