Hotelierëve në Kroaci nuk i dolën hesapet: 200.000 shtretër të zbrazët në pikë të sezonit

Në pikë të sezonit, i cili është në gusht, kur zakonisht gostiten një milion mysafirë në ditë, sivjet nuk ka entuziazëm në mes të profesionistëve turistik.

Hotelierëve në Kroaci nuk i dolën hesapet: 200.000 shtretër të zbrazët në pikë të sezonit

Edhe pse numri i mysafirëve sipas e-Visitor në Kroaci është gati njësoj si vitin e kaluar (1,015 milion) në çdo hap mund të dëgjohet se si gjithkund në Adriatik ka vende të lira te ata të cilët i kanë rritur çmimet, shkruan gazeta kroate “Slobodna Dalmacija”.

Thjesht, një pjesë e hotelierëve, të magjepsur me kërkesën e vitit të kaluar kur nuk kishte asnjë shtrat të lirë në gusht, sivjet i ngritën çmimet në mënyrë të paskrupullt dhe shumë herët e ndalën shitjen nëpërmes të agjencive, ndërsa individët e pritur nuk erdhën në numrin e planifikuar.

Statistika zyrtare e e-Visitor tregon se të hënën e kaluar ka pasur më tepër se dhjetë mijë shtretër të zbrazët (më së shumti në hotele me tre yje), derisa gati 190.000 shtretër familjarë nëpër apartamente ende presin mysafirë.

“Shtëpitë hoteliere kanë filluar t’i zbresin çmimet qysh kah fundi i korrikut kur e kishin të qartë se dhomat në gusht nuk do të shkojnë me çmime më të larta, ndërsa agjencive i kanë ndaluar shitjen qysh në pranverë. Tani ata kanë problem dhe gjithkund ka dhoma të lira. Kjo për muajin gusht ka qenë e paimagjinueshme para disa vjetëve”, thotë një agjent turistik nga Skandinavia i cili me vite merret vetëm me turizmin në Kroaci./Insajderi.com.