Historia që nxitë urrejtje – Dy anët e historisë së përbashkët serbo-shqiptare

Gjuha diskriminuese, keqinformimi dhe nxitja e paragjykimeve mes të rinjve serbë dhe shqiptarë , janë disa nga problemet kyçe të cilat hasen në tekstet shkollore. Kjo pamundëson që nxënësit shqiptarë dhe serbë të mësojnë të vërtetën për historinë e tyre të përbashkët duke i lënë ata të mësojnë “histori urrejtëse” për njëri-tjetrin.

Historia që nxitë urrejtje – Dy anët e historisë së përbashkët serbo-shqiptare

Ndër tekstet e shumta shkollore me gabime, librat e historisë, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, janë libra me gabime e probleme të shumta të cilat nxisin paragjykime në mes të rinjve serbë e shqiptarë të Kosovës, duke i lënë këta edhe me informata të mangëta.

Pavarësisht se Kosova është një shoqëri multietnike, nxënësit e shkollave fillore dhe atyre të mesme, ku mësohet shqip, kanë mungesë të informatave për komunitetin jo-shumicë në Kosovë e sidomos për pjesëmarrjen e tyre në luftën e fundit.

Përveç kësaj, ata janë edhe të keqinformuar se çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Mësojnë vetëm për shqiptarët si viktima lufte, dhe atë me numra të ekzagjeruar, duke i lënë kështu anash viktimat tjera si serbë, romë, boshnjakë e malazezë.

“Vetëm gjatë muajve të bombardimit të NATO-s ushtria serbe vrau mbi 15.000 shqiptarë në mesin e të cilëve kishte edhe shumë fëmijë, gra e pleq, ata hapën mbi 500 varreza masive”.

Ky është vetëm njëri nga paragrafët e librit të historisë në shkollat e mesme të Kosovës, i cili është vlerësuar si paragraf me informata jo të sakta mbi numrin e të vrarëve gjatë bombardimeve të NATO-s.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, numri i saktë i viktimave është 13 mijë e 535 persona. Prej tyre shqiptarë janë 10 mijë e 812, serbë 2 mijë e 197, kurse romë, boshnjakë, malazezë dhe shqiptarë të tjerë përbëjnë 526 viktima, transmeton Insajderi.

Ramadan Sokoli, nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS), ka thënë se “të rinjtë e Kosovës kanë shumë pak informacione për saktësinë e ngjarjeve që kanë ndodhur në luftën e fundit në Kosovë”.

“Këto pohime nuk kanë asnjë fusnotë për të treguar se nga ku është marrë, apo ku është hulumtuar. Ky numër i viktimave përmendet në librin e klasës 10 dhe 11 në gjimnaz të përgjithshëm dhe shkencave shoqërore”, ka shtuar Sokoli.

Ai përveç tjerash thotë se autorët e librave japin vetëm shifra të rrumbullakuara të viktimave, ndërsa serbët përmenden vetëm si agresorë.

E njëjta ndodh edhe me tekstet shkollore  ku nxënësit serb nga Kosova mësojnë , e të cilat nuk mbikëqyren nga MAShT, por zhvillohen në kuadër të planprogrameve dhe kurrikulave të Serbisë.

Në tekstet në të cilat mësojnë të rinjtë serbë të Kosovës kur përshkruhet lufta e fundit në Kosovë, e përshkruajnë Kosovën si djep të Serbisë, siç tregon Shkëlzen Gashi në librin e tij “Kosova 1912 – 2000 në tekstet mësimore të historisë të Kosovës, Shqipërisë dhe Sërbisë”.

“Depërtimi i ushtrisë serbe në Kosovë te tekstet e Serbisë përshkruhet si çlirim i djepit të shtetësisë së Sërbisë, kurse depërtimi i Sërbisë në Detin Adriatik arsyetohet si ‘…plotësim i njërit prej qëllimeve të luftës’”, shkruan ai.

Ndërsa kur vjen te krimet e luftës, siç shpjegon Gashi, serbët në literaturë i ikin kësaj çështjeje.

Përderisa edhe Dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, në një debat të mbajtur më 4 korrik me temë “Historia në tekstet shkollore”, organizuar nga YIHR KS , pohoi se në literaturën serbe shqiptarët paraqiten si terroristë dhe atyre u mohohet identiteti kombëtar.

Krejt kjo ka bërë që të rinjtë kosovarë dhe serbë të cilët jetojnë në Kosovë të kenë paragjykime për njëri tjetrin.

Për studenten Jovana Stojanoviq nga Mitrovica e Veriut, librat në të cilat ajo mëson nuk tregojnë mjaftueshëm për komunitetet e tjera.

“Që nga koha kur kam përfunduar shkollën vitin e kaluar, them se në librat serbë ka shumë pak për shqiptarët, apo kosovarët apo ngjashëm. Librat nuk tregojnë fare për konfliktet, sidomos ata të cilët janë për shkollë, për aq sa di unë”, ka thënë Stojanoviq për Insajderin.

Ajo ka thënë se “ekzistojnë libra të cilat nuk janë të detyrueshme në shkolla, të cilat fëmijët dhe të rriturit mund ti arrijnë me lehtësi dhe të cilat ngritin paragjykime dhe stereotipe”.

