Hoti flet kush duhet ta udhëheq dialogun Kosovë – Serbi: Kryeministri nuk ka fuqi politike

Hoti flet kush duhet ta udhëheq dialogun Kosovë – Serbi: Kryeministri nuk ka fuqi politike

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka thënë se kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj nuk ka fuqi politike që ta udhëheq dialogun Kosovë – Serbi.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoti ka thënë se dialogu mund të udhëhiqet vetëm nga institucione përfaqësuese dhe legjitime që flasin në emër të shumicës së qytetarëve të Kosovës.

“Dialogu mund të udhëhiqet vetëm nga institucione përfaqësuese dhe legjitime, që flasin në emër të shumicës së qytetarëve të Kosovës. Dialogu nuk mund të udhëhiqet nga një qeveri e pakicës, që diktohet në veprime nga vullneti i partnerëve të vegjël të cilët e mbajnë në këmbë”, ka shkruar Hoti.

“Kryeministri nuk ka asnjë fuqi politike për të udhëhequr këtë proces, e as fuqi për të deleguar këtë autoritet tek dikush tjetër. Është e qartë se ai mund të flasë vetëm në emrin e partisë së tij, por jo në emër të Qeverisë, e cila është copëtuar në zona të interesit”, ka vazhduar tutje Hoti.

Po ashtu ai ka shtuar se, “Udhëheqjen e dialogut duhet ta marrë përsipër një qeveri e fuqishme me bazë të gjerë, bazuar në mandat të qartë nga Kuvendi i Kosovës. Kjo mund të arrihet vetëm pas zgjedhjeve të lira, të cilat do të prodhojnë një qeveri stabile”.

Hoti po ashtu ka thënë se “Në qeverinë e ardhshme, të udhëhequr nga LDK-ja, ne do të punojmë sado që është e nevojshme me të gjitha forcat politike për të arritur konsensus për dialogun. Sepse ky proces nuk i takon vetëm një partie apo vetëm qeverisë”. /Insajderi.com