Hoti: Ne nuk blejmë e as nuk shesim vota

Hoti: Ne nuk blejmë e as nuk shesim vota

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti ka ironizuar me deklaratat e zyrtarëve të koalicionit PAN se i kanë numrat.

Ai përmes një statusi në Facebook ka thënë se numrat nuk janë mbledhje e zbritje, por është besim dhe dashuri për vendin.

“Mbledhja konstituive e Kuvendit nuk po thirret. Ata që trumpetonin me ditë të tëra se e kanë në dorë konstituimin e institucioneve të dalura nga zgjedhjet e fundit janë heshtur. Pëshpëritjet e deritanishme se i kanë numrat më nuk i besojnë as militantët e tyre. Matematika qeverisëse nuk është një mbledhje e zbritje prej autodidakti”, ka thënë ai.

Ai ka përsëritur se nuk do ta votojnë Haradinajn për kryeministër dhe nuk do të bëjnë asnjë pazar.

“Ajo është besim, pikë së pari dhe dashuri për vendin. LDK mbetët e përkushtuar fuqishëm të dëshmoj si gjithmonë vokacionin e saj institucional e demokratik. Ne nuk blejmë as shesim votën e qytetarit tonë por e mbrojmë atë si gjënë më të shenjtë”, ka shkruar Hoti në Facebook.