Hoti: Jemi duke pritur PDK-në për ta çuar në Kuvend demarkacionin

Hoti: Jemi duke pritur PDK-në për ta çuar në Kuvend demarkacionin

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se po e presin vetëm edhe vendimin e PDK-së që e përkrahë demarkacionit për ta proceduar pastaj për votim në Parlament.

Ai ka thënë se LDK e ka marrë veprimin pro votimit të shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi në mënyrë që të zhbllokohet procesi i liberalizimit të vizave.

“Si LDK ne veç e kemi marrë vendimin në Këshillin e Përgjithshëm të Partisë para që e mbështesim ratifikimin e demarkacionit. Ne po presim nga partneri tjetër i koalicionit, PDK, që të lëvizë në të njëjtin drejtim dhe në ditët e ardhshme dhe javët e ardhshme të lëvizim në Kuvend. Sepse i kemi shtjerrë të gjitha mundësitë”, ka thënë Hoti, për Zërin e Amerikës.

Megjithëkëtë, një pjesë e deputetëve të LDK-së, por edhe të PDK-së, kanë dalë në krahun e opozitës dhe po e kundërshtojnë shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Madje, është paralajmëruar prej PDK-së se demarkacioni do të shkojë në parlament javën e ardhshme derisa Qeveria i ka demantuar këtë njoftim, duke treguar se Shefi i Qeverisë deri të enjten e ardhshme do të jetë në Bruksel.

Sidoqoftë, edhe Isa Mustafa dhe Kadri Veseli, kanë paralajmëruar se nëse dështon votimi i shënimit të vijës kufitare në Parlament, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në të njëjtën kohë, Opozita ka iniciuar një mocion mosbesimi për rrëzimin e Qeverisë. Këtë nismë e kanë përkrahur edhe disa deputetë të PDK-së.