E fajin kryesor për paragjykime dhe frika të mundshme ndaj kosovarëve ajo ia len mediave, televizioneve dhe gjysmë të vërtetave.

Për Blerina Fejzullahun, maturante e gjimnazit “Ahmet Gashi” , paragjykimet vijnë si pasojë e mos-dijenisë për sjelljet e tyre dhe personalitetin e bashkëmoshatarëve serbë pasi që nuk kanë kontakte me ta.

“Nuk kemi kontakte me ta por në bazë të ngjarjeve të cilat tregohen i cilësojmë si njerëz agresorë dhe terroristë dhe mendoj se kjo nuk është e drejtë pasi që në bazë të këtyre historive shkaktohet armiqësi edhe mes gjeneratave te reja pa nevojë”, është shprehur Fejzullahu për Insajderin.

Ndërsa Arbnora Zeneli, poashtu maturante, shprehet se tekstet duhet të jenë objektive “të shkruhen nga një këndvështrim më i përgjithshëm dhe duke mos favorizuar asnjërin nga shtetet”.

Mirëpo për Millosh Goluboviq, nga komuniteti serb lufta e fundit në Kosovë ka ndikuar në mënyrë negative tek të rinjtë.

“Fatkeqësisht konflikti që ndodhi në vitin 1999 shihet në mënyrë të kundërt nga të dyja palët, por mendoj se të rinjtë ende e kanë atë dëshirë dhe tentojnë që përmes bashkëbisedimit të gjejnë tema të përbashkëta me të cilat ata do të mund të vazhdonin më tutje”, është shprehur ai.

Sa i përket kësaj çështje, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) nuk ka diskutuar.

Në një përgjigje për Insajderin, Faton Fetahu, përfaqësuesi nga MAShT, ka thënë se MAShT “do të angazhohet të pasqyrojnë fakte të vërteta historike nga njëra anë dhe gjuhë të tolerancës dhe mirëkuptimit ndëretnik në anën tjetër”.

Ndër tjerash MAShT ia ka hedhur fajin ekspertëve të pavarur të fushës dhe Institucioneve hulumtuese për mos bërjen e ndryshimeve në tekste shkollore të historisë.

Mirëpo për historianen, Mrika Limani nga Instituti i Historisë së Kosovës, tekstet shkollore të historisë janë produkt i politikave shtetërore dhe duhet të trajtohen si të tilla.

“Tekstet janë produkt i kurrikulës së MASHT-it, ata kanë një qëllim të mirëmbajtjes së konceptit të shtetit, në tekste flitet zëshëm për lartësim të komunitetit tonë por anashkalohen komunitetet tjera”, është shprehur Limani.

Por, si një lloj shfajësimi, Limani thotë se për shkak se ka kaluar një kohë aq e shkurtër nga përfundimi i luftës së fundit bëhet minimizimi i objektivitetit, dhe kjo mundet të ndodhë.

Problemet dhe mangësitë në tekstet shkollore, por edhe në mënyrën se si ato transmetohen nga mësuesit në Kosovë, i ka shtjelluar edhe gazetarja, sociologia dhe ish-këshilluese e OKB-së, Anna Di Lellio.

Ajo për këto ka përgatitur një raport, të publikuar më herët këtë vit, në të cilin tregon se mësuesit serbë dhe shqiptarë janë “kujdestarë” të rrëfimeve të tyre kombëtare.

“Çdo mësues është i ndikuar nga qëndrimet e tij/saj politike dhe ideologjike, përderisa prapavija e mësuesve përcakton qasjen e tyre të të dhënit mësim dhe bashkëveprimin me historinë”, shkruan në raport.

Përveç kësaj, Di Lellio ka shkruar se mësuesit edhe konformohen ndaj kurrikulave dhe programeve administrative nga shteti, por kjo përderisa këto nuk janë në kundërshtim me besimet e thella e personale të këtyre mësuesve.

Të gjeturat në këtë raport kanë rënë në përfundim që ajo që u nevojitet mësuesve të historisë në Kosovë është shkollim i nivelit më të lartë.

“Hulumtuesve shqiptarë dhe serbë u nevojiten fonde për të studiuar jashtë vendit, të bëjnë hulumtime arkivore në regjion dhe më gjerë dhe të iu adresohen aspekteve fundamentale”, shkruan në raport.

Tekstet shkollore përgjithësisht përmbajnë pasaktësi e gabime të cilat bëjnë nxitjen e paragjykimeve sidomos ndërmjet moshatarëve kosovarë e serbë që jetojnë afër njëri-tjetrit në Kosovë.

MAShT nuk mbanë përgjegjësi, edhe pse raporte e libra kanë qarkulluar duke e trajtuar këtë problem, duke theksuar nevojën e ndërrimit të librave dhe edukimin e profesorëve, për mësimdhënie më cilësore.

Përderisa ekzistojnë këto libra dhe mënyra të gabuara të dhënies së informatës tek të rinjtë, ata do të vazhdojnë të paragjykojnë dhe të kenë frikë nga njëri tjetri.

Ky artikull është mundësuar me përkrahjen bujare të popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID. Përmbajtja është përgjegjësi e Nismës së Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) dhe nuk pasqyron pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Artikulli është pjesë e projektit “Pjesëmarrja e të rinjve në edukimgjithëpërfshirës” që implementohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS), përmes Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe realizuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim -ATRC.