Holandë, e djathta pritet të shtojë votat me frikën nga të huajt

Holandë, e djathta pritet të shtojë votat me frikën nga të huajt

Qendra “Shtrat, banjë, bukë” i ka garantuar deri tani kushte mjaft të mira qëndrimi emigrantëve në Groningen të Holandës, por shpresat e tyre për një sistemim përfundimtar zvogëlohen dita-ditës.

Këshilltari bashkiak Ton Schroor thotë se qendrës në fjalë, të konceptuar të akomodojë 100 azilkërkues, kryeministri Mark Rutte ia shkurtoi fondet në muajin janar dhe më vonë gjatë vitit planifikon të strehojë aty 300 vetë.

“Në Groningen, e kemi thënë gjithmonë se asnjeri që ka nevojë për strehim nuk duhet të flejë në rrugë apo poshtë ndonjë ure. Ne e ngritëm pa vonesë këtë qendër, me shpresën se qeveria do të ndante të njëjtin mendim e do të kërkonte një zgjidhje njerëzore të problemit”, tha Schroor.

Anija e përshtatur në vendqëndrimi është mbushur nga dhjetëra burra e gra myslimane, mirënjohës për faktin që nuk mbetën jashtë gjatë dimrit të ashpër holandez. Por, shanset e tyre për të siguruar të drejtën e të jetuarit në këtë vend janë sot më të vogla se kurrë.

Përballë sondazheve të opinionit që tregojnë se nacionalistët do ta dyfishojnë nivelin e tyre të votave në zgjedhjet e 15 marsit, duke luajtur kartën e rrezikut që i vjen, sipas tyre, kulturës holandeze nga të huajt, edhe koalicioni aktual qeveritar është angazhuar t’i trajtojë ashpër emigrantët, njofton tch.

Ndonëse statistikat tregojnë se numri i të huajve është më i vogël nga sa u mendua fillimisht, shumë votues holandezë besojnë se azilkërkuesit myslimanë janë një kërcënim për kombin e tyre, sepse shihen si njerëz që e kanë të vështirë integrimin dhe që do të përfitojnë nga sistemi bujar holandez i shëndetësisë e ndihmës sociale.